Ndërlidhjet

Shqipëri: Arrestohet ish-deputeti i PS-së nën dyshime për shitje të sekreteve shtetërore


Kuvendi i Shqipërisë. Fotografi ilustruese nga arkivi.
Kuvendi i Shqipërisë. Fotografi ilustruese nga arkivi.

Ish-deputeti i Partisë Socialiste në Shqipëri (PS), Jurgis Çyrbja, është arrestuar dhe po hetohet për tri vepra penale. Ai u arrestua mbrëmjen e 20 tetorit, ndërsa ditë më parë kishte hequr dorë nga mandati i deputetit, sipas tij, për arsye shëndetësore.

Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit (SPAK) njoftoi se Çyrbja dyshohet për “tregim të sekretit shtetëror" më tepër se një herë, “përkrahje të autorit të krimit” dhe “korrupsion aktiv në zgjedhje”.

Hetimet ndaj ish-deputetit dhe bashkëpunëtorëve të tij janë realizuar në bashkëpunim me autoritetet evropiane të drejtësisë dhe Byronë Kombëtare të Hetimit, tha SPAK-u. Ndër provat e administruara në dosje janë dhe aktet e dërguara nga autoritetet franceze të drejtësisë, ndërsa personat e përfshirë në këtë aktivitet të paligjshëm kriminal kanë komunikuar ndërmjet tyre edhe me anë të aplikacionit “Sky Ecc”.

SPAK-u tha se funksionarë publikë – që deri tani nuk janë të identifikuar – kanë zbuluar sekrete shtetërore dhe kanë vënë në dijeni ish-deputetin. Këto të dhëna Çyrbja ja i ka dërguar përmes aplikacionit të enkriptuar “Sky Ecc” disa personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar.

Gjithashtu bëhet e ditur se ish-deputeti socialist ishte vënë në dijeni të disa operacioneve të Policisë së Shtetit lidhur me kontrollet që do zhvilloheshin në zonën e Durrësit, për arrestimin e personave të shpallur në kërkim dhe ka dekonspiruar aksionet. Përmes këtij informacioni, personat e përfshirë në veprimtari të paligjshme janë fshehur dhe kanë arritur t'i shpëtojnë arrestimit, tha SPAK-u.

SPAK-u nënvizon se veprat penale për të cilat dyshohet, Çyrbja i ka kryer gjatë kohës që ka qenë deputet i Kuvendit të Shqipërisë.

"I hetuari për shkak të funksionit të tij si deputet i ka ofruar favorizime të ndryshme të hetuarit të shpallur në kërkim ndërkombëtar, A.H., duke ndërhyrë në agjenci të ndryshme të zbatimit të ligjit në Shqipëri, me qëllim favorizimin e tij apo të lidhjeve të ngushta familjare e shoqërore, duke konsumuar elementët e veprës penale ‘korrupsioni aktiv në zgjedhje’”, u tha në njoftim.

Në këmbim të këtyre favoreve të siguruara nga ish-deputeti, personi i shpallur në kërkim, sipas autoriteteve, siguronte votues në funksion të mbështetjes së tij si kandidat për deputet në Qarkun e Durrësit.

Me kërkesë të SPAK-ut, policia arrestoi ish-deputetin dhe një bashkëpunëtor të tij, ndërsa personi i shpallur në kërkim që prej janarit të vitit 2020, me inicialet A.H., nuk është arritur të arrestohet.

Policia ka kryer kontrolle në banesat e tyre dhe ka sekuestruar pesë telefona celularë, një hard disk të jashtëm, një pajisje regjistrimi në formë pakete, si dhe 1.100 euro e disa dokumente pronësie.

SPAK-u tha se hetimet vazhdojnë me administrimin e provave sa i përket implikimit të personave të tjerë, që dyshohet se janë të përfshirë në këtë veprimtari të paligjshme kriminale.

Jurgis Çyrbja ishte në fund të mandatit të dytë si deputet i Partisë Socialiste nga Qarku i Durrësit. Ai e dorëzoi mandatin një ditë pasi u thirr nga SPAK-u, duke deklaruar se mori këtë vendim për arsye shëndetësore.

Opozita e pati akuzuar Çyrbjen si person të lidhur me bandat kriminale, që kur ai u zgjodh deputetet në mandatin e parë në vitin 2017. Pas arrestimit të tij, kryetari i Partisë Demokratike në opozitë, Sali Berisha deklaroi se të gjitha akuzat e opozitës u provuan dhe kërkoi dorëheqjen e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama. Ai kritikoi SPAK-un duke thënë se në vend që të dërgonte dosjen e ish-deputetit të PS-së në Kuvend, i kërkou atij të jepte dorëheqjen.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG