Ndërlidhjet

Deputetët e VMRO DPMNE-së do të përgjigjen për dhunën e 27 prillit


Dhuna e 27 prillit në Kuvendin e Maqedonisë.
Dhuna e 27 prillit në Kuvendin e Maqedonisë.

Këshilli i Gjykatës Penale e Shkupit në mbledhjen e saj të premten ka pranuar akuzën për dhunën e 27 prillit të vitit të kaluar në Kuvendin e Maqedonisë, duke dhënë dritën e gjelbër që 30 personat e akuzuar për këtë rast, të gjykohen për veprën “terrorizëm dhe kërcënim i rendit kushtetues”, përveç deputetes Zhaklina Peshevska, e cila u lirua nga akuzat në mungesë provash.

Me këtë, ngjarjet e dhunshme të 27 prillit pritet të marrin epilog gjyqësor.

Lidhur me ngjarjet e dhunshme më 27 prill akuzohen gjithsej 30 persona për veprën “terrorizëm dhe kërcënim i rendit kushtetues”, në mesin e të cilëve janë dhe pesë deputetë të VMRO DPMNE-së, Krsto Mukoski, Ljuben Aranudov, Johan Tarkulovski, Sasho Vasilevski dhe Lupço Dimovski, si dhe ish-drejtori i Byrosë për Sigurinë Publike, Mitko Çavkov, i cili njëherësh ka qenë dhe ministër i Punëve të Brendshme.

Xhelal Neziri, njohës i çështjeve politike, thotë për Radion Evropa e Lirë se me vendimin e së premtes të Gjykatës Penale përçohet një mesazh i qartë drejt elitës politike se askush nuk mund të jetë mbi ligjin.

“Mendoj se kjo është një porosi e qartë, e cila dërgohet për herë të parë në Maqedoni, se nuk do të ketë politikan, i cili mund të vendosë mbi ligjin. Mendoj se ky është dhe qëllimi kryesor i reformave, të cilat imponohen nga Brukseli zyrtar që ligjet në Maqedoni të vlejnë njëlloj për të gjithë dhe jo siç ishte deri më tani, persona të caktuar të jenë të paprekshëm nga ligji”.

“Pra, përçohet një sinjal i qartë te të gjithë ata që bartin poste politike dhe të cilët kanë një lloj imuniteti se në rast të shkeljes së ligjeve, në rast të dhunimit të rendit ligjor dhe kushtetues, një ditë do të jenë të detyruar të përballen me drejtësinë”, thotë Neziri.

* Video më poshtë: Pamje nga dhuna e 27 prillit në Kuvendin e Maqedonisë
Shkup: Deputetët përgjaken nga protestuesit
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:01:00 0:00

Nga Prokuroria kanë bërë të ditur se tashmë është gjetur organizatori si dhe nxitësi i ngjarjeve të dhunshme, pa e saktësuar se kush është ai dhe funksioni që ka bartur, si dhe rolin konkret që ka pasur më 27 prill.

Nga ana tjetër, Margarita Caca Nikollovksa, ish-gjykatëse në Gjykatën për të Drejtat e Njeriut në Strasburg, thotë për Radion Evropa e Lirë se pas kësaj, përkatësisht me uljen në bankë të të akuzuarve, të ish-ministrit të Punëve të Brendshme dhe 5 deputetëve të VMRO DPMNE-së, me rëndësi të veçantë është që llogari të japin dhe autorët që kanë urdhëruar ngjarjet e dhunshme në Kuvend më 27 prill të vitit të kaluar dhe vetëm atëherë drejtësia do të vihet në vend.

“Mendoj se në këtë situatë është me rëndësi të zbulohen të gjithë ata që urdhëruan ngjarjet e dhunshme. Pas kësaj, gjatë realizimit të procedurës gjyqësore, inkurajohen hetuesit që të zbulojnë gjurmët e atyre që urdhëruan ushtrimin e dhunës në Parlament".

"Pos që duhet të përgjigjen personat që tanimë janë ulur në bankën e të akuzuarve, si persona që kanë ushtuar dhunë, gjykata obligohet të zbulojë se kush janë ata që urdhëruan ushtrimin e dhunës dhe këtë duhet ta zbardhin në forma të ndryshme dhe vetëm atëherë mund të themi se drejtësia është vendosur. Në të kundërtën, i gjithë procesi do të jetë i palogjikshëm”, vlerëson Nikollovska.

Ndryshe, më 27 prill 2017 një grup i protestuesve ithtarë të VMRO DPMNE-së me forcë u futën në Kuvendin e Maqedonisë, me ç’rast ushtruan dhunë ndaj deputetëve e opozitës së atëhershme, Lidhjes Socialdemokrate të kryeministrit të tanishëm, Zoran Zaev.

Ndërsa, lëndime të rënda trupore mori lideri i Aleancës për Shqiptarët, Zijadin Sela.

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG