Në hulumtimet e bëra nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik, del se rreth 500 mijë njerëz në Kosovë, e konsumojnë duhanin në mënyrë të rregullt.
Konsumimi i duhanit në hapësirat publike është i rregulluar me ligj përkatës.
Por, ky ligj, i cili ka hyrë në fuqi në vitin 2013, sipas monitoruesve të zbatimit të tij, nuk po zbatohet sa duhet.
Shkumbin Spahiu, zyrtar në Qendrën për Zhvillim dhe Avokim në Kosovë (KADC), organizatë kjo që merret me monitorimin e zbatimit të Ligjit kundër duhanit, thotë se përpos lokaleve afariste, si shkelësit më të mëdhenj të këtij ligji, janë edhe vetë zyrtarët e Qeverisë së Kosovës që tymosin në bufetë e këtij institucioni.
“Ligji për kontrollin e duhanit kohëve të fundit ka shënuar rënie në zbatimin e tij. Kjo vjen si rezultat i reagimit shumë të ngadaltë të autoriteteve zbatuese të ligjit. Tash e dimë që pirja e duhanit në hapësira të mbyllura në vende publike ka filluar të bëhet në mënyrë sistematike”.
Shkelësit më të mëdhenj janë klubet e natës, sidomos në orët e vona të mbrëmjes. Por, nuk mungojnë shkeljet në institucionet publike, sidomos bufeja e Qeverisë së Kosovës. Aty ligjin e shkelin personat që ishte dashur të ndihmojnë në zbatimin e tij”, ka thënë Spahiu.
Ndërkohë, Faik Hoti, drejtor i departamentit për informim në Ministrinë e Shëndetësisë, njëherësh koordinator shtetëror për kontroll të duhanit, ka treguar për shumën e gjobave si dhe numrin e lokaleve të inspektuara, gjatë muajit maj, i cili është shpallur si muaji i luftës kundër duhanit.
“Shkelje të ligjeve ka, por kur është në pyetje Ligji për kontrollin e duhanit, duhet të insistojmë në atë se cili është ndryshimi që ka sjellë ky ligj dhe, ndryshime ka, përkundër shkeljeve. Ka mjedise të liruara 100 për qind nga tymi, por ka hapësirë për përmirësime".
"Në këtë aspekt, inspektorati sanitar në mënyrë sistematike po bën inspektime në lokalet, ku në orët e vona, janë inspektuar 47 lokale më të njohura në Prishtinë. Ka pasur shkelje, por ka edhe dënime kapitale të shqiptuara nga ana e inspektoratit sanitar. Dënimet kanë qenë deri në 3 mijë euro, për ato lokale që nuk e kanë respektuar ligjin. Inspektimet po vazhdojnë”, ka thënë Hoti.
Ndryshe gjatë një viti, në Kosovë hyjnë rreth 3 mijë e 500 tonelata duhan. Në bazë të këtyre statistikave të Doganave të Kosovës, del se qytetarët harxhojnë rreth 150 deri në 200 milionë euro për një vit për konsum të duhanit.
Edhe Policia e Kosovës në bazë të ligjit është një mekanizëm që bën monitorimin e Ligjit për kontrollin e duhanit, dhe të dhënat nga autoritetet e rendit tregojnë që ky institucion ka qenë aktiv në këtë drejtim.
Për zbatimin e Ligjit për duhanin, sipas Faik Hotit, duhet të angazhohen jo vetëm institucionet qendrore, por edhe ato lokale me qëllim të mbrojtjes së shëndetit publik.
“Kemi inspektoratet shumë të angazhuara siç janë inspektorati sanitar, ai shëndetësor, policia, por nga pozicioni i koordinatorit shtetëror për kontroll të duhanit do të donim më shumë aktivitet nga inspektorati i tregut, ai i punës e në veçanti më shumë aktivitete nga institucionet lokale, pasi nuk mjafton që ligji të monitorohet vetëm nga institucionet qendrore, por edhe autoritetet lokale kanë përgjegjësi të madhe për mbrojtjen e shëndetit të popullatës”, ka thënë Hoti.
Ndërkaq zyrtarë në Organizatën Botërore të Shëndetësisë disa herë kanë potencuar se ndalimi i tymosjes në vende publike, do të dëshmojë faktin se do të shpëtohen me mijëra jetë njerëzish, me mijëra sëmundje dhe do të kursehet buxheti i limituar i Ministrisë së Shëndetësisë për trajtimin e këtyre sëmundjeve, sepse dihet që vdekjet e parakohshme që ndodhin në Kosovë, janë si pasojë e duhan-pirjes.
Sidoqoftë nga 1 janari i këtij viti, Qeveria e Kosovës ka ngritur akcizën për duhan, nga 38 euro në 1000 copë, në 41 euro. Rritja e akcizës për këtë produkt është paraparë që deri në vitin 2019 të ngrihet deri në 47 euro në 1000 copë.