Ndërlidhjet

Çka pas votimit të dielën në veri?


Një grua duke votuar në një qendër votimi në Mitrovicë të Veriut - Fotografi ilustruese nga arkivi.
Një grua duke votuar në një qendër votimi në Mitrovicë të Veriut - Fotografi ilustruese nga arkivi.

Kryetarët shqiptarë të katër komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës do t’i sigurojnë vetes së paku një vit qeverisje të sigurt, nëse nuk zëvendësohen nga pjesëtarë të komunitetit serb të dielën, thotë për Radion Evropa e Lirë Eugen Cakolli, nga Instituti Demokratik i Kosovës.

Ai thekson se nëse votimi për shkarkimin e kryetarëve më 21 prill nuk rezulton i suksesshëm, nisma e re për këtë qëllim nuk do të mund të merret në 12 muajt e ardhshëm.

“Kjo rrethanë është domethënëse, sepse e bën të pamundur mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme në ato komuna, sidomos nëse e kemi parasysh edhe faktin se në vitin 2025 do të mbahen zgjedhjet e rregullta lokale, të cilat zakonisht shpallen në tremujorin e dytë të vitit paraprak [në këtë rast më 2024]”, thotë Cakolli.

Në anën tjetër, politologu nga Beogradi, Ognjen Gogiq, vlerëson se kryetarët shqiptarë që mbeten në pushtet, mund ta thellojnë krizën dhe t’i rrisin sërish tensionet në terren.

Popullata shumicë serbe në Mitrovicë të Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok nuk i pranon kryetarët shqiptarë, por ka shumë mundësi që, më 21 prill, të mos votojë për largimin e tyre. Kjo, pasi Lista Serbe - partia më e madhe e serbëve në Kosovë, e cila mbështetet nga Beogradi - i ftoi në bojkot.

Për shkarkimin e kryetarëve duhet që opsioni “Po” të rrethohet nga së paku 50 për qind plus një votues me të drejtë vote, në secilën nga katër komunat në veri të Kosovës.

Çka thonë qytetarët në veri?

Sërgjani nga Leposaviqi thotë se nuk sheh rrugëdalje. Ai beson se situata, pas votimit të së dielës, do të mund të normalizohet vetëm me ndihmën e bashkësisë ndërkombëtare.

“Është kohë e vështirë, askush nuk e di se si do të jetë [pas së dielës]. Zgjedhjet duhet të mbahen, por si - kjo është një çështje që do marrëveshje më të madhe”, thotë ai.

“Kjo krizë vështirë se do të ketë fund”, thotë Stojadini, gjithashtu nga Leposaviqi.

Edhe Bogdani nga Mitrovica e Veriut beson se kriza do të thellohet dhe shton se “parashikimet për popullin serb në Kosovë nuk janë të mira”.

Për bashkëqytetaren e tij, Marija, “gjendja e serbëve në Kosovë nuk ka qenë kurrë më e keqe”.

“Ka rryma të mëdha politike që luajnë rol këtu dhe çdo gjë do të rëndojë mbi kurrizin e qytetarëve”, thotë ajo.

Votimi më 21 prill organizohet në bazë të Udhëzimit Administrativ që hartoi Qeveria e Kosovës, pas presionit të bashkësisë ndërkombëtare për shpalljen e zgjedhjeve të reja në komunat në veri.

Kryetarët shqiptarë morën pushtetin atje, pasi Lista Serbe u bëri thirrje qytetarëve që t’i bojkotojnë zgjedhjet e prillit 2023, të cilat u organizuan pas largimit të serbëve nga institucionet e Kosovës në nëntor të vitit 2022 - edhe atëherë me iniciativën e Listës Serbe.

Kjo parti, ndërkohë, kërkoi zgjedhje të reja, mbështeti peticionin e qytetarëve për shkarkimin e kryetarëve, por, më 7 prill, njoftoi se nuk do të marrë pjesë në votimin për shkarkimin e kryetarëve.

Si një prej arsyeve, Lista Serbe përmendi listën e vjetruar të votuesve.

Gogiq thotë se Lista Serbe zgjodhi “vijën e rezistencës më të vogël” dhe shton se duhej të bënte më shumë përpjekje dhe t’iu shpjegonte qytetarëve përse është e rëndësishme që votimi i 21 prillit të jetë i suksesshëm.

“Ata e panë se e kanë të vështirë të mobilizojnë njerëz në numër të mjaftueshëm dhe më pas, për të mos i dhënë legjitimitet kësaj vote, zgjodhën bojkotimin”, thotë Gogiq, duke kujtuar se ky qëndrim u kritikua edhe nga vendet e QUINT-it: SHBA-ja, Mbretëria e Bashkuar, Franca, Italia dhe Gjermania.

“Problemi i vetëqeverisjes joefikase lokale”

Gogiq thotë se pas votimit të së dielës, kryetarët shqiptarë do të ndihen “të fuqishëm”, sepse nuk do të zëvendësohen dhe do të mund të vazhdojnë të marrin vendime që popullata lokale serbe nuk i mbështet. Në këtë mënyrë, sipas tij, ata do ta thellojnë hendekun që tashmë ekziston.

“Problemi këtu nuk është vetëm se nuk ka kryetarë komunash që e pasqyrojnë vullnetin e popullatës, por se strukturat komunale janë joefektive, marrë parasysh se edhe zyrtarët komunalë janë larguar nga institucionet [në vitin 2022] dhe nuk ka pasur zëvendësim adekuat të personelit”, thotë ai.

Nenad Radosavleviq, drejtor i Departamentit për sport, rini dhe kulturë në Komunën e Leposaviqit, konfirmon se komunat nuk punojnë me kapacitetin e tyre të plotë.

“Më me rëndësi është shpenzimi i buxhetit për disa projekte shumë të rëndësishme dhe ai po ec shumë ngadalë. Nuk kemi njerëz të kualifikuar për të shpallur procedura të tenderit... Kemi problem të madh, po angazhojmë njerëz nga komuna të tjera. Por, kjo nuk do të mund të vazhdojë nëse nuk reagon Qeveria e Kosovës”, thotë Radosavleviq për Radion Evropa e Lirë.

Radsoavleviq ka thënë më herët se ka pranuar të jetë drejtor i Departamentit për sport, rini dhe kulturë në Komunën e Leposaviqit, në mënyrë që të shfrytëzohet buxheti i planifikuar, derisa kriza në veri të vazhdojë.

Tani, ai shfaq besimin se do të gjendet një mënyrë për t’i shpallur zgjedhjet e reja në komunat në veri dhe se çdo gjë “do të kthehet në normalitet”.

Përgatitjet e fundit para votimit

Edhe pse duket se votimi i së dielës do të jetë i pasuksesshëm, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i Kosovës është duke i bërë përgatitjet e fundit.

Sipas udhëzimeve të publikuara, qytetarët mund të përgjigjen me “Po” ose “Jo” në pyetjen se a pajtohen që kryetari i njërës prej katër komunave në veri të Kosovës të shkarkohet.

Qendrat e votimit do të jenë të hapura nga ora 07:00 deri në 19:00.

Por, ajo që nuk dihet ende, është se ku do të hapen qendrat e votimit.

Zgjedhjet e fundit lokale, në prill të vitit 2023, u mbajtën në kontejnerë, për shkak se drejtorët e institucioneve arsimore nuk dhanë leje që qendrat e votimit të hapeshin në ambientet e tyre - gjë që ishte praktikë më herët. Institucionet arsimore në mjediset me shumicë serbe në Kosovë punojnë nën sistemin serb.

KQZ-ja tha se 33 institucione arsimore refuzuan t’i ofrojnë objektet e tyre për votimet për ose kundër largimit të kryetarëve shqiptarë në Mitrovicë të Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok.

Gjithashtu, u tha se po punohet në mënyrë intensive për gjetjen e lokacioneve të reja alternative, që do të shërbejnë si qendra votimi më 21 prill, ndonëse ligji “i detyron komunat dhe drejtorët e shkollave t’i ofrojnë ambientet publike për qëllime votimi”.

Ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla, tha më 18 prill se policia apo Ministria e Brendshme janë të gatshme t’i ndihmojnë KQZ-së për të organizuar një votim të mirë dhe paqësor.

Përgatiti: Valona Tela

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG