Ndërlidhjet

Mungesa e konsensusit shtyn sërish ratifikimin e Demarkacionit


Foto ilustrim
Foto ilustrim

Kryesia e Kuvendit të Kosovës e ka shtyrë për një kohë të pacaktuar shqyrtimin dhe votimin e Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes së demarkacionit të kufirit, ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi.

Kryesia e ka marrë këtë vendim për shkak të mungesës së konsensusit politik. Demarkacioni është marrëveshje ndërkombëtare, andaj për ratifikim e saj nevojiten 80 vota, apo dy të tretat e votave të deputetëve.

Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli ka deklaruar se nuk do të lejojë që Kuvendi të jetë skenë teatrale ku persona të caktuar synojnë të sqarojnë inatet personale, të cilat do të reflektonin pastaj në ratifikimin e kësaj marrëveshjeje.

“Asgjë nuk ka të jashtëzakonshme. Çështja e Demarkacionit është interes i subjektivitetit ndërkombëtar të shtetësisë së Kosovës”, tha Veseli. Sipas tij, ratifikimi i kësaj marrëveshjeje është një mesazh i qartë se në çfarë drejtimi do të ecë Kosova.

“Ka nevojë për një konsensus të gjerë nacional. Nuk është vetëm për liberalizimin e vizave, por edhe një drejtim pozitiv i partneritetit të vendeve të NATO-s”, theksoi Veseli.

“Kërkova me mirëkuptim nga Kryesia që kjo pikë e rendit të ditës të jetë në një moment të caktuar kur do të ketë edhe një vendimmarrje edhe më serioze. Kishte unanimitet, përveç LDK-së, e cila kërkoi që kjo çështje të jetë menjëherë në rend dite”, tha Veseli.

Kurse, shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti tha se çështja e Demarkacionit është shtyrë në një kohë të pacaktuar, edhe pse sipas tij, një vendim i tillë nuk është veprim i duhur.

Ai theksoi se me vonesën e ratifikimit të Demarkacionit, më së shumit po dëmtohen qytetarët.

"Tri vjet po bëhen që kjo temë sillet poshtë e lartë, në pamundësi për t’u adresuar nga spektri politik. Ky koalicion është themeluar për të marrë këtë vendim, por edhe vendime të mëdha. Shihet qartë që këta janë të shpartalluar plotësisht në këto vendime. Unë besoj se kështu nuk mund të vazhdohet më. Vendit i duhet një Qeveri e re që mund të adresojë nevojat e qytetarëve dhe vendimet që janë kapitale për të ardhmen e vendit", tha Hoti.

Analisti i çështjeve politike, Artan Muhaxhiri tha për Radion Evropa e Lirë se vonesa e shqyrtimit apo edhe votimit të Marrëveshjes për demarkacionin me Malin e Zi, po i izolon edhe më shumë qytetarët dhe vendin në përgjithësi. Ai thotë se drejtuesit e institucioneve të Kosovës ende nuk kanë ide të qartë për procedimin e Demarkacionit.

"Institucionet e Kosovës, asnjëherë nuk kanë pasur një agjendë të qartë praktike për integrimin evropian. Në shumicën e rasteve kanë qenë akterë pasivë dhe shpesh nuk i kanë kryer detyrat të cilat në mënyrë të qartë janë paraqitur nga BE-ja. Prandaj, edhe çështja e Demarkacionit është në këtë vazhdë. Është një obligim i papërfunduar, i cili e zhytë Kosovën në një paqartësi të madhe sa i përket rrugës evropiane", tha Muhaxheri.

Ratifikimi i Marrëveshjes për shënjimin e vijës kufitare me Malin e Zi, tani për tani, praktikisht është i bllokuar në Kuvendin e Kosovës, për shkak të kundërshtimeve të një pjese të partive politike në pushtet, por edhe një pjese të opozitës.

Në këtë situatë, kërkohet një zgjidhje kreative, thonë zyrtarë të lartë të Qeverisë së Kosovës, të cilët konfirmojnë se janë duke punuar për një zgjidhje të tillë.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Fatmir Limaj, ka thënë se tashmë është duke u shqyrtuar një ide për zgjidhjen e nyjës politike lidhur me ratifikimin e Marrëveshjes për demarkacion me Malin e Zi.

Sipas tij, Marrëveshja e arritur nga të dy komisionet, të Kosovë dhe Malit të Zi, për demarkacionin e kufirit, lë hapësirë për të korrigjuar gabimet e mundshme që kanë mundur të ndodhin në variantin e parë të marrëveshjes, e cila tashmë është ratifikuar nga Mali i Zi, por pa u cenuar marrëveshja.

Ndryshe, Kryeministri i Malit të Zi, Dushko Markoviq, pritet që të martën të vizitojë Kosovën me ftesë të kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj.

Kjo vizitë pritet të ndodh në kohë kur Kuvendi i Kosovës pritet të deklarohet përfundimisht rreth Marrëveshjes për kufirin shtetëror ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi, e cila është nënshkruar në vitin 2015.

Këtë marrëveshje Kuvendi i Mali i Zi e ka ratifikuar, por jo edhe ai i Kosovës.

Zyrtarët e institucioneve të Kosovës thanë të hënën se nga vizita e kryeministrit të Malit të Zi, Markoviq presin konfirmimin e vazhdimit të bashkëpunimit dhe marrëdhënieve të mira fqinjësore.

Ata thanë po ashtu se çështja e Demarkacionit, nuk do t’i ndalë të dyja vendet drejt integrimeve euroatlantike.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG