Ndërlidhjet

Akil Gjakova mbetet pa medalje në Lojërat Olimpike


Akil Gjakova i Kosovës mposhtet nga Soichi Hashimoto i Japonisë në luftën e drejtpërdrejtë për medaljen e bronztë në Lojërat Olimpike Parisi 2024, Francë, 29 korrik 2024.
Akil Gjakova i Kosovës mposhtet nga Soichi Hashimoto i Japonisë në luftën e drejtpërdrejtë për medaljen e bronztë në Lojërat Olimpike Parisi 2024, Francë, 29 korrik 2024.

Akil Gjakova ka ngelur pa medalje në Lojërat Olimpike Parisi 2024, pasi u mposht nga Soichi Hashimoto në një luftë për medaljen e bronztë të hënën pasdite.

Xhudisti kosovar synonte të bëhej burri i parë që fiton medalje olimpike në historinë e sportit kosovar.

Paraprakisht, xhudisti 28-vjeçar nga Peja lëshoi mundësinë për të siguruar së paku medalje të argjendtë dhe për të luftuar për titullin e kampionit olimpik në kategorinë deri në 73 kilogramë, pasi u mposht në gjysmëfinale nga numri një i botës, Hidayat Heydarov.

Gjakova i fitoi tri duelet e para, por dy disfata radhazi bënë që ai ta humbë mundësinë për t’u bërë kampion olimpik dhe pastaj për të luftuar për medaljen e bronztë.

Ai u mposhtë nga dy xhudistët e renditur numër një dhe dy në botë, përkatësisht, në kategorinë e tij.

Gjakova bëri paraqitje më të mira në këtë Olimpiadë krahasuar me debutimin e tij në Olimpiadën e kaluar në Tokio, duke u renditur në vendin e pestë, dy vende më lart, por pamjaftueshëm për të fituar medalje.

“Nuk u shpërbleva ashtu siç kam pritur, por tani kthehem në shtëpi dhe e vazhdoj punën. Shortin e pata shumë të vështirë, gjatë rrugës u takova me kampionë botërorë dhe evropianë, arrita të bëjë luftëra të mira. Asgjë nuk është befasuese”, tha Gjakova.

Akil Gjakova pëson humbje nga Hidayat Heydarov në gjysmëfinale të Lojërave Olimpike Parisi 2024, në kategorinë deri në 73 kilogramë në xhudo, 29 korrik 2024.
Akil Gjakova pëson humbje nga Hidayat Heydarov në gjysmëfinale të Lojërave Olimpike Parisi 2024, në kategorinë deri në 73 kilogramë në xhudo, 29 korrik 2024.

Më herët gjatë ditës, Nora Gjakova u eliminua qysh në rrethin e parë të garës, ndërsa Distria Krasniqi, ka fituar medalje të argjendtë një ditë më parë. Në ditët në vijimë do të garojnë edhe dy xhudistet e mbetura, Loriana Kuka dhe Laura Fazliu.

Kosova e ka fituar vetëm një medalje deri tani në Parisi 2024, ku po përfaqësohet nga nëntë atletë në sporte si, xhudo, not, atletikë dhe boks.

Xhudoja është sporti i vetëm që i ka sjellë Kosovës medalje olimpike deri tani, plot katër sosh.

Kjo është Olimpiada e tretë radhazi që Kosova synon të fitojë medalje të artë, pas debutimit historik të Majlinda Kelmendit në Rio 2016 në Brazil, kur u shpall kampione olimpike dhe medaljeve të arta të Distria Krasniqit dhe Nora Gjakovës në Tokio 2020.

Krasniqi, bashkë me Kelmendin dhe Nora Gjakovën, janë atletet e vetme, qoftë në sportin e grave apo burrave, që kanë fituar medalje të arta olimpike në historinë e sportit kosovar.

Lojërat Olimpike Verore mbahen çdo katër vjet dhe vlerësohen si gara më e shquar me shumë sporte individuale dhe ekipore në botë.

Kosova e shënoi debutimin në vitin 2016 në Olimpiadën e Rios në Brazil.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG