Në takimin e fundit të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për Kosovën, diskutimet janë fokusuar në vendimin e Qeverisë së Kosovës për vendosje të taksës prej 100 për qind në mallrat e Serbisë dhe Bosnje Hercegovinës në nëntor të vitit të kaluar.
Ambasada e Shteteve të Bashkuara ka thënë javë më parë përmes një deklarate se kjo masë përbën qëndrim kundër interesave të SHBA-së.
Shefi i misionit në UNMIK-ut në Kosovë, Zahir Tanin, ka thënë në takimin e së enjtës se periudha e fundit nuk i ka kontribuuar përmirësimit të atmosferës sa i përket marrëdhënieve në mes të Prishtinës dhe Beogradit.
Sipas tij, liderët e të dyja shteteve janë duke u përballur me sfida të shumta, dhe se ka pasur tentime për të destabilizuar situatën.
Ai ka vlerësuar se koalicioni qeveritar në Kosovë ka krijuar një situatë kritike në procesin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, i cili zhvillohet me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian në Bruksel, duke iu referuar kështu masës ndaj produkteve serbe.
Ai ka thënë se të dyja palët duhet të punojnë më shumë për t’i hapur rrugën arritjes së marrëveshjes në mes të të dyja shteteve.
Ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq e ka nisur fjalimin e tij duke thënë se të gjithë kanë dëshirë që çështja e Kosovës të mos jetë më pjesë e agjendës së këtij lloji të takimeve, mirëpo sipas tij koha për ta bërë një gjë të tillë nuk është as afër.
Ai ka thënë se vendimi për vendosje të taksës nga autoritetet e Kosovës në produktet serbe është dënuar nga mekanizmi ndërkombëtarë, përfshirë aleatët e Prishtinës.
Sipas tij, masa ndaj produkteve serbe, të cilën e ka cilësuar drakonike, ka pasur për qëllim të vështirësojë jetën e komunitetit serb në Kosovë.
Përveç tjerash ai ka thënë se thirrjet për bashkim të Mitrovicës kanë për qëllim dëbimin e serbëve nga ky qytet.
Përfaqësuesi serb në këtë takim ka përmendur edhe fillimin e punës së Gjykatës Speciale për Krime të Luftës në Kosovë, duke thënë se Serbia pret që aktakuzat e para të bëhen publike shumë shpejt, për të gjykuar ato që ai i ka vlerësuar si “krime ndaj serbëve dhe personave tjerë që nuk kanë qenë shqiptarë”.
Ambasadorja e Kosovës në Shtetet e Bashkuara, Vlora Çitaku ka thënë se UNMIK-u nuk ka mandat në Kosovë dhe ka thënë se për të është e pabesueshme se si për Kosovën është diskutuar në këtë Organizatë më shumë sesa për Sirinë, Jemenin apo Venezuelën.
Ambasadorja e Kosovës ka thënë se ky Këshill është kthyer në teatër nga Serbia dhe është bërë vend ku autoritetet serbe tregojnë përralla që nuk besojnë as ata vetë.
Sa i përket miratimit të ligjit për transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në ushtri, Çitaku ka deklaruar se vendimi ka qenë ligjor dhe kushtetues, në mënyrë që të krijohen mekanizma të sigurisë, ashtu që Kosova të mund të kontribuojë në organizata ndërkombëtare.
Sipas saj ky vendim ka treguar maturinë e Kosovës si shtet.
Ajo ka përmendur edhe vendosjen e taksës ndaj produkteve serbe, duke thënë se ky vendim nuk ka qenë i lehtë, mirëpo ka qenë përgjigje ndaj fushatës së ashpër të Serbisë kundër Kosovës.
Ambasadorja e Kosovës e ka përfunduar fjalimin e saj duke thënë se “tani i takon Serbisë që të lirojë veten nga Kosova”.
Çitaku përndryshe e ka cilësuar të panevojshëm këtë lloj takimi edhe para mbledhjes të së enjtes.
“Sot edhe një seancë koti. Pa rëndësi dhe pa asnjë nevojë. E neveritshme të shihet se si Këshilli i Sigurimit po shndërohet në teatër ku i mundësohet Serbisë të përsërisë gënjeshtra në të cilat nuk beson as vet”, ka thënë Çitaku përmes një postimi në rrjetin social, Facebook.
Përfaqësuesi amerikan në këtë takim, Jonathan Cohen, ka thënë Shtetet e Bashkuara besojnë që marrëveshja në mes të Kosovës dhe Serbisë mund të arrihet më 2019.
Megjithatë ai ka thënë se para se të ndodhë një gjë e tillë, autoritetet e Kosovës duhet të heqin taksën ndaj produkteve serbe.
Për dallim nga folësit tjerë, përfaqësuesi i Gjermanisë, ka thënë se diskutimet për ndryshim të kufirit në mes të këtyre dy shteteve janë të “rrezikshme dhe destabilizuese për gjithë rajonin”.