Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë të premten se anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës (KiE) është “çështje kohe”, pasi kërkesa e saj për t’iu bashkuar kësaj organizate të rëndësishme për të drejtat e njeriut nuk u mor parasysh nga Komiteti i Ministrave i KiE-së.
“Republika e Kosovës do të jetë anëtarja e 47-të e Këshillit të Evropës. Është vetëm çështje kohe. Në këtë rrugë, ne nuk bëjmë kompromis me vlerat të cilat formojnë themelet e vendit tonë”, shkroi Osmani në rrjetin social X.
Osmani i bëri këto komente pak orë pasi Komiteti i Ministrave i KiE-së nuk e hodhi në votim kërkesën e Kosovës për anëtarësim në këtë organizatë gjatë një takimi të premten në mëngjes.
Kosova i kishte kaluar tashmë dy faza në procesin e pranimit në KiE, dhe shpresonte që Komiteti i Ministrave - i cili vendos për ta pranuar ose jo një vend – do të votonte të premten për kërkesën e Kosovës.
Por, edhe pse Asambleja Parlamentare e KiE-së dha dritën jeshile që Kosova të pranohej, disa shtete vendosën kusht që Kosova të bëjë hapa konkretë drejt themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, nëse dëshiron të bëhet anëtare e organizatës me seli në Strasburg.
Osmani tha se Kosova është “mirënjohëse ndaj të gjitha vendeve që na kanë mbështetur deri tani. Së bashku, ne do të punojmë për ta bërë realitet këtë triumf të të drejtave të njeriut pa humbur kohë”.
“Kur të mbërrijmë atje, ne do të vazhdojmë të ngremë zërin për shtylla të cilat e definojnë KiE-në: të drejtat e njeriut, demokracinë dhe sundimin e ligjit. Ne nuk do të shërbejmë si dora e shtrirë e Rusisë, e as si shembull i sjelljes autokratike”, shtoi ajo.
Me rregullore, Komiteti i Ministrave të Këshillit të Evropës, që përbëhet prej 46 vendesh anëtare, mblidhet një herë në vit. Por, Gerald Knaus, nga Iniciativa Evropiane për Stabilitet, që përcolli nga afër rrugëtimin e Kosovës, pret një takim të jashtëzakonshëm - ndoshta edhe brenda javësh.
Pak ditë para takimit të Komitetit të Ministrave të premten, Qeveria e Kosovës kishte bërë përpjekje për t’i kënaqur vendet skeptike, duke iu drejtuar me një letër Këshillit të Evropës, ku thoshte se zotohej për ta hartuar dhe dërguar në Kushtetuese një draft-statut për themelimin e Asociacionit.
Osmani tha se nuk ishte konsultuar nga Qeveria për këtë letër dhe se nuk e mbështeste atë.
Ndërkohë, Gjermania, një prej shteteve që ka vendosur kushtin për Kosovën në KiE, tha se ajo konsideron si “hap konkret” vetëm kur Kosova të dorëzojë në Gjykatën Kushtetuese draft-statutin për Asociacionin.
Deri më tani, janë prezantuar disa draft-statute për Asociacionin, përfshirë një nga BE-ja në tetorin e vitit të kaluar.
Kryesuesja e deritanishme e Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës, Dominique Hasler, tha se ky komitet po shqyrton se si të procedojë për pranimin e Kosovës në këtë organizatë.
Hasler, që është ministre e Jashtme e Lihtenshtajnit, shteti i cili ka pasur udhëheqjen e presidencës së KiE-së, tha pas mbledhjes së Komitetit të Ministrave më 17 maj se Kosova është përmendur në mbledhje nga shtetet anëtare.
“Pranimi i Kosovës u përmend disa herë sot në kuadër të deklaratave kombëtare të ministrave. Ne kemi pranuar letër nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës me rekomandimin për pranimin e Kosovës dhe ne bëmë gjithçka brenda presidencës sonë për të avancuar procesin, së bashku me shtetet anëtare. Dhe Komiteti i Ministrave veçse ka nisur diskutimet për çështjen dhe aktualisht po shqyrton se si të procedojë”, tha ajo.