Ndërlidhjet

Dita e Flamurit, festë e rimëkëmbjes


Në Kosovë, sot po shënohet 28 Nëntori, Dita e Flamurit të shqiptarëve. Liderët politikë dhe institucionalë të vendit, kanë dërguar mesazhe urimi për qytetarët shqiptarë të Kosovës, por edhe për Republikën e Shqipërisë, e cila sot shënon 105-vjetorin e pavarësisë së shtetit.

Presidenti i Kosovës, i cili po qëndron në Shqipëri, në ceremoninë e shënimit të 28 Nëntorit, që është organizuar në Vlorë, ka thënë se Dita e Flamurit është festë e krenarisë kombëtare.

“Dita e Flamurit është festa e krenarisë sonë kombëtare, me traditën më të gjatë të kremtimit. Është festë e rimëkëmbjes së dinjitetit dhe forcimit të ndërgjegjes sonë kombëtare. Kjo ditë shënon momentin e ndarjes nga robëria e gjatë dhe fillimin e epokës së modernizmit të kombit tonë. Jemi një komb me dy shtete sovrane. Të dy shtetet tona kanë një ëndërr, kanë një qëllim, integrimin e plotë në institucionet euroatlantike. Urime Dita e Flamurit, urime Dita e Pavarësisë”, ka thënë presidenti Thaçi.

Ditën e Flamurit ua ka uruar qytetarëve shqiptarë të Kosovës edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, i cili ka qëndruar sot në Boletin të Mitrovicës, në vendlindjen e Isa Boletinit, të cilin shqiptarët e njohin si tribun dhe hero kombëtar, që kontribuoi për pavarësimin e shtetit të Shqipërisë.

“Shqipëria dhe shqiptarët janë duke ecur çdo ditë përpara. Vetëm edhe pak muaj na ndajnë nga 10-vjetori i shtetit tonë të pavarur dhe sovran. Shteti jonë është i shenjtë. Liria jonë është e shenjtë dhe ajo është e pacenueshme. Ne do të ecim fuqishëm përpara dhe nuk do ta lejojmë askënd që ta cenojë atë. Gjithë shqiptarëve, kudo që janë, urime 29 Nëntori dhe 17 shkurti, shumë shpejt. Të ecim përpara, afër njëri-tjetrit, pa ndalur , në mënyrë që t’i realizojmë idealet e këtyre burrave dhe burrëreshave të mëdhenj”, ka thënë Veseli.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, përmes një shkrimi në faqen e tij në rrjetin social Facebook, ka uruar të gjithë shqiptarët për Ditën e Flamurit.

“Dita e Flamurit, që shënon rimëkëmbjen e kombit tonë, është festa e përjetësuar ndër shqiptarë kudo që janë. ‘28 Nëntori’ i bekuar, është ditë e shënuar e sakrificës dhe e dinjitetit kombëtar, është historia e lavdishme dhe synimi jonë për të ardhmen e përbashkët në vlerën euro-atlantike. Kjo ditë na jep nder e na bën krenar!”, ka shkruar kryeministri Haradinaj.

Kryeministri Haradinaj e ka shpallur 28 Nëntorin, ditë pushimi në Kosovë.

Në anën tjetër, sheshet në qytetet e Kosovës sot janë stolisur me flamujt kombëtar shqiptarë dhe me ngjyrat e këtij flamuri, kuq dhe zi.

Disa qytetarë në Prishtinë thonë se dita e sotme është festë për të gjithë shqiptarët, pavarësisht se ku jetojnë ata.

Por, si e shohin ata lidhjen emocionale që kanë me 28 nëntorin dhe flamurin kombëtar shqiptar?

Sevdie Hajdari nga Prishtina e quan 28 Nëntorin si “ditë e madhe”.

“Për ne kjo është një ditë shumë e madhe, sepse është dita e pavarësisë së Shqipërisë, për të gjithë shqiptarët, kudo që janë. Pa u ulur ende në bankën në shkollë fillore, të klasës së parë, e di që prindërit tanë, babai, e merrte lapsin dhe thoshte ‘së pari, bij, shqiponjën vizatoje’. Ka mbetur kjo tash. Edhe unë fëmijëve të mi u thosha ‘vizatojeni shqiponjën’. Me thoshin ‘ka kohë’. ‘Jo, s’ka kohë, shqiponjën duhet vizatuar së pari’ e kështu pastaj”, tha Hajdari.

Ngjashëm thotë edhe Zejnie Gashi nga Prishtina.

“Prej që ekziston populli shqiptar, flamuri kombëtar është kuq dhe zi dhe kjo e ka një domethënie të rëndësishme. Për sa të ketë jetë për të jetuar populli shqiptar, ka për të ekzistuar ky flamur”, u shpreh Gashi.

Shkumbin Goqi, po ashtu nga Prishtina, thotë se që nga shpallja e pavarësisë, në vitin 2008, Kosova ka flamurin e saj shtetëror. Sipas tij, ky flamur respektohet, por nuk e zbehë lidhjen emocionale që kanë shqiptarët për flamurin kombëtar.

“Jo, nuk e ka zbehur, sepse ky është flamur shtetëror (i Kosovës). Secili prej nesh, ma merr mendja, çdo person që din pak të logjikojë, e di që flamuri shtetëror është flamur shtetëror. E ky është flamur kombëtar dhe ai gjithmonë ka për të mbetur flamur kombëtar. E mbaj mend që kur kam lindur, që kur kam nisur të kuptoj se çfarë është kombi, çfarë është shqiptaria. Ekziston lidhja emocionale. Është flamur kombëtar që na lidh, është festë e jona”, theksoi Goqi.

Në vigjilje të festës së 28 Nëntorit, të hënën, Qeveritë e Shqipërisë dhe Kosovës kanë zhvilluar një takim të përbashkët, ku janë nënshkruar 12 marrëveshje bashkëpunimi.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG