Me arsyetimin se tavolina është e rezervuar, Urim Shala nga Fusha Kosova thotë se ka pasur rast kur i është mohuar shërbimi në një kafene të po këtij qyteti, që ndodhet rreth 7 kilometra larg Prishtinës.
Shala, 25 vjeç, i takon komunitetit ashkali dhe thotë se ngjyra e lëkurës së tij ka ndikuar që të mos e pranojnë në lokal.
“Ka diskriminim shumë, sidomos për komunitetin rom, ashkali dhe egjiptian. Me këtë, [komunitetet] përballen shumë. Pak nëse e shohin ngjyrën e zezë, nuk të pranojnë”, thotë Shala për Radion Evropa e Lirë.
Sipas tij, diskriminim i përditshëm ndaj këtyre komuniteteve vërehet shumë edhe në shërbimet e taksive të parregullta, në linjën Prishtinë - Fushë Kosovë.
“Të lënë në shi dhe nuk të marrin, të lënë në borë dhe nuk të marrin”, thotë Shala.
Një apel që ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal në Kosovë, Elbert Krasniqi, bëri më 21 nëntor, nxiti debat në media dhe rrjete sociale në lidhje me diskriminimin e komuniteteve pakicë në Kosovë.
Në një postim në Facebook, Krasniqi tha se ishte informuar që në një lokal në Gjakovë, ka pasur diskriminim në shërbim ndaj një personi, që i takon njërit prej komuniteteve joshumicë.
“Lokalet, të cilat bëjnë diferencime të tilla, duhet t’i bojkotojmë të gjithë. Personat me ngarkesa raciste nuk duhet t’i mbështesim në zhvillim të tyre”, shkroi ministri.
Reagimit më vonë iu bashkëngjit edhe Shoqata e Gastronomëve të Kosovës, duke thënë se ajo nuk i përfaqëson bizneset që bëjnë diskriminime të tilla.
Urim Shala, që edhe vetë e udhëheq një biznes të lojërave bilardo në Fushë Kosovë, thotë se bizneseve diskriminuese do të duhej t’iu ndalohej puna.
“Atij personi që diskriminon, për një muaj do t’ia merrja lejen e biznesit. Duhet t’i thuhet: Ngadalë, je në Kosovë, Kosova nuk mund të mbetet vetëm me shqiptarë, duhet të jenë të gjitha komunitetet”, thotë ai.
“Legjislatura i mbulon me ligj, mirëpo realiteti nuk është askund”
Në vitin 2015, në Kosovë ka hyrë në fuqi versioni aktual i Ligjit për mbrojtjen nga diskriminimi.
Ky ligj mbulon disa lloje të diskriminimeve, ndërsa diskriminimi i drejtpërdrejtë përkufizohet në rastet kur “një person trajtohet në mënyrë më pak të favorshme se një person tjetër, në një situatë të krahasueshme”.
Bekim Sylaj, nga Qendra Dokumentuese për Romë, Ashkalinj dhe Egjiptianë, thotë se në letër është krijuar mundësia për mosdiskriminimin e pjesëtarëve të komuniteteve joshumicë, por, sipas tij, në terren nuk ka ndërruar asgjë.
“Në qoftë se nuk fillojmë me ndëshkime, kjo dukuri do të vazhdojë kështu. Kur e prek dikë në xhep, normalisht që reagon më ndryshe”, thotë Sylaj për Radion Evropa e Lirë.
Sipas tij, diskriminimet më të shpeshta i bëjnë bizneset e gastronomisë dhe taksitë ilegale.
Institucioni i Avokatit të Popullit, sipas ligjit në fuqi, është ai që merret drejtpërdrejt me luftimin e diskriminimit. Rastet e diskriminimit duhet të raportohen në këtë institucion.
Në raportin që Avokati i Popullit ka publikuar për vitin 2020, thuhet se gjatë atij viti janë pranuar 149 ankesa nga anëtarët e të gjitha komuniteteve joshumicë në Kosovë, prej të cilave 21 kanë qenë nga komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian.
Po sipas këtij raporti, “komunitetet më të rrezikuara dhe të margjinalizuara në Kosovë janë komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian”.
Edhe në Raportin e Progresit të Komisionit Evropian për këtë vit është thënë se gjendja e këtyre komuniteteve në Kosovë është e rëndë.
“Anëtarët e këtyre komuniteteve përballen me qasje të kufizuar në ujë të pastër dhe kanalizime, pajisje mbrojtëse dhe kujdes shëndetësor, ndërsa qasja në arsim dhe punësim formal mbetet e vështirë”, është thënë në raport.
“Komunitetet kanë nisur të raportojnë më shumë për diskriminimin”
Diskriminimi në shërbime të përditshme për komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian ka qenë prezent tash e një kohë të gjatë në Kosovë, sipas Avdi Misinit, redaktor i programit të komuniteteve në Radio-Televizionin e Kosovës.
Megjithatë, ai thotë se numri i raportimeve të diskriminimit është rritur vetëm kohëve të fundit.
“Unë mendoj se kjo po ndodh për shkak të një vetëdijesimi të komuniteteve lidhur me kërkimin e të drejtave të tyre dhe përgatitjen e tyre për raportim, përmes mënyrave të ndryshme”, thotë Misini për Radion Evropa e Lirë.
Sipas Arian Vranicës, nga Shoqata e Gastronomëve të Kosovës, rasti i fundit në Gjakovë ka shpërfaqur një problem më të madh në Kosovë dhe, sipas tij, kjo nuk vlen vetëm për bizneset e gastronomisë.
“Kjo është çështje shumë e thellë që e shpërfaq një mentalitet kulturor të vendit tonë, fatkeqësisht. Ky fenomen paraqitet në të gjithë sektorët”, thotë Vranica.
Ai shton se çështja e diskriminimit etnik nuk mund të përzihet me rregullat e brendshme që mund t’i vendosë një lokal në lidhje me klientët.
“Për shembull, mund të jenë disa rregulla që jepen nga një lokal nëse flasim për kodin e veshjes, që është shumë normale”, thotë Vranica.
Urim Shala, nga Fushë Kosova, thotë se i mirëpret në lokalin e tij të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë.
“Nëse nuk ka bashkëpunim [në mes të komuniteteve], atëherë është dështim”.
Facebook Forum