Ndërlidhjet

Ku ka ngecur dekretimi i Kryeprokurorit të Shtetit?


Gjykata Kushtetuese e Kosovës.
Gjykata Kushtetuese e Kosovës.

Kanë kaluar më shumë se dy muaj qëkur Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) ka propozuar Blerim Isufajn për Kryeprokuror të Shtetit, por vendimin për dekretimin ose jo të tij nuk e ka marrë ende presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

Zyra e saj ka pranuar propozimin më 8 prill, vetëm dy ditë pasi Këshilli Prokurorial ka dalë me emrin e Isufajt.

Me ligjin në Kosovë, kryeprokurori duhet të dekretohet nga presidenti i shtetit.

Nga Zyra e Osmanit thonë për Radion Evropa e Lirë se, menjëherë pas pranimit të propozimit, ata kanë filluar konsultimet me vëzhgues vendorë dhe ndërkombëtarë, “për t’u njoftuar më tej për mbarëvajtjen e procesit të përzgjedhjes së kandidatit të propozuar”.

Zyra e presidentes thotë se gjatë shqyrtimit të dokumentacionit përcjellës dhe konsultimeve me palët e përfshira në monitorimin e procesit, janë ngritur vërejtje për shkelje procedurale dhe parimore, të cilat mund të kenë ndikuar në procesin përzgjedhës, si dhe për mungesë të dokumenteve të rëndësishme, për të cilat Presidenca ka kërkuar sqarime.

“Disa nga këto dokumente janë dërguar, kurse disa të tjera do të dërgohen ndërkohë nga institucionet relevante. Pasi të kompletohet i gjithë dokumentacioni, Zyra e Presidencës së Republikës së Kosovës [ZPRK] do të vijojë me analizimin e mëtejmë të tyre”, thuhet në deklaratën e saj për REL-in.

Po sipas saj, më 13 maj, Zyra e Osmanit është njoftuar me një shkresë zyrtare nga Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës se “njëri nga kandidatët në këtë proces [përzgjedhës], ka bërë kërkesë individuale për vlerësimin e kushtetutshmërisë së këtij procesi, dhe njëkohësisht ka kërkuar edhe vendosjen e masës së përkohshme lidhur me emërimin e Kryeprokurorit të Shtetit”.

...ZPRK-ja vlerëson se një vendim potencial i presidentes në këtë kohë, në lidhje me emërimin ose jo të kandidatit për Kryeprokuror të Shtetit, do të ishte i parakohshëm..."


“Duke qenë se kjo kërkesë tanimë është regjistruar në Gjykatën Kushtetuese, dhe e njëjta do të shqyrtohet nga kjo gjykatë, ZPRK-ja vlerëson se një vendim potencial i presidentes në këtë kohë, në lidhje me emërimin ose jo të kandidatit për Kryeprokuror të Shtetit, do të ishte i parakohshëm”, thuhet në deklaratën e ZPRK-së.

Shala: Vendimi i presidentes pa ndërlidhje me vendimin e Kushtetueses

Në garë për postin e Kryeprokurorit të Shtetit, përveç Blerim Isufajt, kanë qenë edhe Armend Hamiti, Lulzim Sylejmani, Shqipdon Fazliu dhe Kujtim Munishi.

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës.
Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës.


Sipas të dhënave të Institutit të Kosovës për Drejtësi, ankesë në Gjykatën Kushtetuese kanë parashtruar Shqipdon Fazliu dhe Armend Hamiti.

Gjykata Kushtetuese ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë se “deri më tash, në Gjykatën Kushtetuese janë parashtruar dy kërkesa, nga kandidatët: Shqipdon Fazliu dhe Armend Hamiti”.

Siç thuhet në një përgjigje me shkrim të Gjykatës Kushtetuese, “kërkesa e Fazliut është parashtruar më 28 prill 2022, ndërsa e Hamitit më 6 qershor 2022”.

Gjykata nuk ka ndonjë afat të caktuar kushtetues-ligjor për vendimmarrje në këtë rast"


“Kjo lëndë aktualisht është duke u shqyrtuar. Gjykata nuk ka ndonjë afat të caktuar kushtetues-ligjor për vendimmarrje në këtë rast”, thuhet në përgjigjen e Gjykatës Kushtetuese për Radion Evropa e Lirë.

Megjithatë, Gjykata Kushtetuese nuk ka specifikuar natyrën e ankesave dhe të vlerësimeve të kërkuara nga kjo gjykatë nga parashtruesit e kërkesave.

Gëzim Shala, nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, thotë se vendimi i presidentes Osmani për dekretimin ose jo të kandidatit për Kryeprokuror të Shtetit nuk ndërlidhet me vendimin e Gjykatës Kushtetuese mbi ankesat dhe kërkesat e kandidatëve, të parashtruara në këtë gjykatë.

Sipas Shalës, presidentja, e cila ka kompetencë kushtetuese garantimin e funksionimit të institucioneve të shtetit, duhet të garantojë edhe mënjanimin e të metave të procesit të përzgjedhjes së Kryeprokurorit të Shtetit.

Shala thotë se, në rast se vendimmarrja e presidentes së Kosovës për dekretimin ose jo të Kryeprokurorit e pret vendimmarrjen e Gjykatës Kushtetuese në raport me masën e përkohshme, një gjë e tillë mund të përbëjë shkelje.

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës.
Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës.

“Kjo, për shkak se vendimi për masë të përkohshme supozohet që të merret brenda një afati të shkurtër kohor, mirëpo në asnjë rrethanë që ta presë vendimmarrjen përfundimtare të Gjykatës Kushtetuese. E ritheksoj se vendimi i presidentes nuk është i ndërlidhur me aspektin e vendimmarrjes në Gjykatën Kushtetuese”.

“Marzha e vlerësimit në Gjykatën Kushtetuese është në raport me të drejtat e njeriut dhe liritë themelore të kandidatëve, e jo për aspektet tjera kushtetuese, për të cilat presidentja mund të gjejë shkelje. Për këtë arsye, presidentja, në asnjë rrethanë, nuk është e detyruar që ta presë vendimin përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese”, thotë Shala për Radion Evropa e Lirë.

Demolli: Presidentja është e lirë të veprojë

Tri organizata joqeveritare - Instituti i Kosovës për Drejtësi, Lëvizja Fol dhe Grupi për Studime Juridike dhe Politike - të cilat kanë monitoruar procedurat e përzgjedhjes së Kryeprokurorit të Shtetit nga Këshilli Prokurorial i Kosovës, kanë vlerësuar se procesi ka pasur të meta të shumta, të cilat, sipas tyre, e bëjnë të pakalueshëm kandidatin.

Këto organizata kanë kërkuar nga presidentja e Kosovës, Osmani, që t’i mënjanojë shkeljet që janë bërë gjatë procesit.

Mexhide Demolli-Nimani, drejtoreshë ekzekutive e Lëvizjes Fol, thotë për Radion Evropa e Lirë se gjetjet e tri organizatave mbikëqyrëse të procesit, kanë treguar shkelje procedurale në konkurs. Sipas saj, presidentja e Kosovës e ka rrugën e hapur që ta kthejë procesin në pikën zero.

... presidentja është e lirë që ta marrë vendimin e saj pa pasur nevojë që të presë ndonjë vendim nga Gjykata Kushtetuese për kandidatët, të cilët tashmë janë ankuar..."


“Për këtë arsye, mendoj se presidentja është e lirë që ta marrë vendimin e saj pa pasur nevojë që të presë ndonjë vendim nga Gjykata Kushtetuese për kandidatët, të cilët tashmë janë ankuar, për shkak të shkeljes së të drejtave dhe lirive të njeriut”, thotë Demolli-Nimani.

Në një deklaratë për Radion Evropa e Lirë në muajin prill, Këshilli Prokurorial i Kosovës nuk i ka komentuar kritikat, por ka thënë se, sipas këtij institucioni, procesi i përzgjedhjes së Kryeprokurorit të Shtetit “është plotësisht legjitim, sepse është përcjellë me objektivitet, me transparencë, me gjithëpërfshirje dhe është bazuar në meritokraci”.

Zhgënjimi i komunitetit ndërkombëtar

Por, të zhgënjyer me procesin e përzgjedhjes janë shprehur në muajin prill edhe Bashkimi Evropian, Gjermania dhe Shtetet e Bashkuara.

Shefi i Zyrës së BE-së në Prishtinë, Tomas Szunyog, ka thënë se KPK-ja nuk i ka respektuar rregullat që ky proces të ishte i drejtë dhe transparent.

“I befasuar dhe i zhgënjyer me veprimet e KPK-së”, ka thënë Szunyog nëpërmjet një reagimi në Twitter.

Ambasadori gjerman në Prishtinë, Jorn Rohde, ka thënë se “kjo nuk është mënyra e duhur për të ecur përpara”, ndërsa ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, ka thënë se shpreh shqetësim për “mënyrën se si KPK-ja i ka kryer këto procedura dhe e ka dëmtuar besimin e publikut të Kosovës dhe besimin tonë në KPK-në si institucion publik”.

Më 13 qershor, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka dekretuar shtatë prokurorë me mandat fillestar, sipas propozimit të Këshillit Prokurorial të Kosovës. Por, ndryshe nga afati ligjor prej 60 ditësh për dekretimin e prokurorëve, presidentja e Kosovës nuk ka ndonjë afat kushtetues dhe ligjor për emërimin e Kryeprokurorit të Shtetit.

Kryeprokurorit të deritashëm të Shtetit, Aleksandër Lumezi, i ka skaduar mandati më 21 prill.

Aktualisht, ushtrues i detyrës është Besim Kelmendi, i cili i ka kompetencat e plota të Kryeprokurorit të Shtetit.

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG