Ndërlidhjet

Edhe institucionet në listën e shkelësve të Ligjit për duhanin


Ilustrim.
Ilustrim.

Ligji për kontrollin e duhanit ka hyrë në fuqi në vitin 2013. Por, zbatimi i tij, edhe sot e kësaj dite vlerësohet se nuk është i kënaqshëm. Ndonëse janë shqiptuar gjoba nga inspektorët në terren ndër vite, ato nuk janë konsideruar nga gjykatat si lëndë me prioritet, andaj edhe kanë mbetur të patrajtuara.

Nisur nga këto zvarritje, në vitin 2017, kishte hyrë në fuqi Ligji për kundërvajtje, ku u jepen kompetenca shtesë inspektorëve që e monitorojnë Ligjin kundër duhanit. Kjo parasheh që inspektorët të kenë të drejtë që t’i procedojnë lëndët brenda organeve kundërvajtëse, dhe jo t’i dërgojnë në gjykata.

Megjithatë, edhe masat shtesë, nuk kanë krijuar një zbatueshmëri në masë të kënaqshme të këtij ligji.

Shkumbin Spahiu, zyrtar në Qendrën për Zhvillim dhe Avokim në Kosovë (KADC), qendër kjo që merret me monitorimin e zbatimit të Ligjit kundër duhanit, i tha Radios Evropa e Lirë se Ligji për kundërvajtje parasheh që për shkeljet nga personat fizikë, të gjobiten nga inspektorët deri në 500 euro dhe personat juridikë, deri në 1 mijë euro.

Këto lëndë, siç thotë ai, mund të kryhen brenda 30 ditësh, dhe nëse respektohet afati kohor, shuma e gjobës përgjysmohet për shkelësit. Ai tregon se kush janë shkelësit më të mëdhenj të ligjit.

“Shkelësit më të mëdhenj të ligjit janë kafenetë e natës me 80 për qind. Por, edhe institucionet e Kosovës janë ato që e shkelin ligjin, ku 14 për qind ligji shkelet në shkollat e mesme dhe 8 për qind në ndërtesat qeveritare”, tha Spahiu.

"Ajo që ka kontribuar në rritjen e shkeljes së ligjit në vazhdimësi është mungesa e vullnetit politik nga ana e institucioneve dhe mungesa e marrjes së rolit udhëheqës nga ana e ministrive përkatëse, për shkak se monitorimi i ligjit bëhet nga shumë inspektorate dhe është i nevojshme të ketë një trup koordinues funksional që të monitorojë tërë kohën”, theksoi Spahiu.

Në anën tjetër, inspektori Ibrahim Tërshnjaku bëri të ditur se me hyrjen në fuqi të Ligjit për kundërvajtje, do ta kenë mundësinë që ato subjekte që i gjobisin t’i detyrojë ligji që edhe t’i paguajnë gjobat, gjë që më parë nuk ka ndodhur.

Megjithatë, ai nuk dha të dhëna lidhur me atë se sa gjoba janë shqiptuar gjatë këtij viti.

“Ligji për kundërvajtje tashmë ka hyrë në fuqi dhe në fillim mund të ketë pasur ngecje, por ne si Inspektorat kemi planifikuar që këtë muaj t’i kryejmë kontrollet për shkelje të ligjit. Deri tani nuk kemi një numër të saktë të gjobave, por duhet të merren të gjitha të dhënat nga niveli komunal. Këta muaj, koha ishte e ngrohtë dhe brenda lokaleve nuk ka pasur shumë shkelje, megjithatë në ditët në vijim do të marrim masa më radikale”, u shpreh Tërshnjaku.

Në Ministrinë e Shëndetësisë, Faik Hoti, njëherësh kryesues i grupit për Ligjin për kontrollin e duhanit, thotë se zbatueshmëria e ligjit nuk është në nivel të kënaqshëm, por që zbatohet, aq sa zbatohen edhe ligje të tjera në Kosovë.

“Ligji i ka sfidat e veta dhe ka vështirësi në zbatim, sidomos në sektorin e gastronomisë, por që ka përmirësime në sektorët e tjerë. Nëse e shohim si tërësi, kemi arsye të kërkojmë më shumë angazhim edhe prej institucioneve mbikëqyrëse në zbatimin e tij, mirëpo si ligj zbatohet në atë masë sa edhe ligjet e tjera në Republikën e Kosovës. Ky ligj ndoshta bie në sy më shumë, pasi që lidhet drejtpërdrejt me mjedise të mbyllura me shëndetin e popullatës. Mirëpo, nëse shikohet si ligj në tërësi ka shumë nene të tij që zbatohen dhe ka prodhuar efekte, ndonëse në sektorin e gastronomisë është pak më problematik”, tha Hoti.

Ndryshe, duhani vlerësohet të jetë shkaktari i dytë i vdekjeve në botë. Sipas statistikave ndërkombëtare, të cilat i prezantojnë edhe përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës, duhani çdo vit vret rreth 5.4 milionë njerëz në botë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG