Ndërlidhjet

E ardhmja e Çeçenisë pas raportimeve për sëmurje të Kadyrovit


Lideri i Çeçenisë, Ramzan Kadyrov.
Lideri i Çeçenisë, Ramzan Kadyrov.

Gjithçka ka qenë duke funksionuar në rregull më 22 maj, deri kur Ramzan Kadyrov është raportuar të ketë realizuar një ndalesë në Kremlin, për të takuar presidentin rus, Vladimir Putin.

Sipas një postimi në llogarinë e Kadyrovit në Telegram, udhëheqësi i Çeçenisë, i përkrahur prej Kremlinit, e ka informuar Putinin për sukseset e mëtuara ekonomike në rajonin e tij dhe është zotuar për të dërguar "dhjetëra mijëra rezervistë të trajnuar dhe të pajisur me armë” për të luftuar në Ukrainë “në komandën e parë”.

Ndonëse Kadyrov është dukur mirë në fotografinë që e kanë publikuar autoritetet ruse, pas takimit, takimi është zhvilluar teksa qarkullojnë raportimet se 47-vjeçari është duke u përballur me probleme të rënda shëndetësore.

Këto raportime, dhe përshpejtimi i praktikës së kahershme të Kadyrovit që shpërblen fëmijët e tij me pozita qeveritare dhe çmime tjera, kanë rritur dyshimet se po bëhen përgatitje për bartje të pushtetit në këtë rajon.

Ramzan Kadyrov (majtas) dhe Vladimir Putin në takimin për të cilin është raportuar më 22 maj.
Ramzan Kadyrov (majtas) dhe Vladimir Putin në takimin për të cilin është raportuar më 22 maj.

Në muajt e fundit, gjenerali Apti Alaudinov, komandant i forcave çeçene në luftën e Rusisë në Ukrainë, është përfolur se mund të jetë pasardhës në pushtet – dhe se ai gëzon si mbështetjen e Kadyrovit, ashtu edhe të përfaqësuesve të ushtrisë dhe të agjencive qeveritare të Putinit.

Megjithatë, shumë janë habitur kur Kadyrov dhe Alaudinov kanë marrë pjesë në ceremoninë e inaugurimit të Putinit për mandatin e ri, më 7 maj, me delegacione të ndara.

E gjithë familja e përfshirë në udhëheqësi

Putin e ka emëruar Kadyrovin si udhëheqës të Çeçenisë më 2007, tri vjet pas vrasjes së babait të Kadyrovit, liderit të atëhershëm të Çeçenisë, Akhmed Kadyrov.

Duke përdorur taktika të burrit me muskuj, të cilat janë dënuar prej grupeve për të drejta të njeriut, në Rusi dhe përtej, Kadyrov tani njihet si njeri që ruan stabilitetin në një prej zonave më të cenueshme në Rusi.

Në prill, e përditshmja Novaya Gazeta Europe, e cila njihet për informacione të shumta për Kaukazin e Veriut, ka raportuar se Kadyrov është diagnostikuar në janar të vitit 2019 me nekrozë akute të pankreasit. Në disa video të publikuara së fundmi është parë Kadyrov, në pamje i fryrë dhe duke i ngatërruar fjalët, çka ka rritur edhe më shumë dyshimet për problemet shëndetësore.

Kadyrov i ka mohuar vazhdimisht këto raportime, dhe në disa incizime, në të cilat vërehen intervenime, ai është parë duke kryer ushtrime fizike dhe në gjendje të mirë.

“Është e qartë se ai nuk ndihet mirë”, ka thënë blogeri opozitar në azil, me prejardhje çeçene, Tumso Abdurakhmanov.

“Ka periudha kur mjekët arrijnë të menaxhojnë apo stabilizojnë gjendjen e tij. Mirëpo është e qartë se Kadyrovi është i sëmurë dhe nuk është duke u shëruar”.

Më 21 maj, Kadyrovi e ka zëvendësuar kryeministrin rajonal, Muslim Khuchiyev, që e ka mbajtur atë pozitë deri më 2019 me zëvendëskryeministrin, Isa Tumkhadzhiyev, i cili është i martuar me një familjare të Kadyrovit.

Në të njëjtën kohë, djali i Kadyrovit, Akhmat, 18-vjeçar, është emëruar ministër rajonal për Sporte. Kadyrov e ka emëruar edhe dhëndrin e tij 29-vjeçar, Ramzan Vismuradov, si zëvendëskryeministër pa portofol.

Prej 23 pozitave të larta në Qeverinë rajonale, gjashtë prej tyre i udhëheqin fëmijët e Kadyrovit apo bashkëshortët e tyre, derisa pesë të tjera udhëhiqen prej familjarëve më të largët.

“Kadyrovit i duhet të emërojë familjarët e tij për ta mbrojtur vetëm nga akuzat sa është në pushtet, nëse shëndeti i tij përkeqësohet”, ka thënë Ilya Shamanov prej organizatës ndërkombëtare, Transparency International, në Rusi.

“Nëse ndodh dicka, ai do të ketë njerëz të besueshëm në pozitat kyçe”.

Vetëm disa ditë më herët, më 16 maj, është përhapur lajmi tronditës që Magomed Daudov, një prej figurave më të besueshme të Kadyrovit, njëherësh udhëheqës i Kuvendit të Çeçenisë prej vitit 2016, është shkarkuar.

Aktivisti çeçen për të drejta të njeriut, Abubakar Yangulbayev ka thënë se shkarkimi i befasishëm i Daudovit nuk ka qenë rezultat direkt i problemeve shëndetësore të Kadyrovit, mirëpo mund të ketë qenë pasojë e rritjes së tensioneve në rajon.

“Fakti që ka ndodhur aq shpejt mund të japë sinjale se Magomed Daudov ka bërë diçka mbrapa shpinës së Ramzan Kadyrov, diçka që nuk e ka ditur Ramzani”, ka thënë Yangulbayev.

“E ardhmja e Daudovit është shumë e paqartë”, ka thënë ai, duke shtuar se kur Daudov ka folur para gazetarëve, ka qenë “qartazi shumë i frikësuar”.

Raportimet se Daudov do të emërohet në një pozitë të re, nuk janë konfirmuar ende.

‘Është me yll në ballë’

Më 16 prill, Putin e ka nënshkruar një urdhër ekzekutiv, përmes së cilit e ka emëruar Alaudinovin si zëvendësudhëheqës të departamentit “ushtarako-politik” në Ministri të Mbrojtjes.

Ky 50-vjeçar do ta vazhdojë edhe pozitën e komandantit të Batalionit çeçen Akhmat, një njësit special aktiv në Ukrainë.

Apti Alaudinov.
Apti Alaudinov.

Alaudinov është raportuar të ketë rritur ndikimin edhe në Kremlin, në kohën e rebelimit të shkurtër, të kryer në qershor të vitit 2023 nga mercenarët e grupit privat rus, Wagner, të udhëhequr prej Yevgeny Prigozhinit, tashmë i vdekur.

Pas negociimit të një zgjidhjeje për rebelimin, Alaudinov e ka ndërmjetësuar integrimin e shumë mercenarëve të Wagnerit në njësitet e Batalionit Akhmat.

Kirill Martynov, kryeredaktor i Novaya Gazeta Europe, ka thënë për televizionin Current Time, që shumë zyrtarë me ndikim nuk e pëlqejnë Kadyrovin, i cili ka qenë ndër liderët me namin më të madh në Rusinë e Putinit.

Tensionet në mes të Kadyrovit dhe disa sektorëve të sigurisë në Rusi, datojnë qysh prej fillimit të viteve 2000.

“Është e mundshme që Kremlini beson se me luftë, me buxhetin e madh ushtarak dhe me karrierën ushtarake të Alaudinovit – ai është shpërblyer me çmimin 'Hero i Rusisë' për punën e tij në Ukrainë – ekziston një mundësi që të shfrytëzohet gjendja e keqe shëndetësore e Kadyrovit për një ‘rend të ri’ në Çeçeni”, ka thënë Martynov, duke shtuar se shumë do të dëshironin të shihnin Çeçeninë si vetëm “një tjetër rajon në Federatën Ruse”.

Abdurakhmanov pajtohet që pozita për Alaudinovin është duke u shqyrtuar seriozisht.

“Ai e ka yllin në ballë tani, kur është fjala për skenën politike të Rusisë”, ka shtuar mes tjerash ai.

Përgatiti: Krenare Cubolli

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG