Ndërlidhjet

Delegacioni serb u largua nga takimi në Sarajevë pasi u përmend "anëtarësimi i Kosovës në KiE"


Mbledhja e komisioneve parlamentare për mbrojtje dhe siguri në Sarajevë. Bosnje e Hercegovinë, 12 qershor 2024.
Mbledhja e komisioneve parlamentare për mbrojtje dhe siguri në Sarajevë. Bosnje e Hercegovinë, 12 qershor 2024.

Gjatë ditës së parë të takimit vjetor të përfaqësuesve të komisioneve të mbrojtjes dhe sigurisë të parlamenteve të Evropës Juglindore, në Sarajevë, delegacioni i Serbisë dhe nënkryetari i Komisionit të Mbrojtjes dhe Sigurisë i Asamblesë Parlamentare të Bosnje e Hercegovinës, Radovan Kovaçeviq, kanë ndërprerë fjalimet e përfaqësuesve të Kosovës dhe janë larguar nga konferenca.

Kjo u bë e ditur nga anëtari i delegacionit të Kosovës, Arbër Rexhaj, përmes llogarisë së tij në Facebook, më 12 qershor.

Rexhaj shkroi se delegacioni i Kosovës u përball me sjellje të pahijshme të delegacionit serb.

Sipas tij, ai u mundua që t'ua mbyllë mikrofonat folësve nga Kosova, por "nuk ia doli".

Ai falënderoi deputetët e Shqipërisë dhe Kroacisë, të cilët siç tha u rreshtuan qartazi në krahun e Kosovës.

“Ua tham troç se Kosova është shtet i njohur ndërkombëtarisht, e vërtetuar nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë. Poashtu, sulmi në Banjskë të Kosovës dëshmon se Serbia nuk ka ndryshuar, është po ajo si e Millosheviçit”, tha Rexhaj duke bërë të ditur se pjesëmarrës aty ishte bashkë me deputetin tjetër të Kuvendit të Kosovës, Erxhan Galushi.

Agjencia e lajmeve e entitetit Republika Sërpska, SRNA raportoi se delegacioni serb me Kovaçeviqin - anëtar i Aleancës së Social Demokratëve të Pavarur (SNSD) të Milorad Dodi - u largua nga konferenca për shkak se “një anëtare e delegacionit kroat, Zdravka Bushiq, tha se Kosova do të pranohet në Këshillin e Evropës”.

Kosova i ka kaluar dy prej tri fazave të nevojshme për pranim në Këshill të Evropës, organizatën lidere në fushën e të drejtave të njeriut.

Në hapin e tretë – miratimin e anëtarësimit në Komitet të Ministrave – Kosova nuk është përfshirë në agjendë, pasi nuk ka bërë hapa të mjaftueshëm drejt formimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Serbia dhe liderët e entitetit Republika Sërpska nuk e njohin pavarësinë e Kosovës.

Takimi është një mbledhje e rregullt vjetore dyditore e përfaqësuesve të komisioneve të mbrojtjes dhe sigurisë të parlamenteve të Evropës Juglindore, e organizuar nga Komisioni i Mbrojtjes dhe Sigurisë i Asamblesë Parlamentare të BeH, Qendrës Rajonale për Bashkëpunim të Sigurisë dhe Misionit të OSBE-së në BeH, me mbështetjen e Qendrës së Gjenevës për Kontrollin e Forcave të Armatosura.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG