Dialogu për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, është përcaktim institucional i Kosovës dhe ai nuk ka alternativë, por do të vazhdojë edhe pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në vend, që mbahen më 11 qershor, si dhe krijimit të Qeverisë së re, thonë zyrtarët e Qeverisë së Kosovës në largim dhe njohësit e zhvillimeve politike.
Edita Tahiri, ministre për Dialog e Qeverisë së Kosovës në largim, thotë për Radion Evropa e Lirë se pas zgjedhjeve parlamentare dhe formimit të ekzekutivit të ri të vendit, do të zhvillohet një proces konsultash institucionale ndërmjet Qeverisë, Presidentit dhe Kuvendit të Kosovës, lidhur me formatin e ardhshëm të dialogut, marrë parasysh që, siç thotë ajo, ky dialog do të hyjë në fazën finale.
“Tani po hyjmë në fazën finale të këtij dialogu, që lidhet me njohjen e ndërsjellë në mes të dy shteteve, sepse kështu edhe duhet të rrumbullakohet, për faktin se të dyja shtetet synojnë integrimin evropian dhe fqinjësia e mirë, është një prej kushteve kryesore. Unë besoj që do të duhej të ishte një format i spektrit të gjerë - këtu e kam parasysh pushtetin dhe opozitën - dhe në të cilin do të duhet të përfshihen të gjitha institucionet, diçka ngjashëm siç ka qenë në bisedimet e Vjenës. Kjo, për faktin se po futemi në fazën finale”, tha ministrja Tahiri.
Se dialogu me Serbinë, në fazën e ardhshme, duhet të jetë gjithëpërfshirës, vlerëson edhe politologu Ramush Tahiri.
Por, duke folur për Radion Evropa e Lirë, ai shpreh mendimin se ky format nuk duhet të jetë gjithëpërfshirës në aspektin politik, por në kuptimin profesional dhe që udhëhiqet nga Qeveria dhe ministritë përkatëse, të cilat kanë kapacitete për ta çuar procesin përpara, duke respektuar ligjin dhe Kushtetutën e Kosovës.
“Unë nuk jam për vazhdimin e deritashëm të mbështetjes politike dhe të caktimit të ekipeve të veçanta, sepse ajo kohë edhe është tejkaluar , por e shoh që është më e ngadalshme edhe si proces. Por, sidomos krijon gati pamundësi në harmonizimin e mëtejmë në Kuvend”. “Gjithashtu e shoh shumë të rëndësishme që serbët dhe komunitetet e Kosovës të jenë të përfshira në dialog, aktivisht, nga pala kosovare, sepse janë shtetas të Kosovës”, thekson politologu Tahiri.
Por, çfarë janë indikacionet lidhur me dinamikën e fazës së ardhshme të dialogut të Kosovës me Serbinë?
Ministrja Tahiri thotë se dialogu i mëtejmë nuk do të zgjasë aq sa ka zgjatur deri më tash, rreth 6 vjet. Siç thotë ajo, autoritetet e Kosovës ia kanë bërë me dije Bashkimit Evropian se faza e ardhshme e dialogut kërkohet të jetë më e shkurtë.
“Ne vazhdimisht kemi biseduar me autoritetet e Bashkimit Evropian, me Shtetet e bashkuara të Amerikës, me Gjermaninë, e cila, po ashtu, luan një rol të rëndësishëm, dhe tashmë kemi një mirëkuptim që dialogu duhet të jetë i shkurtë, dinamik dhe me rezultat. Të gjithë jemi pajtuar se nuk mund të zgjasë aq sa ka zgjatur”, u shpreh ministrja Tahiri.
Por, ndryshe mendon politologu Ramush Tahiri. Sipas tij, indikacionet flasin se faza e ardhshme e dialogut nuk do të përmbyllet për një kohë të shkurtë.
“Indikacionet janë se duket që do të zgjasë, ndoshta edhe më shumë se që ka zgjatur. Mirëpo, praktika është që të bisedohet konkretisht për tema. Unë e përkrah mendimin që temat të përcaktohen në Qeveri dhe në Kuvend dhe që pastaj, kur të bisedohet konkretisht, zgjatë më shumë ose më pak, por e rëndësishme është që kryhen temat, të cilat u interesojnë qytetarëve dhe të cilat janë në interes të shtetit të Kosovës”, vlerëson politologu Tahiri.
Sidoqoftë, ministrja Edita Tahiri ka theksuar se pranimi reciprok ndërmjet dy vendeve është caku kryesor që synohet nga Kosova në dialogun e Brukselit. Por, politologu Ramush Tahiri, vlerëson se deri në njohjen reciproke, të dyja vendet, Kosova dhe Serbia, kanë nevojë t’i rregullojnë marrëdhëniet në secilin segment.
Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, për çështje teknike, ka nisur në mars të vitit 2011. Në fund të vitit 2012 ka nisur dialogu politik ndërmjet kryeministrave të të dy vendeve.
Gjatë këtij viti, dialogu ka shënuar rënie për shkak se në muajin prill në Serbi janë mbajtur zgjedhjet presidenciale. Aktualisht, Kosova gjendet para zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, që do të mbahen më 11 qershor.