Qëndrimi i shteti të Malit të Zi lidhur me Marrëveshjen për shënjimin e vijës kufitare me Kosovën mbetet i pandryshueshëm, përderisa zyrtarët në Prishtinë presin që kjo çështje të jetë një nga temat e diskutimit gjatë vizitës së kryeministrit të Malit të Zi, Dushko Markoviq, më 6 shkurt.
Analistët politikë në Prishtinë, nuk presin që vizita e kryeministrit malazias do të ndikojë në ndonjë qëndrim ndryshe për ratifikimin e demarkacionit në Kosovë.
Kryeministri i Malit të Zi, Dushko Markoviq, pritet të vizitojë Kosovën me ftesë të kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, në një kohë kur Kuvendi i Kosovës pritet të deklarohet përfundimisht rreth Marrëveshjes për kufirin shtetëror ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi, e cila është nënshkruar në vitin 2015. Këtë marrëveshje Kuvendi i Mali i Zi e ka ratifikuar, por jo edhe ai i Kosovës.
Në Kosovë kjo marrëveshje është kontestuar kryesisht nga partitë politike opozitare duke thënë se me këtë marrëveshje të nënshkruar, Kosova ka humbur territor të sajin.
Ratifikimi i Marrëveshjes për shënjimin e vijës kufitare me Malin e Zi, vazhdon të mbetet një prej dy kritereve të fundit për heqjen e regjimit të vizave për Kosovën nga Bashkimi Evropian.
Në fillim të dhjetorit të vitit të kaluar, Qeveria e Kosovës i dërgoi Kuvendit Marrëveshjen për demarkacionin me Malin e Zi për miratim, bashkë me raportin e Komisionit të ri Shtetëror për Shënjimin dhe Mirëmbajtjen e Kufirit.
Kurse, më 15 janar, Komisioni Parlamentar për Punë të Jashtme i rekomandoi Kryesisë së Kuvendit ta dërgojë Marrëveshjen në Kuvend për shqyrtim.
Mediat në Kosovë këto ditë transmetojnë se disa individë nga koalicioni qeverisës përpiqen të përpilojnë një aneks në Marrëveshjen për demarkacion, në të cilin do të theksohej mundësia e përmirësimit me rastin e shënimit të kufirit shtetëror në terren. Kjo çështje është pjesë e marrëveshjes aktuale në nenin 7.Në Qeverinë e Kosovës një gjë të tillë nuk kanë mundur ta konfirmojnë.
Halil Matoshi, këshilltar i kryeministrit të Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë, se i gjithë procesi për demarkacionin tashmë është në diskrecionin e deputetëve.
Kurse, sa i takon vizitës së kryeministrit malazias në Kosovë, Matoshi thekson se qëllimi i vizitës është thellimi i marrëdhënieve në të gjitha sferat e jetës ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi dhe rrugëtimin e përbashkët euroatlantik.
Siç thotë Matoshi, me rastin e kësaj vizite do të bisedohet për të gjitha çështjet e hapura që ekzistojnë midis dy vendeve.
"Të dyja shtete do të diskutojnë të gjitha temat që kanë të bëjnë me prosperitetin e të dy vendeve në rrugën Euro-Atlantike dhe në këtë kontekst, Qeveria e Kosovës e ka proceduar tashmë projektligjin për Demarkacionin e kufirit në Kuvendin e Republikës duke ia bashkuar edhe të gjeturat e Komisionit të ri Shtetëror. Tani është në dorën e deputetëve të Republikës që ta procedojnë më tutje", deklaron Matoshi.
Megjithatë, autoritetet në Mal të Zi, thonë se kjo çështje tashmë ka përfunduar për ta.
"Pozicioni i Malit të Zi lidhur me kufirin nuk ka ndryshuar dhe nuk do të ndryshojë", thotë për Radion Evropa e Lirë, Srgjan Kusovac, këshilltar i kryeministrit të Malit të Zi.
Analisti i çështjeve politike, Artan Muhaxhiri, mendon se ideja e krijimit të një aneksi, i cili do të nënvizonte diçka që tashmë është në marrëveshjen e ekzistuese, do të ishte një turp i madh, sepse do të thoshte se politikanët bllokuan qytetarët për tre vjet për diçka që ka mundur të bëhet në fillim.
Ai shpreh bindje e tij se vizita e kryeministrit të Malit të Zi në Kosovë, nuk do të ndikojë fare në çështjen e Marrëveshjes së demarkacionit, pasi që, siç thotë ai, Mali i Zi është anëtar i NATO-s dhe për këtë ka përgjegjësi të mëdha ndaj bashkësisë ndërkombëtare, e cila kundërshton ashpër ndryshimin e Marrëveshjes së demarkacionit.
"Prandaj, Mali i Zi nuk do të pajtohet me ndonjë ndryshim të marrëveshjes dhe kjo është vetëm një humbje kohe nga Qeveria e Kosovës, e cila dëshiron të hedhë pluhur në sy të qytetarëve të Kosovës", thotë Muhaxhiri.
Ai beson se i gjithë procesi i Demarkacionit me Malin e Zi është "një shembull i qartë i papërgjegjshmërisë dhe kryeneçësisë së panevojshme të klasës politike në Kosovë", sepse që nga fillimi ishte e qartë se ishte një proces ndërkombëtar që nuk mund të ndryshohej, siç kërkohej nga opozita në atë kohë, do të thotë nga Lëvizja Vetëvendosje dhe partitë që tani janë në pushtet, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, partia e kryeministrit aktual Ramush Haradinaj, dhe Nisma për Kosovën, e udhëhequr nga zëvendëskryeministri Fatmir Limaj.
Sot, në Qeveri janë parti, të cilat kanë qëndrime krejtësisht të kundërta mbi këtë çështje, thotë Muhaxheri.
"Ne jemi tani në një moment shumë të vështirë dhe çmimi i kësaj papërgjegjshmërie politike do të paguhet nga qytetarët. Përveç kësaj, do të përballemi me një bllokadë ndërkombëtare për shkak të mungesës së vullnetit dhe njohurive se si ta zgjidhim këtë çështje”.
“Për vite me radhë, bashkësia ndërkombëtare dhe Mali i Zi kanë përsëritur se nuk mund të ketë një ndryshim thelbësor në lidhje me atë që është nënshkruar në Vjenë, ndërsa politikanët e Kosovës këmbëngulin me një naivitet të caktuar që do të kenë sukses në këtë. Për fat të keq, qytetarët e Kosovës janë peng i kësaj loje politike, që ndoshta nuk do të ketë një fund të suksesshëm ", vlerëson Muhaxheri.
Ratifikimi i një marrëveshjeje ndërkombëtare si kjo, kërkon një shumicë prej dy të tretave në Kuvend, ose 80 nga 120 vota e deputetëve.
Koalicioni qeverisës aktualisht ka 61 vota. Partia e kryeministri Haradinaj, ka 10 deputetë dhe ata tashmë kanë thënë se nuk do ta mbështesin versionin e parë të marrëveshjes. Ngjashëm janë shprehur edhe gjashtë deputetët e partisë politike Nisma për Kosovën e udhëhequr nga Fatmir Limaj. Kundër Marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi është edhe Lëvizja Vetëvendosje që është në opozitë me 32 deputetë.
Ratifikimin e marrëveshjes së demarkacionit e kërkon Partia Demokratike e Kosovës me 23 deputetë dhe Lidhja Demokratike e Kosovës që është në opozitë me 27 vota të deputetëve, të cilët nga ana tjetër e mbëshetesin versionin e parë të marrëveshjes për demarkacion.
Versionin e parë të marrëveshjes së demarkacionit pritet ta mbështesin edhe 20 deputetë të pakicave.
Përndryshe, deputetët e Kuvendit të Kosovës, nuk mund të largohen nga Kosova deri më 20 shkurt.
Ky është një vendimi i Kryesisë së Kuvendit të Kosovës dhe siç kanë konfirmuan zyrtarët nga Kuvendi, ky vendim i referohet "nevojës që deputetët të përfshihen në punën e Kuvendit, pasi do të ketë seanca për të miratuar projektligje dhe vendime që kërkojnë kuorum dhe një numër të caktuar të deputetëve”.
Bashkësia ndërkombëtare këmbëngul në ratifikimin e Marrëveshjes së demarkacionit, e cila, siç thonë ambasadorët e huaj do të përfundonte vetë-izolimi i Kosovës dhe do të kapërceheshin interesat personale të qarqeve të ndryshme politike.
Facebook Forum