Ndërlidhjet

Pesë muaj ferr në një burg çeçen


Fotografi ilustruese.
Fotografi ilustruese.

Një koment i bërë nga Muslimi në një postim në Instagram, i kushtoi atij një pesë-mujor të mundimshëm abuzimi, torture dhe izolimi në një burg çeçen. Postimi kishte të bënte me një mik të tij, dhe Muslimi - pseudonim që e përdor për arsye sigurie - 25 vjeç, u arrestua nën akuzat për terrorizëm dhe ekstremizëm.

Pavarësisht nga pasojat e mundshme, Muslimi u ndie i detyruar të fliste.
"Jeta ime ishte si e çdo qytetari tjetër rus derisa bëra një koment që ndryshoi të ardhmen time përgjithmonë", tha Muslimi në një intervistë për Radio Evropa e Lirë në Kaukaz.

Përvoja e Muslimit pasqyron rrëfime të panumërta të dhunës, abuzimit dhe torturës që kanë lindur në Çeçeni nën udhëheqjen e Ramzan Kadyrovit, i cili mbështetet nga Kremlini. Ai ka qeverisur rajonin e Kaukazit të Veriut që nga emërimi i tij nga presidenti Putin në vitin 2007.

Me fondet nga buxheti i Kremlinit dhe të ardhurat lokale nga nafta dhe gazi, Kadyrov e ka vendosur veten si sundimtar i rajonit të shkatërruar nga lufta. Ai ka ushtrinë e tij personale, të njohur joformalisht si "Kadyrovtsy" dhe vepron pa u ndëshkuar përmes përdorimit të torturës, vrasjeve pa gjyq, zhdukjeve të detyruara dhe dënimeve kolektive.

*Video nga arkivi: Fëmijë nga Ukraina dërgohen në kamp ushtarak në Çeçeni


Kadyrov ka urdhëruar, gjithashtu, vrasjen e disidentëve, aktivistëve të opozitës dhe veteranëve të luftës që kanë ikur në Evropë.

Muslimi, tani 30-vjeçar, po kërkon azil në një vend evropian.

Radio Evropa e Lirë verifikoi detajet e burgosjes së Muslimit përmes dokumenteve gjyqësore dhe faqeve të rrjeteve sociale, si dhe përmes dëshmive të individëve që ishin burgosur me të, përfshirë aktivistin për të drejtat e njeriut, Oyub Titiyev.

“Më rrahën aq keq sa nuk munda të ngrihesha në këmbë”, tha ai.

Në vitin 2017, Muslimi jetonte me familjen e tij në një qytet në Rusinë jugore jashtë Çeçenisë dhe punonte në një agjenci qeveritare. Ai komentoi në një postim në Instagram për mikun e tij që u arrestua si terrorist, pavarësisht se nuk kishte pikëpamje radikale. Miku u vra më vonë në paraburgim nga policia dhe Muslimi shkroi për këtë në faqet e tij të rrjeteve sociale. Ai mori telefonata kërcënuese nga individë me theks çeçen.

“Më thanë pse nuk merresh me punët tua dhe pse shkruan komente për gjëra që nuk të përkasin”, tha ai.

Pas telefonatave kërcënuese, policia bastisi shtëpinë e Muslimit, e akuzoi atë në mënyrë të rreme për kërkim ryshfeti dhe i nxori para një varg akuzash, përfshirë tentativën për përdhunim. Ai zgjodhi ryshfetin dhe mori një dënim me kusht, gjobë dhe ndalim për të mbajtur disa poste për dy vjet.

Më vonë, ai u ftua në një takim dhe u kërcënua nga burra që pretendonin se ishin dërguar nga një i afërm i Kadyrovit. Ata kërkuan që ai të mos fliste dhe e kërcënuan familjen e tij nëse nuk pranonte të dërgohej në rajonin e policisë lokale. Ai u mbajt atje për disa ditë dhe procesi u përsërit edhe një herë gjatë javës në vijim.


Më 1 gusht 2017, teksa Muslimi po shkonte për në shtëpi, atij iu afrua një makinë me targë që kishte inicialet e Kadyrovit. Pasi hyri në ndërtesën e tij, ai u kap nga disa burra, u rrah, u fut në një makinë dhe u dërgua në një stacion policie në Grozny, kryeqyteti i Çeçenisë.

Ai u mbajt gjatë natës dhe u mor në pyetje, duke folur kryesisht në rusisht derisa u përgjigj në çeçenisht se u quajt "shejtan". Më pas ai u dërgua në një bodrum në ndërtesën e policisë që kishte disa qeli individuale burgu me rreth 30 deri në 50 persona, një dysheme dhe mure betoni të zhveshura dhe pa pajisje. Ai rrihej çdo mëngjes dhe flinte në dysheme, i zhveshur, me të burgosurit tjerë.

"Çdo mëngjes 'Kadyrovtsyt' zbrisnin te ne dhe në vend të mëngjesit, ne merrnim tortura me goditje elektrike. Ata na lidhnin tela në të gjitha pjesët e trupit, kthenin çelësin dhe na kërkonin të flisnim, por pa specifikuar se çfarë të thoshim. Ndonjëherë na hidhnin ujë për të rritur goditjen ose na detyronin të mbyllnim gojën për të intensifikuar rrymën, ose na hidhnin ujë në kokë”, tha ai.

Muslimi raportoi se disa të burgosur shpiknin histori vetëm për t'u lënë pa u torturuar, dhe tortura nuk ishte e izoluar, duke prekur njerëzit e të gjitha moshave dhe gjinive.

"Kadirovtsy nuk tregoi asnjë mëshirë ndaj të moshuarve, duke sfiduar zakonet çeçene", tha ai. "Shpesh, të moshuarit mbaheshin peng për t’i detyruar djemtë e tyre të dorëzoheshin tek autoritetet. Një grua 80-vjeçare u soll një natë e veshur me këmishën e natës, e sëmurë dhe e frikësuar. Ajo u ndalua në mënyrë që të fliste për të birin. Ajo u trajtua mizorisht", rrëfen Muslimi.

Sipas tij, një grup të rinjsh, përfshirë një djalë dhe dy vajza rreth 15 vjeç, u hodhën gjithashtu në bodrum në një moment.

"Vajzat ishin të veshura me hixhab kur u futën në qeli dhe iu grisën rrobat, duke i lënë në të brendshme. Djali u zhvesh në tërësi", tha Muslimi. Drita u ndez papritur në qeli, për të cilën Muslimi besonte se ishte bërë qëllimisht, duke bërë që vajzat të qanin nga frika dhe turpi.

"Ne u dhamë vajzave veshjet tona rezervë për t'u mbuluar dhe bëmë çmos për t'i ngushëlluar", tregoi ai. “Po atë natë djali u dërgua në një qeli tjetër ku iu nënshtrua goditjeve elektrike, duke bërë që ai të bërtiste aq fort sa mezi e dëgjonim njëri-tjetrin”.
Rrahjet janë bërë në një mënyrë specifike, sipas Muslimit.

“Të burgosurit duhej të qëndronin me krahët dhe këmbët e shtrira pas murit, pastaj oficerët e sigurimit do të nxitonin dhe do t'i rrihnin me çdo gjë që kishin - duar, çizme, shkopinj”, tha ai. “Goditjet më të dhimbshme ishin në veshka dhe mëlçi, duke shkaktuar dhimbje të forta që vështirësonin frymëmarrjen”.

Një herë, Muslimi u rrah aq rëndë sa volli dhe nuk mundi të qëndrojë në këmbë. Megjithatë, inspektorët e jashtëm ndërhynë pasi dy të burgosur të tjerë në të njëjtin objekt kishin vdekur së fundmi për shkak të torturave. Më pas ai u dërgua në spital, u trajtua dhe u lirua.

Teksa ishte në burg, Muslimi kujton praninë e një aktivisti të njohur për të drejtat e njeriut, Oyub Tityev, në një bllok tjetër qelie, i cili ishte i respektuar dhe nuk iu nënshtrua rrahjeve apo torturave.

Oyub u dha mbështetje dhe shpresë shumë të burgosurve dhe u konsiderua një legjendë në qendrën e paraburgimit. Pavarësisht përpjekjeve të përsëritura nga rojet e burgut për ta detyruar Muslimin të nënshkruajë një rrëfim dhe të mbledhë prova inkriminuese nga ish-kolegët e tij, familja e Muslimit më në fund mori vesh për ndalimin e tij. Në një rast, Muslimi u detyrua të thërriste prindërit e tij dhe t'iu kërkonte para për lirimin e tij.

“Qëllimisht kam qenë i vrazhdë me të, që të mos vinte”, tha ai. “Babai më bërtiti, më tha që nuk isha më djali i tij dhe e mbylli telefonin”.

Radio Evropa e Lirë nuk ishte në gjendje t'i gjente prindërit e Muslimit, të cilët janë ende në Çeçeni.

Kushte më të mira

Gjashtë javë pas ndalimit të tij fillestar, Muslimi u zhvendos në një qendër më të mirë paraburgimi me një shtrat, mure të bardha ku kishte qasje për çaj, ujë, në një tualet dhe rrobalarëse.

Zyrtarët e burgut u përpoqën ta detyronin të nënshkruante një rrëfim dhe e kërcënuan se do ta rrihnin, por ai u lirua përfundimisht me kusht në janar 2018.

Gruaja e Muslimit u detyrua të shkurorëzohej nga ai, një praktikë e zakonshme në Çeçeni dhe ai nuk ishte në gjendje të komunikonte më me fëmijët.

Ai, përfundimisht, u largua nga Rusia në fund të vitit 2022 dhe zgjodhi të flasë për përvojën e tij dhe kushtet në burgjet çeçene.

Përgatiti: Gresa Kraja

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG