Ndërlidhjet

Dy nisma për dialogun


Kuvendi i Kosovës
Kuvendi i Kosovës

Shoqëria civile nuk po qëndron indiferente në përpjekjet për krijimin e një konsensusi politik në Kosovë, në raport me fazën finale të dialogut politik me Serbinë.

Aktualisht, ka dy nisma nga shoqëria civile, si përpjekje për vendosjen e debatit ndërmjet partive politike në synimet për arritjen e një dakordimi rreth përfaqësimit të Kosovës në dialog.

Njëra nismë ka të bëjë me Institutin Demokratik të Kosovës, i cili u ka bërë thirrje partive politike që çështjen e dialogut ta shtrojnë në Kuvendin e Kosovës. Dhe, në anën tjetër, Grupi Ballkanik për Politika, që kryesisht është përpjekur që konsensusin ndërpartiak ta arrijë përmes tryezave politike.

Naim Rashiti, drejtor i Grupit Ballkanik, thotë për Radion Evropa e Lirë se arritja e një marrëveshjeje ndërmjet partive politike tash për tash është e vështirë. Ai pret që të ketë lëvizje pozitive, sidomos nga Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës.

"Besoj se problemi kryesor është te vetë subjektet politike, të cilat ende nuk e kanë definuar funksionin e tyre politik karshi procesit të dialogut. Dhe, pastaj, vijnë çështjet e tjera, formati, procesi, parimet. Është bërë një vonesë e madhe, procesi nuk do të ndalet”.

“Duhet që deri në muajin shtator subjektet politike të koordinohen dhe në mënyre formale Kuvendi të emërojë një ekip negociator, i cili në bazë të parimeve do t’i negociojë të gjitha protokollet e mundshme të marrëveshjeve", thotë Rashiti.

Ai thotë, po ashtu, se tryezat e diskutimeve të organizuara nga vetë subjektet politike apo dikush tjetër, vështirë që mund të sjellin ndonjë vendim përmbajtjesor.

Sipas tij, krejt çka është arritur deri tani nga takimet e tilla, është se ka një pajtim që në këtë fazë, liderët e partive politike, duhet të ulen dhe të marrin vendimet e mëdha.

"Është ende shumë e vështirë dhe shpesh zhvillimet që po ndodhin po e bëjnë edhe më të vështirë dakordimin. Komunikimi, diskursi politik në faza të caktuara e ka bërë edhe më të vështirë dhe këtë e kemi parë edhe më herët viteve të kaluara. Subjektet duhet të gjejnë mënyrën dhe të emërojnë një ekip negociator, të cilin presidenti Thaçi duhet ta pranojë si të tillë, pra si një ekip, i cili del nga vendimi i Kuvendit të Kosovës", vlerëson Rashiti.

Edhe Instituti Demokratik i Kosovës, në vazhdimësi ka ftuar partitë politike parlamentare të mobilizohen sa më parë për thirrjen e një seance të jashtëzakonshme për fazën përmbyllëse të dialogut Kosovë-Serbi.

Përfaqësuesit e kësaj organizate thonë se faza përmbyllëse e dialogut, Kosovë-Serbi është duke vazhduar me mungesë të theksuar të transparencës dhe pa koordinim të spektrit politik.

Jeta Krasniqi, njohëse e procesit të dialogut nga ky Institut, thotë për Radion Evropa e Lirë se Kuvendi është institucioni më i lartë ligjvënës, i cili në fund do të jetë përgjegjës për ratifikimin e marrëveshjes përfundimtare dypalëshe. Sipas saj, deputetët për këtë fazë përmbyllëse të dialogut, duhet të diskutojnë dhe të arrijnë një konsensuse për ekipin përfaqësues.

"Çështja e dialogut është një çështje e interesit të lartë shtetëror që përcakton funksionimin e brendshëm dhe qoftë edhe atë ndërkombëtar të Kosovës, prandaj duhet të ketë një gjithëpërfshirje të partive politike”.

“Kuvendi duhet të jetë në çdo moment i përfshirë në të. Partitë politike kemi parë se kanë hezituar që të thërrasin një seancë jashtëzakonshme, kemi parë të kenë thënë se dialogu dihet t'i kthehet Kuvendit, por ende partitë politike, si ato të në pushtet, ashtu edhe ato në opozitë, nuk janë duke e ftuar një seancë të rregullt ku në rend të ditës do të ketë diskutimin për të ardhmen e çështjes së dialogut", vlerëson Krasniqi.

Ajo thekson se platforma e shtetit të Kosovës për bisedime, duhet të përcaktohet në Kuvendin e Kosovës, duke i dhënë legjitimitet procesit shtetëror përmes miratimit të një rezolute, e cila do të përcaktojë edhe vijat e kuqe të Kosovës.

"Është shumë e paqartë se kah po shkohet me këtë proces. Kemi dëgjuar nga presidenti i vendit që të thotë se epilogu i këtij procesi duhet të jetë njohja reciproke, anëtarësimi i Kosovë në të gjitha organizatat ndërkombëtare, por ne nuk e dimë se cilat janë temat që do të diskutohen. Është mbajtur edhe takimi i dytë dhe nuk e dimë se çka është diskutuar e cilat kanë qenë temat dhe cilat do të jenë temat e diskutimit. Pra, mungesa e transparencës është duke e karakterizuar edhe fazën e finale të dialogut si edhe fazat e tjera", thekson Krasniqi.

Mungesa e bashkëpunimit politik dhe bashkërendimit ndërmjet partive politike për ta adresuar çështjen e dialogut, sipas Naim Rashitit, do ta bëjë edhe më të vështirë gjithë procesin e dialogut me Serbinë.

Ai nuk beson se një subjekt i caktuar politik në Kosovë do të mund të përfitojë pikë politike nëse e bojkoton procesin.

“Ato nuk do të përfitojnë siç nuk kanë përfituar edhe nga krizat e kaluara politike”, thekson ai, duke e shikuar dialogun si mundësi që më në fund Kosova dhe Serbia të arrijnë një marrëveshje.

“Është një mundësi e vetme e dhënë, e cila nëse nuk realizohet, do të mbetemi një konflikt të ngrirë, në status-quo me Serbinë edhe për disa vite të tëra ", shton Rashiti.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i cili po zhvillon takime në Bruksel me homologun e tij nga Serbia, Aleksandar Vuçiq, ka ftuar gjitha forcat politike në Kosovë që t’i bashkohen procesit të dialogut, dhe të kontribuojnë në arritjen e marrëveshjes finale me Serbinë.

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG