Koalicioni i organizatave joqeveritare Demokracia në Veprim që monitorojnë procesin zgjedhor të 17 tetorit në Kosovë, tha se procesi i votimit deri në mesditë po shoqërohet me pjesëmarrje të ulët të qytetarëve në votim, me përjashtim të komunave në veri të vendit, ku mesatarja e daljes është tre herë më e lartë krahasuar me komunat tjera.
Zgjedhjet lokale të së dielës (17 tetor) në Kosovës janë zgjedhjet e dyta që mbahen në kohë pandemie.
Në një komunikatë për media, DnV ka thënë se ka vërejtur respektim të masave për luftim të pandemisë, ndonëse një fotografi e ekipit të Radios Evropa e Lirë në Mitrovicë të Veriut e tregon të kundërtën.
Demokracia në Veprim, thotë se janë shënuar edhe disa vështirësi në procesin zgjedhor.
"Vështirësitë në gjetjen e emrit në Listën e Votuesve janë të shprehura edhe në këto zgjedhje. Deri në orën 12:00, në më shumë se 1/3-tën e vendvotimeve në nivel vendi është raportuar për 1 deri në 10 raste kur qytetarët nuk e kanë gjetur emrin në Listën e Votuesve", thotë DNV.
Vëzhguesit nuk kanë raportuar për raste të ushtrimit të presionit tek votuesit dhe nuk kanë evidentuar prani të zyrtarë të lartë politikë në Qendra të votimit.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka bërë të ditur se deri në orën 11:00 në zgjedhjet lokale të 17 tetorit kanë votuar 8.2 për qind e qytetarëve.
Kjo i bie që kanë votuar rreth 152 mijë qytetarë.
Të dhënat janë të bazuara nga informacionet e marra në 98 për qind të vendvotimeve.
Në zgjedhjet e fundit lokale të mbajtura në Kosovë më 2017, deri në këtë periudhë kanë votuar 10.3 për qind e votuesve.
Kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, ka thënë se procesi zgjedhor është duke vazhduar i qetë dhe pa incidente që mund të pengojnë procesin zgjedhor.
Qytetarët e Kosovës do të zgjedhin kryetarët e rinj dhe asambletë komunale në 38 komuna.
Sipas KQZ-së, numri i qytetarëve me të drejtë vote është 1 milion e 885 mijë e 448 votues.
Në këto zgjedhje, qytetarët do të mund të votojnë për kryetarin e komunës dhe një asamblist.
Na ndiqni në blog për më të rejat rreth zgjedhjeve