Ndërlidhjet

Kuvendi nën kontroll të policisë, Zaev kërkon formimin e qeverisë


Një ditë pas kaosit në Parlamentin e Maqedonisë
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:01:14 0:00

Një ditë pas kaosit në Parlamentin e Maqedonisë

Ministria e Punëve të Brendshme ka bërë publike se pas ngjarjeve të djeshme dhe trazirave 83 persona kanë kërkuar ndihmë mjekësore në spitalet e Shkupit, nga të cilët 54 qytetarë, 25 policë dhe 3 deputetë e një gazetar.

Shumica e të lënduarve janë lëshuar nga spitalet, ndërkaq disa dhjetëra janë mbajtur për shërim, për shkak të lëndimeve më serioze.

Ministria bëri me dije se janë arrestuar 8 persona të cilët kanë ushtruar dhunë në Parlamentin e Maqedonisë dhe ata po mbahen në stacion policor.

Ministri i Punëve të brendshme i Maqedonisë, Agim Nuhiu, tha se një pjesë e strukturave udhëheqëse të dikasterit të policisë nuk e kanë kryer punën si duhet dhe për këtë duhet të bartin përgjegjësi.

“Kontrolli i brendshëm pranë MPB-së do të kërkojë përgjegjësi ndaj të gjithëve që nuk kanë vepruar në bazë të kompetencave përfshirë edhe anëtarët dhe udhëheqësit e shtabit operativ. MPB-ja është institucion që duhet ta garantojë rendin publik dhe jo të jetë institucion nën ndikimin e strukturave politike”, tha ministri Nuhiu.

Nuhiu tha se një pjesë e drejtuesve të dikasterit të policisë nuk kanë vepruar në bazë të ligjeve për të ruajtur qetësinë dhe rendin, por kanë vepruar në bazë të urdhërave që kanë marrë nga qendrat politike.

Megjithatë, Agim Nuhiu tha se pjesa më e madhe të punësuarve në dikasterin e policisë janë profesionistë me ndihmën e të cilëve situata është vënë nën kontroll.

Ministri Nuhiu tha se të gjithë ata të punësuar që kanë tejkaluar kompetencat, do të përgjigjen para organeve të drejtësisë.

“Apelojmë tek Prokuroria Publike që në mënyrë aktive të inkuadrohet dhe në afat sa më të shpejtë t’i zgjidhim këto çështje. Dua të theksoj se jam i dëshpëruar se një pjesë e protestuesve nuk lejuan që ndihma e parë të hyjë në Kuvend dhe t’u ofrojë ndihmë të lënduarve. Kjo është jo-njerëzore” ,tha ministri i Punëve të Brendshme i Maqedonisë.

Ai tha se për periudhën katër mujore sa është në krye të këtij institucioni, ndjen përgjegjësi se nuk ka arritur të mënjanojë politikën nga struktura udhëheqëse në MPB.

“Për këtë arsye do të kërkojë tërheqjen time nga posti i ministrit të brendshëm“, ka theksuar ministri Nuhiu.

Zaev: Kemi zgjedhur kryetarin e Kuvendit, vazhdojmë me institucionet tjera

Lideri i Lidhjes Social Demokrate Zoran Zaev, i cili kryeson shumicën e re parlamentare zgjedhjen e kryetarit të ri të parlamentit, edhe pwrkundwr zhvillimeve të dhunshme në këtë institucion gjatë ditës së djeshme, e ka cilësuar si njw hap shumw të rëndësishëm për proceset demokratike

“Kemi bërë një hap të madh në proceset demokratike, sipas shumicës parlamentare. Kemi bërë hapin e parë me zgjedhjen e kreut të Kuvendit dhe do të vazhdojmë me formimin e institucioneve tjera. Uroj Xhaferin dhe e përkujtoj se e mbështesim fuqishëm”, ka theksuar lideri I social demokratëve.

Duke komentuar zhvillimet e dhunshme në parlament, me c`rast njw pjesë e protestuesve kishin sulmuar deputetët e shumicës parlamentare, ne mesin e të cilëve ishte dhe ai, Zaev tha se dhunuesit ishin pjesëtar të policisë dhe disa të tjerë i cilësoi si banditë që kishin për qëllim likuidimin e tij.

Lideri i LSDM-së tha se nuk do t’i përgjigjet ftesës së Ivanovit, duke e bërë përgjegjës për atë që ndodhi në Parlamentin e Maqedonisë gjatë ditës së djeshme.

Në formë ironike Zaevpyeti se ku do të duhej të mbahet takimi. “Sipas të gjitha gjasave në qendrën klinike sepse veprimet e Ivanovit bënë që kryetarët e partive të marrin lëndime serioze trupore”, duke treguar fashat me të cilat kishin lidhur plagët një pjesë e deputetwve që qëndronin pas tij dhe duke theksuar se lideri i LR PDSH, Zijadin Sela ende është i shtrirë në spital.

Ngjarjet e dhunshme në parlamentin e Maqedonisë i ka dënuar dhe lideri i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti.

Nga Tetova ai ka bërë thirrje për gjakftohtësi dhe njëherësh ka kërkuar që problemi intra etnik politik të mos shndërrohet në problem ndër etnik.

“Me këtë rast apeloj tek të gjithë qytetarët në RM që të ruajnë gjakftohtësinë, urtësinë dhe në veçanti tek shqiptarët që ky problem nga intra-etnik mos të shndërrohet në problem ndër-etnik. Por siç ka filluar si problem politik, me mjete politike të zgjidhet dhe të marrë drejtimin duhur drejt konstituimit të institucioneve të shtetit”, ka thënë Ahmeti.

Ndryshe, përpara Parlamentit të Republikës së Maqedonisë situata duket se është e qetë ndërkohë që në derën kryesore hyrëse të Parlamentit vazhdojnë të qëndrojnë dhjetëra protestues të cilët mbrëmë kanë ngritur tenda.

Ndërkohë që rreth godinës së parlamentit ku janë vendosur barrikada metalike për të bllokuar qarkullimin e qytetarëve vërehet prania e përforcuar e forcave speciale të policisë të cilët kanë mbërritur nga shumë qytete të Maqedonisë.

Shërbimi për informim i Parlamentit të Maqedonisë ka njoftuar se protestuesit të cilët dje kanë hyrë në këtë institucion kanë shkaktuar dëme të mëdha materiale në disa pjesë të kësaj godine përderisa një pjesë e hapësirave për punë, qendra për konferencë për shtyp, por edhe salla “Maqedonia” janë jashtë përdorimit.

Nga ky institucion njoftojnë se po bëhen përpjekje maksimale për të kthyer në gjendje normaliteti këtë institucion.

Kryetarja e komitetit të Helsinkit në Shkup Uranija Pirovska, për Radion Evropa e Lirë ka thënë se pjesë e inskenimit të dhunës në Parlamentin e Maqedonisë janë dhe forcat policore të cilat kanë lejuar hyrje të papenguar të protestuesve në Kuvend.

Piroska thotë se madje personat e maskuar janë orientuar nga policia se në cilën pjesë kanë qenë të vendosur deputetët të cilët më pas i kanë sulmuar fizikisht persona të maskuar.

Ndryshe, gjatë ditës së djeshme qindra protestues në organizim të iniciativës për ‘Maqedoni të përbashkët’, kanë hyrë në Parlamentin e Maqedonisë dhe kanë sulmuar deputetët e shumicës së re parlamentare pasi ata paraprakisht në një situatë të tensionuar zgjodhën kryetarin e ri këtij institucioni ligjvënës.

LSDM fajëson Gruevskin për orkestrim të dhunës në Maqedoni

Proceset demokratike në Maqedoni do të vazhdojnë pavarësisht dhunës së shfrenuar ndaj përfaqësuesve të zgjedhur në Kuvend nga Nikolla Gruevski dhe grupi i ngushtë rreth tij, thuhet në reagimin e LSDM-së, partisë së Zoran Zaevit.

Protestuesit shpërndahen me bombola gazi
Ju lutem prisni
Bashkëngjite

No media source currently available

0:00 0:00:56 0:00

Gruevski, sipas LSDM-së, shpëtimin e vetëm e sheh në nxitjes e dhunës, pasigurisë dhe destabilizimit të vendit.

“Askush nuk mund të pengojë besimin dhe vullnetin e qytetarëve të Maqedonisë për jetë, drejtësi dhe përcaktimin euroatlantik të Maqedonisë. Prioritet kryesor i qytetarëve mbetet realizimi i vullnetit të shumicës së qytetarëve i shprehur në zgjedhje të besueshme dhe transferimit të pushtetit, në përputhje me kushtetutën, rregulloren dhe ligjet e Maqedonisë”, thuhet në komunikatën me shkrim.

“Institucionet duhet ti marrin të gjitha masat e nevojshme për mbrojtjen e interesave shtetërore dhe të qytetarëve. Ftojnë qytetarët të jetë të qetë dhe të mos bien në provokim të sajuara nga regjimi përmes të cilave, Nikolla Gruevski dhe grupi i ngushtë i krimineleve rreth tij dëshirojnë të provokojnë dhunë dhe pasiguri, pasi nga kjo e shohin shpëtimin e vetëm”, thuhet në reagimin e LSDM-së.

Kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev, e ka refuzuar ftesën për takim të presidentit të Maqedonisë, Gjorge Ivanov, për të diskutuar zgjidhjen paqësore të krizës së re në vend, të shkaktuar pas hyrjes në Kuvend të protestuesve maqedonas që kanë sulmuar deputetët dhe gazetarët.

Të paktën 100 persona u lënduan, në mesin e tyre edhe lideri Social Demokrat Zaev dhe një numër deputetësh të partisë së tij dhe partive të tjera shqiptare, gjatë dhunës së përdorur nga protestuesit.

Në mesnatën mes së enjtes dhe të premtes, njësitet speciale të policisë së Maqedonisë kanë arritur të largojnë nga godina e Parlamentit, protestuesit maqedonas të cilët u futën me dhunë brenda, me ç`rast kanë sulmuar fizikisht deputetët e shumicës së re parlamentare.

Shkup: Deputetët përgjaken nga protestuesit
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:01:00 0:00

Qindra qytetarë maqedonas nën organizim të Iniciativës “për Maqedoni të përbashkët”, të enjten pak pas orës 18:00 u futën me dhunë në Parlamentin e Maqedonisë pasi paraprakisht shumica e re parlamentare e përbërë nga Lidhja Social Demokrate e Maqedonisë, Bashkimi Demokratik për Integrim dhe Lëvizja për Reforma, në një situatë të tensionuar zgjodhën Talat Xhaferin për kryetar të ri të Parlamentit të Maqedonisë.

Policia ndalon protestuesit

Dikasteri i policisë ka bërë të ditur se gjatë natës së enjte ka ndaluar disa protestues të cilët kanë ushtruar dhunë në parlamentin e Maqedonisë duke nënvizuar se gjatë ditës së premte, do të informojnë për numrin e saktë të personave të ndaluar.

Nga ky dikaster gjithashtu kanë bërë të ditur se janë evakuar të gjithë deputetët dhe gazetarët të cilët mbetën të ngujuar pas hyrjes me dhunë të protestuesve, të cilët më pas janë dërguar në Spitalin e Qytetit ku kanë marrë dhe ndihmën e parë mjekësore.

Zoran Zaev i përgjakur nga protestuesit maqedonas.
Zoran Zaev i përgjakur nga protestuesit maqedonas.

Protestuesit përkrahës të VMRO DPMNE-së i kanë shkaktuar lëndime serioze trupore liderit të Lëvizjes për Reforma të Partisë Demokratike Shqiptare, liderit Social Demokrat, Zoran Zaev ndërkohë që e kanë tërhequr zvarrë dhe deputeten e LSDM-së Radmilla Shekerinska.

Nga partia e Zijadin Selës, Arben Taravari për Radion Evropa e Lirë ka thënë se zoti Sela mbetet nën përkujdesjen intensive të mjekëve përderisa gjendja e tij është stabile dhe jashtë rrezikut për jetë.

Dikasteri i policisë përmes një komunikate për mediat ka bërë të ditur se mbi 100 persona kanë kërkuar ndihmë mjekësore. Në Spitalin e Qytetit që ndodhet përballë Kuvendit, ndihmë mjekësore kanë kërkuar gjithsej 70 qytetarë, 22 policë dhe 3 deputetë.

Gjithashtu, në kazermën në Gjorqe Petrov, ndihmë mjekësore kanë kërkuar edhe 7 qytetarë të tjerë.

Policia ka përdorur bomba ç'orientuese për t'i larguar protestuesit nga godina e parlamentit.

Protestuesit nën tenda.
Protestuesit nën tenda.

Pas kësaj, një pjesë e protestuesve vendosën tenda para godinës së parlamentit për ta kaluar aty natën, siç kanë thënë, në mbrojtje të Parlamentit të Maqedonisë.

Gruevski: Situatën e dhunshme e prodhoi sjellja e liderit të LSDM-së

Lideri i VMRO DPMNE, Nikolla Gruevski, në orët e hershme të mëngjesit ka theksuar se VMRO DPMNE nuk ka asnjë lidhje me dhunën e ushtruar.

Ai u ka bërë thirrje oganeve përkatëse që sa më shpejtë të ndriçojnë rastin në fjalë, ndonëse për dhunën e ushtruar në Parlament ka fajësuar LSDM-në.

“E dënoj mënyrën se si Lidhja Social Demokrate e Maqedonisë dhe partitë e tjera që e mbështesin vendosën që të përpiqen që në mënyrë joligjore të zgjedhin kryetar të Parlamentit të Maqedonisë duke i shkelur në formë eklatante të gjitha procedurat ligjore dhe demokratike dhe me vetëdije kontribuan në rritjen e tensioneve dhe polarizimin e shoqërisë sonë”, ka theksuar Gruevski.

Ai tha se duhet të mbështetet iniciativa e presidentit të shtetit Gjorgje Ivanov pë realizimin e një takimi mes liderëve të partive kyesore politike për gjetjen e një zgjidhjeje për kapërcimin e situatës së krizës së thellë politike.

Por, kryetari i porsazgjedhur i Parlamentit të Maqedonisë, Talat Xhaferi, tha se grusht-shtet ka bërë pikërisht VMRO DPMNE duke i mbajtur të uzurpuara institucionet.

“S'do mend se populli nuk mund të jetë puçist. Puçist janë ata të cilët për aq kohë të gjatë i kanë uzurpuar institucionet dhe nuk lejonjnë të konsolidohen organet e parlamentit”, ka theksuar kryetari i Parlamentit të Maqedonisë Talat Xhaferi.

LSDM e Zoran Zaevit: Dhuna e përgjakshme nga regjimi në shpërbërje i Gruevskit

Edhe Lidhja Social Demokrate e Maqedonisë e drejtuar nga Zoran Zaevi përmes një komunikate për mediat në mbrëmjen e së enjtes u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve që të ruajnë gjakftohtësinë dhe mos t'u përgjigjen provokimeve dhe skenarëve të ndryshme të dhunshme.

“Në momentet kur një nga sfidat më të mëdha në historinë e Maqedonisë, në dhunë të përgjakshme e nxitur nga regjimi në shpërbërje i Nikolla Gruevkit, LSDM bën thirrje për t'u përmbajtur në mënyrë maksimale nga çdo qytetar pa dallime. Bëjmë thirrje që të qëndroni të qetë dhe të mos bini pre e skenarëve të dhunshme dhe provokimeve të Nikolla Gruevskit dhe grupit të tij të ngushtë kriminal".

"Regjimi nuk do të mund t'i ndalojë më proceset demokratike. Shumica parlamentare tani do të realizojë vullnetin e qytetarëve për një Maqedoni demokratike dhe funksionimin e shtetit të së drejtës”, theksohet në komunikatën për media të LSDM-së.

Edhe partitë politike shqiptare i kanë bërë thirrje popullatës që të ruajnë gjakftohtësinë dhe të mos bëhen pre e provokimeve.

BE dhe SHBA e kanë përshëndetur zgjedhjen e kryetarit të parlamentit ndërkohë kanë dënuar ashpër dhunën.

Zgjedhjen e Talat Xhaferit për kryetarit të ri të Kuvendit e kanë përshëndetur faktori ndërkombëtar, duke e dënuar ashpër dhunën e ushtruar në Parlamentin e Maqedonisë nga ana e përkrahësve të VMRO DPMNE-së. (REL)

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG