Komunat në pjesën veriore të Kosovës po prijnë për numrin më të lartë të pjesëmarrjes në zgjedhjet komunale të 17 tetorit në Kosovës sipas të dhënave të Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve të njoftuara rreth orës 11:30.
Komuna e Mitrovicës se Veriut, në bazë të këtyre të dhënave prinë me numrin më të lartë të daljes në zgjedhje me rreth 31 për qind, Komuna Zveçanit është e dyta më rreth 30 për qind, pasuar nga komuna e Leposaviqit më rreth 21 për qind.
Në Prishtinë, deri në orën 11:00 kanë votuar rreth 9 për qind, kurse komuna më daljen më të ulët është Dragashi me 4.9 ndërsa Prizreni me 6.18 për qind.
Bazuar në të dhënat e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, deri në orën 11:00 kanë votuar rreth 8.2 për qind e votuesve në nivel vendi.
Koalicioni i organizatave joqeveritare Demokracia në Veprim që monitorojnë procesin zgjedhor të 17 tetorit në Kosovë, tha se procesi i votimit deri në mesditë po shoqërohet me pjesëmarrje të ulët të qytetarëve në votim, me përjashtim të komunave në veri të vendit, ku mesatarja e daljes është tre herë më e lartë krahasuar me komunat tjera.
Kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, ka thënë se procesi zgjedhor është duke vazhduar i qetë dhe pa incidente që mund të pengojnë procesin zgjedhor.
Qytetarët e Kosovës do të zgjedhin kryetarët e rinj dhe asambletë komunale në 38 komuna.
Sipas KQZ-së, numri i qytetarëve me të drejtë vote është 1 milion e 885 mijë e 448 votues.
Në këto zgjedhje, qytetarët do të mund të votojnë për kryetarin e komunës dhe një asamblist.
Na ndiqni në blog për më të rejat rreth zgjedhjeve