Ndërlidhjet

Pasiguria rreth demarkacionit


Territori ndërmjet Kosovës e Malit të Zi
Territori ndërmjet Kosovës e Malit të Zi

Pavarësisht faktit se për të martën është caktuar për herë të katërt këtë vit seanca për ratifikimin e Marrëveshjes së demarkacionit të kufirit me Malin e Zi, dilemat mbesin akoma nëse janë siguruar votat e nevojshme për kalimin e saj.

Koalicioni pretendon se i ka pikërisht 80 vota për ratifikimin e marrëveshjes, aq sa është kufiri më i ulët i mundshëm, por i mjaftueshëm. Por, tani, janë ngritur edhe shqetësime nëse të martën, ndonjëri prej deputetëve, sidomos nga radhët e partive që janë deklaruar se do ta mbështesin marrëveshjen, do të mungojë në seancë - me çka do të pamundësonte ratifikimin e marrëveshjes.

Partia Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Nisma Socialdemokrate, Aleanca Kosova e Re dhe partia politike opozitare Lidhja Demokratike e Kosovës tashmë kanë arritur një konsensus për votimin e demarkacionit.

Por, të gjitha së bashku nuk e mbërrijnë dot numrin prej 80 votave të nevojshme për ratifikim. Andaj, ato janë në pritje të reflektimeve edhe nga deputetë të caktuar nga Lëvizja Vetëvendosje, Grupi i Deputetëve të Pavarur (që është shkëputur nga grupi i Vetëvendosjes) dhe ata të Listës Serbe.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, nuk ka reflektuar shumë optimizëm nëse janë siguruar votat e mjaftueshme për ratifikimin e marrëveshjes, por më tepër është përqendruar në sensibilizimin e deputetëve.

Haradinaj i ka ftuar deputetët që të votojnë për ratifikimin e demarkacionit.

Ai tha se mungesa e një deputeti të vetëm në seancën e së martës, mund të ndikojë në vazhdimin e izolimit të Kosovës, ngase Komisioni Evropian e ka bërë të qartë se ratifikimi i demarkacionit është kusht i domosdoshëm për liberalizimin e vizave.

Mungesa e një deputeti atë ditë, është porosi për ta mbajtur Kosovën në izolim”, theksoi kryeministri Haradinaj.

“Po dëgjoj plot deputetë që thonë se çka duhet të bëjë Qeveria nëse votohet apo nuk votohet ligji për demarkacionin. E unë po e shtroj pyetjen, se çka duhet të bëjnë ata deputetë që bëhen shkaktarë për moskalimin e këtij ligji, i cili e ndal izolimin e vendit dhe respekton tërësinë territoriale”, tha Haradinaj.

Ai ka konfirmuar po ashtu se deri më tani nuk është arritur ndonjë marrëveshje me deputetët e Listës Serbe që ta votojnë marrëveshjen e demarkacionit.

Nga ana tjetër, zëvendëskryeministri i Kosovës, Dalibor Jevtiq, ka thënë për mediet serbe se Lista Serbe nuk ka interesim për temën e demarkacionit të kufirit ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi. Jevtiq ka theksuar po ashtu se ka pasur edhe presione nga bashkësia ndërkombëtare që ta votojnë këtë marrëveshje.

Analisti politik, Artan Muhaxhiri, thirrjen e seancës pa u siguruar numri i saktë i votave e sheh si diçka joserioze.

"Nëse ndodh edhe një herë kjo, që të mos ketë vota, atëherë do të ishte një gjë e tmerrshme, një gjë e turpshme. Do të ishte një vazhdim i lojës së deritanishme me ndjenjat e qytetarëve, me pritjet e tyre, që do të ishte absolutisht e pafalshme", tha Muhaxhiri.

Sipas tij, tashmë është koha e fundit që institucionet e Kosovës të mendojnë drejt për të ardhmen e qytetarëve dhe mundësinë e lëvizjes së lirë të tyre në vendet e Bashkimit Evropian.

"Edhe limitet e Bashkimit Evropian janë duke shkuar drejt fundit dhe nëse nuk miratohet të martën, do të ketë probleme të mëdha procedurale që të liberalizohen vizat gjatë këtij viti", tha Muhaxhiri.

Gjatë këtij viti, në tri raste Kuvendi i Kosovës është mbledhur në seanca plenare për ratifikimin e demarkacionit me Malin e Zi, por çështja nuk ka arritur të kalojë në procedurën e votimit, ngase kishte mungesë të votave për ratifikimin e marrëveshjes.

Marrëveshja e demarkacionit të kufirit me Malin e Zi është nënshkruar në gusht të vitit 2015 në Vjenë. Ndërkohë, Kuvendi i Malit të Zi e ka ratifikuar këtë marrëveshje, por jo edhe ai i Kosovës, për shkak të mungesës së konsensusit të brendshëm.

Ratifikimi i kësaj marrëveshjeje mbetet kusht i vendosur nga Komisioni Evropian për heqjen e regjimit të vizave për qytetarët e Kosovës.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG