Ndërlidhjet

E kujt ishte lënda kimike që shpërtheu në Bejrut?


Pamje pas shpërthimit në Bejrut.
Pamje pas shpërthimit në Bejrut.

Në rrëfimin e rëndë që flet sesi një sasi e madhe e nitratit të amonit ka përfunduar në portin e Bejrutit, një gjë është e qartë – askush deri më tani publikisht nuk ka pretenduar se ka pronësi mbi këtë lëndë.

Ka shumë pyetje pa përgjigjje që rrethojnë shpërthimin vdekjeprurës të 4 gushtit në kryeqytetin e Libanit, mirëpo pronësia do të duhej të ishte një prej gjërave më të thjeshta për t’u zgjidhur.

Identifikimi i qartë i pronësisë, sidomos për një sasi aq të rrezikshme që është bartur nga anija Rhosus me flamur të Moldavisë, kur ka arritur në Bejrut shtatë vjet më parë, është proces shumë i rëndësishëm për të zgjidhur mospajtimet që mund të ngriten.

Në disa intervista që ka kryera agjencia e lajmeve, Reuters dhe pas disa kërkesave që ka bërë për qasje në dokumente në pothuajse 10 shtete, me qëllim të gjetjes së pronarit origjinal të 2,750 tonëve të nitratit të amonit, është kuptuar se ekziston një zinxhir i dokumenteve që mungojnë dhe një rrjet i vogël i kompanive që janë të shtrira në gjithë globin.

“Mallrat janë transportuar nga një shtet në tjetrin, dhe kanë përfunduar në një vend të tretë, pa pronar. Pse kanë përfunduar aty?”, ka thënë Ghassan Hasbani, ish-zëvendëskryeministër i Libanit dhe figurë opozitare.

Personat e lidhur me bartjen e nitratit të amonit, kur janë intervistuar nga Reuters, kanë mohuar se kanë njohuri për pronarin e kësaj lënde, apo kanë refuzuar të përgjigjen.

Në mesin e atyre që kanë thënë se nuk e dinë kush është pronari kanë qenë edhe kapiteni i anijes, kompania gjeorgjiane që ka prodhuar këtë sasi dhe kompania afrikane që ka porositur atë, por nuk ka kryer kurrë pagesën.

Versioni zyrtar i udhëtimit të fundit të anijes Rhosus vë në pah rrugëtimin e saj me një seri të ngjarjeve fatkeqe.

Të dhënat mbi transportin tregojnë se anija ishte ngarkuar me nitrat të amonit në Gjeorgji, në shtator të vitit 2013, dhe ishte besuar se do të nisej drejt një prodhuesi të pajisjeve shpërthyese në Mozambik.

Mirëpo para se të arrinte në Mesdhe, kapiteni dhe dy anëtarë të bordit kanë thënë se janë urdhëruar nga biznismeni rus, që e konsiderojnë si pronarin de fakto të anijes, Igor Grechushkin, që të bëjë një ndalesë të papritur në Bejrut për të marrë një ngarkesë tjetër.

Anija Rhosus ka arritur në Bejrut në muajin nëntor për t’u mos larguar kurrë, duke u kthyer në qendër të mospajtimeve rreth taksave të papaguara në port dhe defekteve tjera të anijes.

Kreditorët kanë akuzuar pronarin ligjor të anijes, një kompani me bazë në Panama, për braktisje të anijes dhe më vonë ngarkesa është bartur në port, është thënë në dokumentet zyrtare.

Një kompani në Bejrut që ka punuar për kreditorët, Baroudi & Associates, nuk u është përgjigjur kërkesave për të identifikuar pronarin ligjor të ngarkesës.

Reuters po ashtu nuk ka arritur ta kontaktojë biznismenin, Grechushkin.

Më 2018, anija e zbrazur ishte fundosur aty ku ishte ankoruar, sipas zyrtarëve të doganave në Liban.

Mirëpo lëvizjet e fundit të anijes Rhosus janë vënë në qendër të vëmendjes, pas ndezjes së nitratit të amonit më 4 gusht në portin e Bejrutit, duke lënë të vdekur më shumë se 200 persona, duke plagosur mijëra tjerë, ndërkohë që besohet se mbi 250,000 të tjerë tani janë të pastrehë.

Në mesin e pyetjeve pa përgjigje janë edhe ato se kush ka paguar për këtë sasi të nitratit të amonit dhe a ka pasur përpjekje për ta siguruar këtë lëndë kur Rhosus është konfiskuar? Nëse jo, atëherë pse?

Ngarkesa, e paketuar në thasë të bardhë, ka qenë në vlerë të rreth 700,000 dollarëve me çmimet e vitit 2013, ka thënë një burim nga kjo industri.

Pa sigurim

Hetimet e Reutersit kanë ngritur shumë flamuj të kuq.

Sipas konventave detare ndërkombëtare dhe disa ligjeve të brendshme, anijet komerciale duhet të kenë sigurim që mbulon ngjarje të tilla si, dëmi i ambientit, humbja e jetës, plagë të shkaktuara nga fundosja, apo në rast të ndonjë përplasjeje të anijes.

Megjithatë, anija Rhosus nuk ka pasur sigurim, sipas dy burimeve të afërta me këtë çështje.

Kapiteni rus i anijes, Boris Prokoshev, ka thënë përmes telefonit nga shtëpia e tij në Soçi, Rusi, se ai ka parë një numër certifikatash të sigurimit, mirëpo nuk mund të flasë për autenticitetin e tyre.

Reuters në anën tjetër nuk ka arritur të sigurojë një kopje të këtyre dokumenteve.

Kompania në Mozambik, që ka porositur këtë sasi të nitratit të amonit, Fábrica de Explosivos Moçambique (FEM), atëbotë nuk ka qenë pronare e dërgesës, pasi ishte pajtuar për të kryer pagesën kur ta pranojë të njëjtën, ka thënë zëdhënësi i saj, Antonio Cunha Vaz.

Prodhues i kësaj lënde ka qenë kompania gjeorgjiane, Rustavi Azot LLC, e cila tani nuk ekziston më.

Pronari i saj atë kohë, biznismeni, Roman Pipia, i ka thënë agjencisë së lajmeve, Reuters se ka humbur kontrollin e nitratit të amonit të kompanisë Rustavi më 2016.

Disa dokumente të gjykatës në Mbretërinë e Bashkuar tregojnë se kjo kompani ishte detyruar nga një kreditor që të shesë aksionet e saj në një ankand në po atë vit.

Fabrika, që tani drejtohet nga kompania tjetër, JSC Rustavi Azot, po ashtu ka thënë se nuk mund të ndihmojë në gjetjen e pronarit të ngarkesës, sipas zëvendësdrejtorit të parë të saj, Levan Burdiladze.

Kompania në Mozambik ka thënë se ka porositur këtë ngarkesë përmes një firmës tregtare, Savaro Ltd, e cila ka kompani të regjistruara në Londër dhe Ukrainë, mirëpo që faqja e saj në internet tani është jashtë funksionit.

Kur një ekip ka vizituar adresën e kompanisë Savo Ltd në Londër të hënën, askush nuk është përgjigjur në derë.

Reuters më vonë ka kontaktuar drejtoren e kompanisë Savaro në Londër, Greta Bieliene, me shtetësi të Lituanisë, por me bazë në Qipro.

Megjithatë, as ajo nuk ka pranuar të flasë.

Një burim i afërt me tregtitë e kompanisë Savaro ka thënë se ka shitur substancën kimike nga ish-vendet e Bashkimit Sovjetik te klientët në Afrikë.

Biznesmeni me bazë në Ukrainë, Vladimir Verbonol, është renditur si drejtor i Savaros në Ukrainë, bazuar në databazën e korporatës ukrainase, You Control.

Reuters nuk ka arritur ta kontaktojë Verbonol për të marrë ndonjë koment.

Përfshirja ruse

Ndërkohë që dhimbja dhe zemërimi i nxitur nga shpërthimi, kanë rezultuar me protesta nëpër rrugët e Bejrutit, ka shenja se hetimet e premtuara nga qeveria e Libanit, veçse janë fokusuar te Rhosus dhe Grechushkin, njeriu që konsiderohet pronar i anijes.

Protestuesit në Bejrut përleshen me policinë
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:01:37 0:00

Një burim i sigurisë ka thënë se Grechushkin është marrë në pyetje në shtëpinë e tij në Qipro të enjten e javës së kaluar lidhur me lëndën kimike.

Një zëdhënës i policisë në Qipro ka thënë se një individ, emrin e të cilit nuk e ka bërë publik, është marrë në pyetje me kërkesë të Organizatës Ndërkombëtare të Policisë (INTERPOL) në Bejrut.

Anija Rhosus ka arritur në Bejrut në nëntor të vitit 2013, duke rrjedhur dhe në përgjithësi në gjendje të keqe, ka hënë kapiteni Prokoshev.

Ajo veçse ka pasur shumë probleme.

Në korrik të vitit 2013, katër muaj para se të ankorohej në Bejrut, anija ishte ndaluar për 13 ditë nga autoritetet e portit të Sevillës në Spanjë, pas defekteve të mëdha, duke përfshirë mosfunksionim të dyerve, gërryerje të mëdha në zonën e kuvertës dhe probleme tjera me motorë, është thënë në të dhënat e anijes.

Pamjet nga satelitët tregojnë shkatërrimin në Bejrut
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:01:26 0:00

Ajo ka nisur sërish lundrimin pas inspektimit të kryer nga kompania Maritime Lloyd, e cila ka lëshuar një certifikatë të sigurisë së anijes.

Teimuraz Kavtaradze, inspektor i kompanisë Maritime Lloyd, me bazë në Gjeorgji, e cila nuk renditet në mesin e kompanive më të njohura për këtë çështje, ka thënë se nuk mund të konfirmojë nëse kompania ka dorëzuar ndonjë dokument të inspektimit te zyrtarët e portit në Seville.

Ai ka thënë se ka qenë duke punuar për kompaninë në fjalë në 2013 mirëpo pjesa tjetër e stafit dhe menaxhmenti kanë ndryshuar.

Zyrtarët e portit në Seville nuk kanë qenë të gatshëm për të dhënë ndonjë koment.

Paris MoU, trup i përbërë nga 27 shtete detare, nën autoritetin e të cilit është kryer ndalimi i anijes, ka konfirmuar përmes emailit se anija është ndalur dhe është kryer inspektimi në Seville.

Moldavia, ku edhe ka qenë e regjistruar anija Rhosus, ka thënë se pronare e saj është kompania me bazë në Panama, Briarwood Corp, certifikatë të cilën e ka parë Reuters.

Megjithatë kjo agjenci, nuk ka arritur të identifikojë Briarwood Corp si kompani të regjistruar në Panama.

Autoritetet detare të Panamas nuk u janë përgjigjur kërkesave për koment.

Të drejtat e shfrytëzimit të anijes i ka pasur atë kohë Teto Shipping Ltd, me bazë në Ishujt Marshall.

Sipas Regjistrave Ndërkombëtarë, kjo kompani është mbyllur më 2014.

Porti i Bejrutit para dhe pas shpërthimit
Ju lutem prisni
Bashkëngjite

No media source currently available

0:00 0:00:50 0:00

Igor Zaharia, drejtor i Agjencisë Detare të Moldavisë, ka thënë se Grechushkin ka qenë drejtor i kompanisë Teto Shipping.

Ndërkohë, kapiteni i anijes Rhosus, i ka treguar Reutersit një adresë elektronike që ai dhe ekipi i tij e kanë përdorur për Teto Shipping, mirëpo kërkesat për koment aty kanë mbetur pa përgjigje.

Kapiteni ka thënë se e ka konsideruar rusin Grechushkin dhe Teton si subjekt të njëjtë.

Përgatiti: Krenare Cubolli

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG