Ndërlidhjet

Lista Serbe kundërshton "reduktimin e kompetencave" të Asociacionit


Goran Rakiq
Goran Rakiq

Lista Serbe, partia udhëheqëse serbe e Kosovës e mbështetur nga Beogradi, ka thënë se të dërguarit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Gabriel Escobar dhe atij të Bashkimit Evropian, Mirosllav Lajçak u kanë vënë në dukje problemet e serbëve dhe obligimet e Kosovës, sipas Marrëveshjes së Brukselit, me fokus të veçantë në formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

“Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq theksoi se Marrëveshja e Brukselit është e qartë dhe se populli serb kundërshton synimet e Prishtinës për t’i reduktuar obligimet e tyre sa i përket kompetencave të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, sikurse janë ato në fushën e gjyqësorit, energjetikës, diplomave dhe realizimit të vizitave për serbët në këto hapësira”, thuhet në një komunikatë të Listës Serbe.

Aty është shtuar se përfaqësuesit politikë të serbëve kanë kërkuar që sa më urgjentisht të forcohet siguria për serbët në Kosovë, për pronat e tyre, por edhe për ato të Kishës Ortodokse Serbe.

Escobar dhe Lajçak janë takuar të martën, veç e veç, me kreun e Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, me kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku dhe me liderin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.

Liderët e partive opozitare në Kosovë kanë thënë se një marrëveshje përfundimtare me Serbinë, duhet të bëhet duke mos cenuar sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës, si dhe të përmbyllet me njohjen e ndërsjellë.

Më 31 janar, Escobar dhe Lajçak nisën vizitën e tyre në Kosovë, duke u takuar me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeministrin, Albin Kurti.

Gjatë një konference për media, Escobar tha se SHBA-ja përkrah plotësisht pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës.

Duke folur për dialogun, Escobar tha se ky proces, i cili ndërmjetësohet nga BE-ja, e ka mbështetjen e plotë të Uashingtonit.

“Dialogu e ka mbështetjen tonë të plotë dhe duhet të udhëhiqet nga BE-ja, sepse ka të bëjë me Evropën. Por, teksa ju lëvizni drejt BE-së, ju do të vazhdoni të jeni miq të ngushtë të SHBA-së, sepse është një partneritet trans-atlantik, komunitet trans-atlantik, ku ju tashmë jeni pjesë dhe ky dialog do t'ju afrojë edhe më shumë”, tha Escobar.

Ndërkaq, Lajçak tha se kjo vizitë e përbashkët tregon se BE-ja dhe SHBA-ja po punojnë “ngushtë” për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe për vizionin e së ardhmes.

“Jam i lumtur që kjo vizitë ka ofruar një mundësi për të diskutuar për planet tona në javët dhe muajt e ardhshëm”, tha Lajçak.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në konferencën e përbashkët për media me Escobarin dhe Lajçakun, me 31 dhjetor, ka thënë se është i gatshëm t’iu përgjigjet kërkesave dhe nevojave të të gjithë qytetarëve të Kosovës, përfshirë atyre serbë.

“Do të marrim praktikat më të mira aktuale edhe të Kosovës, por edhe të Bashkimit Evropian, e duke pasur në vëmendje edhe praktikat dhe mënyrat, të cilat i zbaton Serbia, sepse nuk duhet të kemi askund qytetarë apo komunitete që janë të privilegjuara, e diku tjetër të diskriminuara”, ka thënë Kurti.

Vizita e diplomatëve perëndimorë nga 31 janari deri më 4 shkurt, do të zhvillohet edhe në Serbi. Kjo vizitë pesëditore ka për qëllim që të inkurajojë liderët e të dy shteteve për angazhimin e tyre në dialog.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG