Ndërlidhjet

Deputetë të opozitës në Shqipëri djegin ulëset, pas dënimit të deputetit të PD-së


Karrige të djegura para Kuvendit të Shqipërisë nga deputetët e opozitës më 30 shtator 2024.
Karrige të djegura para Kuvendit të Shqipërisë nga deputetët e opozitës më 30 shtator 2024.

Deputetë të opozitës në Kuvendin e Shqipërisë nxorrën jashtë sallës karriget e tyre dhe u vunë flakën. Ky veprim erdhi pasi Partia opozitare Demokratike vendosi se, pas dënimit të deputetit Ervin Salianji, nuk do të mbajë marrëdhënie normale me qeverinë e drejtuar nga Partia Socialiste.

Në fillim të seancës, kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, njoftoi ndërprerjen e mandatit për deputetin Ervin Salianji, pas dënimit nga Gjykata e Apelit me një një vit burgim për akuzën “kallëzim i rremë”.

Apeli la në fuqi vendimin që kishte dhënë Gjykata e Shkallës së Parë, për rastin e një audio-përgjimi, ku pretendohej se vëllai i ish-ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj, ishte përfshirë në trafikim droge.

Sipas prokurorisë, biseda ishte e sajuar dhe Salianji ishte përfshirë në “krijimin e provave të rreme për të dëmtuar politikisht ministrin Fatmir Xhafaj”.

Pas këtij njoftimi, deputetët e opozitës bllokuan foltoren dhe më pas i nxorrën karriget e tyre para objektit të Kuvendit, ku u vunë flakën.

Të pyetur nga gazetarët nëse ky veprim nënkupton djegien e mandateve, kreu i grupit të deputetëve të PD-së, Gazmend Bardhi, tha se kjo nuk do të ndodhë.

“Rama ka djegur parlamentin, ndërsa ne dorëzojmë karriget tona dhe i djegim. Djegien e mandateve e bëri kush e bëri dhe ishte shmangie nga beteja. Ne nuk shmangemi nga beteja, do na kenë përballë në çdo moment që tentojnë t’i mbyllin gojën opozitës,” tha ai.

Pas djegies së karrigeve, deputetët e opozitës u kthyen sërish në sallën e Kuvendit dhe mbajtën të bllokuar foltoren. Seanca fillimisht u ndërpre dhe më pas u mbyll.

“Ne nuk e pranojmë planin ogurzi për eliminimin e opozitës që ka nisur me arrestimin e Berishës dhe me burgosjen e Salianjit”, tha Arben Gjekmarkaj, nënkryetar i Kuvendit, deputet i PD-së, duke paralajmëruar një protestë.

Deputetët demokratë thanë se çdo seancë parlamentare do ta ketë të njëjtin përfundim.

Gjatë seancës të së hënës, Kuvendi njoftoi se për shkak të zbatimit të vendimit të formës së prerë ndaj zotit Salianji, mandati i deputetit do t’i kalojë personit në radhë në listat e Partisë Demokratike.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG