Ndërlidhjet

Shtyhet dekretimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve serbë


Është shtyrë për një afat të pacaktuar dekretimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve serbë nga pjesa veriore e Kosovës, i planifikuar të bëhet sot nga presidenti, Hashim Thaçi.

Zyra e Presidentit të Kosovës njoftoi më anë të një komunikate për media se Presidentit ishte i gatshëm të presë ardhjen dyzet e dy (42) gjyqtarëve dhe katërmbëdhjetë (14) prokurorëve nga komunitetet joshumicë në Republikën e Kosovës, të cilët, pas dekretimit, do të duhej t’i bashkohen sistemit gjyqësor dhe atij prokurorial të Republikës së Kosovës.

"Sot, dekretimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve nga komunitetet joshumicë, nuk ndodhi për shkakun që kandidatët për gjyqtarë dhe prokurorë, nuk erdhën për dekretim. Ata nuk erdhën ngaqë u penguan nga Republika e Serbisë, me qëllimin e vetëm që të mos lejojë integrimin e tyre në sistemin gjyqësor dhe prokurorial të Kosovës”, thuhet në komunikatën e Zyrës së Presidentit të Kosovës.

Është ky edhe një hap nga hapat e shumtë që Republika e Serbisë ndërmerr kundër qytetarëve tanë, ngase inkuadrimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve nga radhët e komuniteteve joshumicë në Republikën e Kosovës, ka rol të madh në jetën e komuniteteve, në realizimin e të drejtave të tyre dhe në sigurinë e qasjes së barabartë në drejtësi", theksohet në komunikatë.

Njëkohësisht, veprimi i sotëm i pengimit të kandidatëve për gjyqtarë dhe prokurorë që të vinë sot për dekretim tek Presidenti, është edhe një dështim dhe paaftësi tjetër e BE-së si ndërmjetësuese në këtë proces të zbatimit të Marrëveshjes për drejtësi”, thuhet pos tjerash në komunikatën e Zyrës së presidentit Thaçi.

Bashkimi Evropian ka shprehur keqardhje lidhur me kërkesën e Serbisë që të shtyhet integrimi i stafit serb nga veriu i Kosovës në gjyqësorin e Kosovës, ka deklaruar sot zëdhënësja e Bashkimit Evropian, Maja Kocijançiq.

Prishtina i ka përmbushur të gjitha obligimet lidhur me zbatimin e marrëveshjes për gjyqësorin. Është shumë e rëndësishme që të bëhet integrimi i stafit, sepse kjo do të kontribuojë në aspektin e sundimit të ligjit në Kosovë, gjegjësisht në rajonin e Mitrovicës”, ka thënë Kocijançiq në një konferencë për media në Bruksel.

Ajo ka shtuar se është me rëndësi esenciale që ky integrim të ndodhë sa më shpejt që është e mundur.

Kocijançiq, ka pranuar që zbatimi i marrëveshjes nga dialogu i Brukselit është edhe më tej sfidë dhe se për këtë çështje po punohet me të dyja palët.

Përparimi i të dyja palëve në rrugën evropiane është i lidhur me përparimin e dialogut”, tha Kocijançiq.

Për të përcjellë aktin e dekretimit, në Presidencë shkuan edhe përfaqësuesja e Bashkimit Evropian, Nataliya Apostolova dhe shefja e misionit të EULEX-it, Alexandra Papadopoulou si dhe ambasadori amerikan në Prishtinë, Greg Delawie.

Përfaqësuesja e Bashkimit Evropian, Nataliya Apostolova nuk ka dashur të flasë për mosardhjen e gjyqtarëve dhe prokurorëve për dekretim.

Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Nehat Idrizi, i tha Radios Evropa e Lirë se sipas dekretimi nuk ka ndodhur ashtu siç ishte paraparë, por Këshilli, siç tha ai, ka kryer punën që është kërkuar.

"Ne tash nuk merremi me këtë çështje, në momentin që emrat e gjykatësve dërgohen te Presidenti, zyra e presidenti me merret me procedurat e tjera", tha shkurt Idrizi.

Marrëveshja e Brukselit për drejtësinë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, e cila ka të bëjë me integrimin në sistemin e Kosovës të gjykatësve dhe prokurorëve serbë nga veriu i vendit, ishte arritur në shkurt të vitit 2015.

Presidentët e Kosovës dhe të Serbisë, Hashim Thaçi dhe Aleksandar Vuçiq, pas një takimi në fund të muajit gusht ishin dakorduar me ndërmjetësimin e shefes për politikë të jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini që zbatimi i Marrëveshjes për drejtësinë e arritur brenda dialogut të fillojë të zbatohet që nga 17 tetor, 2017.

Me zbatimin e Marrëveshjes për drejtësinë, është paraparë që të shuhen gjykatat dhe prokuroritë serbe në Kosovë dhe në Serbi, të cilat deri më tash janë marrë me lëndët nga territori i Kosovës.

Për rajonin e Mitrovicës është paraparë një Gjykatë Themelore, e cila do të funksionojë në dy objekte. Prokuroria do të funksionojë në një objekt në veri. Gjykatësit dhe prokurorët do të punojnë së bashku dhe nuk do të ndahen mbi baza etnike. Në veri do të vendoset edhe reparti i Gjykatës së Apelit.

Në krye të Prokurorisë në Mitrovicë do të jetë një shqiptar, ndërkaq në krye të Gjykatës së Apelit do të jetë një serb. Aktualisht, Gjykata Themelore e Mitrovicës është duke funksionuar në Vushtrri, ndërkohë që në Mitrovicën veriore është duke funksionuar gjykata në kuadër të sistemit të drejtësisë së Serbisë.

Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshjen e parë për normalizimin e marrëdhënieve në prill të vitit 2013.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG