Ndërlidhjet

Merr fund ëndrra e Donjeta Sadikut për medalje në Paris 2024


Donjeta Sadiku e Kosovës reagon pasi humbi luftën kundër Angie Paola Valdes Pana të Kolumbisë në Lojërat Olimpike Paris 2024, në Francë, 29 korrik 2024.
Donjeta Sadiku e Kosovës reagon pasi humbi luftën kundër Angie Paola Valdes Pana të Kolumbisë në Lojërat Olimpike Paris 2024, në Francë, 29 korrik 2024.

Boksierja kosovare Donjeta Sadiku ka dështuar në përpjekjet e saj për të fituar medalje në Lojërat Olimpike Parisi 2024, pasi u mposht të hënën mbrëma nga Paola Angie Valdes Pana.

Boksierja kolumbiane fitoi me vendim të ndarë të gjyqtarëve në përballjen e 1/8 së finales në kategorinë deri në 60 kilogramë, në kryeqytetin francez.

Sadiku e kishte fituar ndeshjen e parë, duke e mposhtur Thanaya Somnuek të Tajlandës.

Kjo ishte paraqitja e dytë e 25-vjeçares nga Prishtina në Lojëra Olimpike, pas debutimit me ftesë në Tokio 2020, kur kishte humbur qysh në luftën e parë.

Ajo është garuesja e parë dhe e vetme deri tani, qoftë grua apo burrë, që e ka përfaqësuar Kosovën në sportin e boksit në Lojëra Olimpike.

Ndërkohë, të hënën garuan në përgjithësi tre kosovarë në Paris 2024, me Akil dhe Nora Gjakovën që ngelën pa medalje gjithashtu, pasi humbën në garat e tyre përkatëse në xhudo.

Kosova e ka fituar vetëm një medalje deri tani në Parisi 2024, ku po përfaqësohet nga nëntë atletë në sporte si, xhudo, not, atletikë dhe boks.

Kampionia olimpike nga Tokio 2020, Distria Krasniqi e fitoi të argjendtën të dielën.

Në ditët në vijim do të garojnë edhe Gresa Bakraqi në atletikë, Hana Beiqi dhe Adell Saboviq në not, si dhe Loriana Kuka dhe Laura Fazliu në xhudo.

Xhudoja është sporti i vetëm që i ka sjellë Kosovës medalje olimpike deri tani, plot katër sosh.

Lojërat Olimpike Verore mbahen çdo katër vjet dhe vlerësohen si gara më e shquar me shumë sporte individuale dhe ekipore në botë.

Kosova e shënoi debutimin në vitin 2016 në Olimpiadën e Rios në Brazil.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG