Drama politike e krijuar me ratifikimin e Marrëveshjes për Demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, po reflekton në punën e përgjithshme të Kuvendit të Kosovës. Sipas përfaqësuesve të shoqërisë civile, mungesa e vendimmarrjes në lidhje me demarkacionin, ka bllokuar edhe shumë procese e çështje të rëndësishme për vendin, të cilat nuk po arrijnë të futen në procedurë.
Analisti Albert Krasniqi nga Instituti Demokratik i Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë, se Marrëveshja e Demarkacionit me Malin e Zi jo vetëm që ka bllokuar procesin e liberalizimit të vizave, por sipas tij, ajo dhe vetë politikanët kanë paralizuar shumë procese të rëndësishme duke mos miratuar ligje të nevojshme.
"Çështja e demarkacionit e ka dëmtuar punën e Kuvendit më së shumti dhe kësisoj kanë mbetur mbrapa disa prej çështjeve, po ashtu të rëndësishme për vendin. Mund të përmendim këtu reformën zgjedhore, e cila ka nisur prej vitit 2011, e asnjëherë nuk është arritur të përfundojë dhe si pasojë e kësaj, sot ka politikanë që marrin pozita publike, e të cilët kanë garuar në zgjedhje duke pasur vepra penale", thotë Krasniqi.
Ligjet si ai për financimin e partive politike, ligji për Prishtinën, ai për sigurimet shëndetësore edhe shumë të tjera kanë mbetur të pamiratuara apo që kërkohet të amendamentohen. Krasniqi thekson se janë mbi 50 ligje, të cilat janë duke pritur për t’u shqyrtuar në Kuvendin e Kosovës, por, sipas tij, aty po zhvillohen debate për politika ditore.
"Qeveria është shumë më aktive sidomos në hartimin e ligjeve, mirëpo ato ligje kur po sillen në Kuvend, ky institucion për shkak të një debati të madh që e bën aty dhe të politikave ditore [ato debate] nuk kanë efekt në jetën qytetarëve, janë më shumë për një konsumim të brendshëm dhe politika populiste", vlerëson Krasniqi.
Partitë politike të përfaqësuara në Kuvendin e Kosovës, duhet ta kuptojnë rëndësinë e miratimit të ligjeve në kohë thotë edhe Ariana Qosaj-Mustafa, drejtore e programit dhe hulumtuese e lartë në Institutin Kosovar për Kërkime dhe Zhvillime të Politikave.
"Marrja e vendimeve, po edhe ligjet të cilat janë të rëndësishme për jetën e qytetarëve janë shtyrë për shkak të proceseve... edhe ne jemi mësuar në Kosovë që për shkak të proceseve të tilla të natyrës politike, të mos merren me realitetin. Për shembull, ligji mbi sigurimet shëndetësore, ju e dini qe sa kohë pritet të amendamentohet edhe të kemi më në fund sigurime. Kjo çështje dhe të tjera shtyhen për shkak se gjithmonë merremi me çështje të tjera që konsiderohen ndoshta prioritet, natyrisht që janë, por që nuk sjellin benificione direkt për qytetarët", thotë ajo.
Qosaj - Mustafa konsideron se institucionet e Kosovës kanë humbur dhe po vazhdojnë të humbin shumë kohë për Marrëveshjen e Demarkacionit me Malin e Zi, që sipas saj, këto veprime janë të gabueshme.
"Krahas demarkacionit është dashur të punohet edhe në procese të tjera. Definitivisht, një orientim i zgjatur dhe ky orientim ka ndikuar në mossjelljen e vendimeve të tjera e të rëndësishme për qytetarët", thekson ajo.
Legjislaturën e gjashtë të Kuvendit të Kosovës që nga konstituimi, e ka përcjellë zvarritje të shumta dhe ndërprerje të herëpashershme të punës.
Valmir Ismaili, analist nga organizata joqeveritare “Demokracia Plus”, thotë për Radion Evropa e Lirë, se legjislatura e tanishme duket e njëjtë si edhe ajo e kaluara ku vëmendje nuk po u jepet çështjeve, të cilat i preokupojnë qytetarët.
"Kuvendi kryesisht po merret me disa tema, nëse mund t'i quajmë ‘të mëdha’, mirëpo që nuk kanë kurrfarë ndikimi në jetën e qytetarëve, por që po ju shërben si material i mirë politikanëve për të bërë më shumë politikë sesa politikë-bërje në jetën publike të Kosovës. Demarkacioni nuk është çështje e parëndësishme, por është humbur shumë kohë me të", thekson Ismaili.
Ai, madje, shpreh mendimin se gjendja e krijuar në Kuvend po iu përgjijget edhe vetë deputetëve.
"Ndoshta kjo po ju përshtatet deputetëve për arsye se për të diskutuar për projektligje të ndryshme, ata duhet të jenë të përgatitur mirë për çështje, të cilat do t'i kenë në tavolinë, përderisa për çështjet si tema e demarkacionit aty më tepër po ka folklorizëm dhe patriotizëm nëse mund ta quajmë të tillë sesa që ka diskutim thelbësor", deklaron Ismalili.
Deputetët e Kuvendit të Kosovës të legjislaturës së gjashtë, nga seancat e mbajtura kanë miratuar vetëm shtatë ligje, kurse në komisionet parlamentare janë grumbulluar 52 projektligje, të cilat presin shqyrtim.
Facebook Forum