Ndërlidhjet

Shtëpia e Xhafer Devës – midis historisë dhe trashëgimisë kulturore


Shtëpia e Xhafer Devës në Mitrovicë të Jugut.
Shtëpia e Xhafer Devës në Mitrovicë të Jugut.

Hulumtuesit shkencorë të historisë, por edhe të trashëgimisë kulturore, vlerësojnë se në çështjen e restaurimit të objektit në Mitrovicë të Jugut, të njohur si “Shtëpia e Xhafer Devës”, por edhe në pezullimin e punimeve, janë ngatërruar konceptet, në mënyrë të qëllimshme ose të paqëllimshme.

Kjo, sipas tyre, edhe ka nxitur debatet në rrethet akademike dhe shkencore në Kosovë dhe Shqipëri.

Objekti që njihet si “Shtëpia e Xhafer Devës”, nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e Qeverisë së Kosovës (MKRS) listohet si Monument i Trashëgimisë Kulturore.

Edon Qesari, kërkues shkencor në Institutin e Historisë në Tiranë, që është pjesë e Akademisë së Studimeve Albanologjike, thotë se autoritetet e Kosovës është dashur të tregojnë më shumë takt lidhur me emrin e objektit.

Nora Visoka-Weller, studiuese e doktoraturës për trashëgiminë kulturore dhe konfliktin në Kolegjin Selwyn, në Universitetin e Kembrixhit, vlerëson se emri i personit që karakterizon objektin është jorelevant, shikuar nga perspektiva e vlerave të trashëgimisë kulturore dhe arkitekturore të vetë objektit.

Ndërkaq, historianët në Tiranë dhe Prishtinë shprehin qëndrime krejtësisht të kundërta për sa i përket figurës së Xhafer Devës.

Fotografi e Xhafer Devës e realizuar më 1944.
Fotografi e Xhafer Devës e realizuar më 1944.

Xhafer Deva ishte politikan shqiptar në periudhën e Luftës së Dytë Botërore, 1939-1945.

Deva udhëhoqi Lidhjen Shqiptare të Prizrenit deri në përfundim të Luftës së Dytë Botërore, kur, sipas studiuesve, drejtoi rezistencën kundër futjes në Kosovë të trupave partizane jugosllave. Në vitin 1944, Deva u emërua ministër i Punëve të Brendshme në Qeverinë e Shqipërisë, e cila u formua me mbështetje të Gjermanisë naziste.

Gjatë dekadës së fundit, në objektin e njohur si “Shtëpia e Xhafer Devës”, janë kryer disa faza të restaurimit, kryesisht në përforcimin e konstruksionit. Por, më 2 shkurt të vitit, 2022, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e Kosovës, në faqen e saj të internetit, ka thënë se ka nisur fazën e re të “restaurimit të shtëpisë së Xhafer Devës në Mitrovicë”, duke e përshkruar atë si “një prej objekteve më të veçanta të trashëgimisë kulturore të Mitrovicës”.

Por, fakti që po restaurohej objekti, të cilit i atribuohet emri i figurës kontroverse, Xhafer Deva, ka nxitur reagime.

Këto reagime, më 8 shkurt, rezultuan me vendimin për pezullimin e punimeve nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë dhe Programi për Zhvillim i Kombeve të Bashkuara (UNDP), që e kanë financuar këtë projekt në kuadër të atij që njihet si Instrument i Bashkimit Evropian që kontribuon në stabilitet dhe paqe (IcSP).

Qesari: Restaurimi pa sherr, emri problematik

Edon Qesari, kërkues shkencor në Institutin e Historisë në Tiranë, thotë për Radion Evropa e Lirë se restaurimi i objektit në Mitrovicë të Jugut, parimisht nuk do të duhej të rezultonte me kurrfarë ndikimi negativ.

Por, siç thotë ai, kur personazhi, me emrin e të cilit karakterizohet objekti, identifikohet me nazizmin, atëherë e gjithë ndërmarrja e MKRS-së në Kosovë interpretohet si restaurim i shtëpisë së një nazisti.

“Në qoftë se ne apelojmë një godinë, si një godinë e trashëgimisë kulturore dhe të tjera, që është në Mitrovicë, që paraqet dhe është një stil i veçantë, si dhe konsiderata të tjera të këtij lloji, kam përshtypjen se nuk do të kishte pasur asnjë ndikim negativ. Në momentin që kjo godinë paraqitet së pari si shtëpia e Xhafer Devës, ndërkaq që njerëzit janë në dijeni se cili është ndikimi i këtij personazhi në kujtesën e përgjithshme, atëherë këtu kemi një problematikë tjetër”, thotë Qesari.

Shtëpia e Xhafer Devës në Mitrovicë të Jugut.
Shtëpia e Xhafer Devës në Mitrovicë të Jugut.

Visoka-Weller: Emri, jorelevant

Nora Visoka Weller, studiuese e doktoraturës për trashëgiminë kulturore dhe konfliktin në Kolegjin Selwyn, në Universitetin e Kembrixhit, në një bisedë me Radion Evropa e Lirë, thotë se nga perspektiva e saj profesionale dhe shkencore, emri i Xhafer Devës, të cilin e bart objekti i kontestuar në Mitrovicë të Jugut, është tërësisht jorelevant.

Kjo për faktin se, sipas saj, ky person, i cili ka bashkëpunuar me forcat gjermane gjatë Luftës së Dytë Botërore, vetëm ka jetuar në atë shtëpi për një kohë të caktuar, por, të paktën tash për tash, shton ajo, nuk ka dëshmi se në atë shtëpi janë kryer krime.

Siç thotë Visoka-Weller, ekzistojnë raste kur hapësirat e caktuara të trashëgimisë kulturore ndërlidhen drejtpërdrejt me individin, sepse aty janë kryer vrasje makabre, tragjedi apo masakra. Por, në rastin e objektit në Mitrovicë të Jugut, sipas saj, nuk ekziston ajo lidhje.

Sipas saj, problemi lidhur me objektin në Mitrovicë të Jugut ka të bëjë vetëm me emrin e personit, me të cilin thirret ky objekt.

Visoka-Weller shpreh mendimin se fakti që kjo ndërtesë ka qenë duke u restauruar tash e disa vite, me financimin e BE-së dhe UNDP-së, dhe nuk ka pasur reagime, i bën ironike reagimet e tashmë edhe gjithë debatin e krijuar. Për më shumë, sipas saj, objekte të ngjashme ka edhe nëpër botë.

"Kjo është edhe një ironi tjetër, sepse në të gjitha pjesët e Gjermanisë – ndonëse shumica e tyre janë rindërtuar tërësisht – por, në Berlin, për shembull, ekzistojnë disa ndërtesa ku operon Qeveria gjermane, të cilat edhe pse tash janë të rindërtuara tërësisht, në të kaluarën ato kanë qenë baza të ndryshme të forcave gjermane të asaj kohe".

"Trajtimi i arkitekturës raciste nuk himnizohet në asnjë pjesë të Evropës. Më shumë ka fokus në pjesët ku ka ndodhur një krim më i madh i Holokaustit. Ato, pastaj, shikojnë që t’i prezervojnë ekspertët e ndryshëm”, thotë Visoka-Weller.

Reagimi “i kuptueshëm” i ambasadorit Rohde

Më 7 shkurt, ambasadori gjerman në Prishtinë, Jorn Rohde, e kundërshtoi restaurimin e objektit në Mitrovicën e Jugut, pasi që Devën e cilësoi si “bashkëpunëtor të ngushtë të nazistëve”.

“Mos e shtrembëroni të vërtetën në lidhje me Holokaustin ose krimet e luftës, të kryera nga nazistët dhe bashkëpunëtorët vendas”, shkroi Rohde në Twitter.

Edon Qesari vlerëson se reagimi i ambasadorit Rohde ishte i kuptueshëm dhe tipik, pasi ai vjen nga një vend “i cili ka një barrë të rëndë për sa i përket nazizmit”.

Më 8 shkurt, ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit i Kosovës, Hajrulla Çeku, shkroi në Facebook se “restaurimi i monumenteve bëhet për t’i shërbyer komunitetit, jo për revizionizëm historik apo rehabilitim figurash”.

Lidhur me objektin e kontestuar, Çeku tha se "është ndërtuar në vitin 1930 dhe në Listën e Trashëgimisë Kulturore figuron si ‘Shtëpia e Xhafer Devës’, edhe pse kryesisht ka pasur përdorim publik, përfshirë si shtëpi shëndeti".

"Prandaj, nuk është e thënë që duhet ta mbajë këtë emër me çdo kusht”, shkroi Çeku, duke shtuar se “burimi i gjithë kësaj zhurme të panevojshme është fqinji ynë verior që revizionizmin historik e ka politikë kombëtare”, duke aluduar në Serbinë.

Ministri Çeku po ashtu tha se pret që projekti për restaurimin e këtij objekti të vazhdojë.

Qendra Simon Wiesenthal: Të anulohet projekti

Qendra Simon Wiesenthal, që është një organizatë globale hebraike për të drejtat e njeriut, që studion Holokaustin dhe urrejtjen në një kontekst historik dhe bashkëkohor, më 7 shkurt ka kërkuar nga Bashkimi Evropian që të anulohet projekti për “transformimin e ish-rezidencës së bashkëpunëtorit famëkeq të nazistëve shqiptarë, Xhafer Deva, në një qendër kulturore rajonale”.

Drejtori për Çështjet e Evropës Lindore i kësaj qendre, Dr. Efraim Zuroff, në një letër të dërguar shefit të delegacionit të BE-së në Izrael, ka thënë se Qendra vuri në dukje se Deva kishte luajtur një “rol aktiv në luftën kundër partizanëve anti-nazistë serbë dhe shqiptarë, si dhe në persekutimin dhe dëbimin e qindra hebrenjve në kampin e përqendrimit në Sajmisht”.

“Deva është simbol i bashkëpunimit të shqiptarëve me nazistët dhe rolit që ata luajtën në krimet kundër serbëve dhe hebrenjve. Një person i tillë nuk duhet nderuar dhe as vendbanimi i tij nuk duhet të shndërrohet në qendër kulturore rajonale, përderisa veprat e tij simbolizojnë një ideologji ekstremiste gjenocidale”.

Ndërkaq, më 11 shkurt, Votim Demiri nga Bashkësia Hebraike e Kosovës, në një deklaratë për Radion Evropa e Lirë nuk e komenton nëse objekti që bart emrin e Xhafer Devës duhet të restaurohet ose jo. Por, lidhur me këtë çështje, ai është takuar më 10 shkurt me ambasadorin e Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde. Demiri pret që një vendim, çfarëdo qoftë ai për këtë çështje, të merret brenda dy muajve.

“Këtë punë e kemi trivializuar krejtësisht dhe në anën tjetër, na nevojiten sqarime publicistike nga ana e njerëzve të Kosovës. Njerëzit ende nuk e dinë situatën (lidhur me këtë objekt) se çfarë u bë, si u bë dhe si ndodhi. Na nevojitet një kohë e shkurtë që të sqarohen disa gjëra dhe pastaj do të merret një vendim ashtu siç duhet”, ka thënë Demiri.

Sipas tij, kjo situatë duhet të vlerësohet në mënyrë reale.

Milo: Nuk i bën nderë Kosovës emri i kolaboracionistit

Por, Xhafer Deva është bërë subjekt i debateve në Kosovë dhe Shqipëri, duke përplasur mendimet e historianëve në të dyja vendet.

Historiani Paskal Milo, ish-ministër i Punëve të Jashtme të Shqipërisë, në një bisedë të shkurtër me Radion Evropa e Lirë, thotë se refuzon të përfshihet në debatin e krijuar për Xhafer Devën, të cilin e cilëson si "kolaboracionist të nazistëve". Por, ai ka edhe një porosi për autoritetet e Kosovës.

“E thënë me dy fjalë, pra, nuk i bën nder Kosovës dhe as Qeverisë së Albin Kurtit. Një kolaboracionist duhet të vihet në sfondin negativ të historisë dhe të rrijë atje. Refuzoj që të marr pjesë në debat, sepse është një figurë tipike kolaboracioniste e nazizmit gjerman dhe nuk dua të kontribuoj për shtimin e tensionit politik në Kosovë lidhur me këtë çështje”, thotë Milo.

Historianët në Kosovë kanë shprehur mendim ndryshe.

Sipas Haxhi Ademit, arsyeja përse Deva mund të ketë bashkëpunuar me nazistët ka qenë fakti se shqiptarët, sipas tij, nuk i gëzonin të drejtat bazike në periudhën në mes të dy Luftërave Botërore.

Në këtë periudhë, sipas tij, janë vrarë dhjetëra politikanë shqiptarë dhe janë kryer masakra ndaj shqiptarëve.

“Xhafer Deva ka qenë ndër ato personalitete që kanë bashkëpunuar me gjermanët, duke e ditur gjithnjë rrezikun e jashtëm që ne kishim, do të thotë nga serbët dhe sllavët në përgjithësi”, thotë Ademi për Radion Evropa e Lirë.

Debati “për shkak të ndjesive” dhe “ironia e përplasjeve”

Edon Qesari, nga Tirana, vlerëson se debati dhe përplasjet e historianëve rreth figurës së Xhafer Devës, kanë të bëjnë me ndjeshmërinë ndaj këtij personazhi në të dyja vendet.

“Ndërkohë që në Prishtinë, personazhet e tilla njihen më së tepërmi për një identitet të tyre nacionalist dhe identitet të tyre anti-sllav, në Tiranë ata njihen si personazhe, që i janë bindur një vendi pushtues, siç ishte Gjermania. Pra, ndjeshmëria është tërësisht ndryshe e këtyre dy poleve, Tiranës dhe Mitrovicës. Nuk dua që këtë lloj përplasjeje ta çoj në nivelin Tiranë-Prishtinë. Kështu që edhe reagimet janë të ndryshme”, thotë Qesari.

Në objektin në Mitrovicë të Jugut janë kryer disa faza të restaurimit, kryesisht në përforcimin e konstruksionit
Në objektin në Mitrovicë të Jugut janë kryer disa faza të restaurimit, kryesisht në përforcimin e konstruksionit

Trashëgimia kulturore për “fitore të vogla politike”

Pas njoftimit nga ana e MKRS-së, më 2 shkurt, për fazën e re të “restaurimit të shtëpisë së Xhafer Devës”, reagimet kishin nisur në Serbi.

Zëvendëskryeministrja e Serbisë dhe ministrja e Kulturës dhe Informacionit e këtij vendi, Maja Gojkoviq, iu ankua Komisionares evropiane për Inovacion, Kërkim, Kulturë, Arsim dhe Rini, Maria Gabriel, si dhe drejtorit ekzekutiv të Programit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim, Akim Steiner, duke apeluar që “projekti kontestues” të mos realizohet, sepse Xhafer Deva ishte “i njohur për përgatitjen dhe kryerjen e krimeve kundër serbëve dhe hebrenjve”.

Në këtë pikë, Nora Visoka-Weller e sheh si fakt ironik debatin dhe përplasjet ndërmjet historianëve shqiptarë, në Kosovë dhe Shqipëri.

Ajo thekson se është objekt i kontestuar për shkak të emrit, por, në fakt është objekt i mbrojtur i trashëgimisë kulturore. Sipas saj, kur trashëgimia kulturore shfrytëzohet për çështje politike, atëherë ajo e luan rolin e ndarësit më të madh dhe më të thellë ndërmjet komuniteteve.

“Përfundimisht, në momentin kur trashëgimia kulturore shfrytëzohet për një çështje politike apo për një fitore të vogël politike, siç e bën Serbia, atëherë popullata vuan, komuniteti që e rrethon atë trashëgimi kulturore vuan. I tërë rrëfimi se trashëgimia kulturore – ashtu siç thotë UNDP-ja dhe BE-ja në Kosovë – e ka për qëllim bashkimin e komuniteteve të Kosovës, e tërë kjo hidhet në ujë”, thekson Nora Visoka-Weller.

Projekti i përbashkët i Zyrës së BE-së, UNDP-së dhe MKRS-së për restaurimin e objektit që njihet si “Shtëpia e Xhafer Devës”, është thënë se ka për qëllim që, përmes restaurimit, t’i ruajë vlerat unike të këtij objekti.

Sipas projektit, shtëpia do të shërbente për qëllim të dyfishtë: kati përdhese do të ofronte një hapësirë për ngjarje kulturore dhe komunitare, ndërsa kati i parë dhe i dytë do të strehonin Qendrën Rajonale të Trashëgimisë Kulturore.

Qendra Kulturore, pasi të rinovohej plotësisht, parashihej të shërbente si një qendër për komunitetet lokale që të bashkohen, të eksplorojnë ide, të promovojnë ndërkulturalizmin, tolerancën dhe bashkëpunimin.

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG