Ndërlidhjet

Çfarë dihet për varret masive të zbuluara në Gazë?


Palestinezët gjejnë trupa të varrosur në një varr masiv gjatë konfliktit të tanishëm mes Izraelit dhe Hamasit, në veri të Gazës, 15 prill 2024.
Palestinezët gjejnë trupa të varrosur në një varr masiv gjatë konfliktit të tanishëm mes Izraelit dhe Hamasit, në veri të Gazës, 15 prill 2024.

Reuters

Zbulimi i varreve masive në dy spitale në Gazë, të cilat përmbajnë qindra trupa njerëzish sipas autoriteteve palestineze, i kanë nxitur shefin e OKB-së për të drejtat e njeriut dhe të tjerët të bëjnë thirrje për nisjen e një hetimi ndërkombëtar.

Megjithëse nuk përcaktohet me ligj ndërkombëtar, varri masiv është një varr që përmban shumë trupa, dhe vërtetësia e tij mund të jetë e rëndësishme në vërejtjen e krimeve të mundshme të luftës.

Çfarë dihet për varret masive të zbuluara në Gazë?

Autoritetet palestineze thanë se një varr i zbuluar në spitalin Nasser, ndërtesën kryesore mjekësore në Gazën qendrore, përmban gati 400 trupa. Ai u zbulua pasi trupat izraelite u tërhoqën nga qyteti Han Junis.

Reporterët e agjencisë së lajmeve Reuters i panë të hënën punëtorët e ekipeve të emergjencës duke i nxjerrë nga dheu trupat në spitalin e rrënuar Nasser.

Një tjetër zonë varreze u zbulua nga autoritetet palestineze në spitalin Al Shifa në veri të Gazës, i cili ishte sulmuar nga forcat speciale izraelite. Reutersi i ka verifikuar pamjet e gërmimit të varreze në afërsi të këtij spitali prej nëntorit.

Zëdhënësja e Kombeve të Bashkuara, Ravina Shamdasani, tha të martën se nevojitet një hetim për ta vërtetuar numrin e trupave, por shtoi se “është e qartë se janë gjetur shumë trupa atje”.

“Disa prej tyre i kishin duart e lidhura, gjë që, natyrisht, lë të kuptohet se ka shkelje të rënda të ligjit ndërkombëtar për të drejtat e njeriut, dhe këto duhet të hetohen më thellësisht”, tha Shamdasani, duke folur në emër të komisionarit të lartë të OKB-së për të drejtat e njeriut, Volker Turk.

A ka nisur ndonjë hetim?

Gjykata Ndërkombëtare Penale në Hagë e ka një hetim aktiv për mizoritë e kryera më 7 tetor nga pjesëtarët e Hamasit – grupit të shpallur organizatë terroriste nga SHBA dhe BE – si dhe për përgjigjen e ushtrisë izraelite.

Zyra e prokurorit ka juridiksion në territoret palestineze, por nuk ka bërë komente publike për zbulimin e varreve masive.

Ku tjetër janë zbuluar varre masive?

Shembujt e fundit përfshijnë konfliktet në Sudan dhe në Ukrainë.

Kievi thotë se më shumë se 1.400 njerëz u vranë në një qytet në Buça gjatë okupimit të tij nga forcat ruse, pas fillimit të pushtimit të plotë të Ukrainës nga Moska, më 24 shkurt 2022. Më shumë se 175 viktima ishin gjetur në varre masive.

Në shënimin e dyvjetorit të ngjarjeve në Buça, prokurori i përgjithshëm i Ukrainës, Andriy Kostin, tha këtë muaj se vrasjet “bartin shenja të gjenocidit”.

Në rajonin perëndimor të Sudanit, Darfur, së paku 1.000 trupa ishin varrosur në varrezën Al Ghabat gjatë masakrave disajavëshe në qytetin El Geneina nga prilli deri në qershor 2023.

A është e jashtëligjshme përdhosja e varreve?

Sipas Konventës së Gjenevës nga viti 1949, të cilën e ka nënshkruar edhe Izraeli, palët në konflikt duhet t’i ndërmarrin të gjitha masat e mundshme për ta parandaluar “përdhosjen e trupit” të të vdekurit.

Ligji i së drejtës ndërkombëtare humanitare (IH) kërkon që i vdekuri të nderohet, si dhe të parandalohet përdhosja e varreve dhe të sigurohet identifikimi dhe varrosja e mirëfilltë e mbetjeve mortore.

IHL e parandalon gjithashtu gjymtimin, përdhosjen dhe llojet e tjera të mungesës së respektit për të vdekurin, ndërsa palëve u kërkon të ndërmarrin masa për t’i mbrojtur varret, përfshirë ato që përmbajnë shumë mbetje mortore.

Në vitin 2002, në një rast të vrasjes së palestinezëve në kampin e refugjatëve Xhenin në Bregun Perëndimor, Gjykata Supreme e Izraelit nxori aktvendim se Ministria e Mbrojtjes e Izraelit ishte përgjegjëse, në përputhje me ligjin ndërkombëtar, për “lokalizimin, identifikimin, evakuimin dhe varrosjen e trupave” të palestinezëve të vrarë në luftime.

Gjykatësit thanë se trupat nuk duhet të varrosen në varre masive, por duhet t’u dorëzohen autoriteteve palestineze.

Sipas Statutit të Romës të Gjykatës Ndërkombëtare Penale, përdhosja apo gjymtimi i trupave të vdekur është krim lufte dhe është shkelje e ndaluar në bazë të dinjitetit personal.

Akuzat nga autoritetet palestineze se Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF) i kishin varrosur trupat ishin “të pabaza”, tha IDF-ja.

A kanë qenë varret masive të rëndësishme në gjyqet e kaluara për krime lufte?

Dëshmitë nga zhvarrosjet prej varreve masive kanë luajtur rol vendimtar në gjyqet e Gjykatën Ndërkombëtare Penale për ish-Jugosllavinë (ICTY), e cila e shpalli gjenocid vrasjen e 8.000 burrave dhe djemve myslimanë nga forcat serbe të Bosnjës më 1995.

Në gjyqin e gjeneralit serb të Bosnjës, Radisllav Kërstiq - i cili ishte njeriu i parë që u dënua për akuzat për gjenocid nga ICTY-ja - gjykatësit gjetën prova nga zhvarrosjet të cilat treguan se qindra viktima ishin varrosur me sy të mbyllur dhe me duart të lidhura pas shpinës. Sipas tyre, kjo ishte dëshmi e mjaftueshme për të ardhur në përfundim se ata nuk ishin vrarë në luftime.

“Varret masive përmbajnë dëshmi vendimtare për ta gjetur të vërtetën rreth ngjarjeve që kanë ndodhur”, tha Komisioni Ndërkombëtar për Persona të Zhdukur të mërkurën, në një komunikatë për Gazën.

Ky Komision, i cili ndihmoi në identifikimin e mijëra viktimave të varrosura në varre masive gjatë lugëtarëve në Ballkan në vitet ’90, tha se në rast se janë kryer krime “këto procese e bëjnë më të lehtë të sillen para drejtësisë kryerësit e tyre”.

Cilat janë pasojat e shkeljes së ligjeve për varret masive?

Nëse rivarrosja apo hapja e varreve masive ka shkaktuar përdhosje të mbetjeve mortore, mund të ngrihen aktakuza nga Gjykata Ndërkombëtare Penale.

Raportimet për përpjekjet për mbulimin e krimeve duke futur njerëz në varre masive mund të përdoren në gjykatë si prova për ta mbështetur qëndrimin se kryerësit e dinin se vrasjet ishin të jashtëligjshme.

Rastet e konfirmuara të njerëzve të vrarë me duart të lidhura pas shpine mund të përdoren nga gjykatësit për të konkluduar se të vrarët nuk ishin luftëtarë aktivë.

Sipas statutit të Gjykatës Ndërkombëtare Penale, vrasja apo plagosja e një luftëtari në paraburgim është krim lufte.

Përgatiti: Ekrem Idrizi

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG