Biden arrin në Shtëpinë e Bardhë
Presidenti i ri i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, arriti në Shtëpinë e Bardhë, i shoqëruar nga zonja e parë, Jill, dhe anëtarë të tjerë të familjes së tij.
Biden bëri të mërkurën betimin si presidenti i 46-të i Shteteve të Bashkuara.
Liderët e Ballkanit urojnë Bidenin
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, e ftoi presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, që ta vizitojë Serbinë.
Në urimin e tij drejtuar Bidenit, pas inaugurimit të tij si presidenti i 46-të i Shteteve të Bashkuara, Vuçiq kujtoi se këtë vit shënohet 140-vjetori i vendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis Serbisë dhe Shteteve të Bashkuara.
Presidenti i Malit të Zi, Millo Gjukanoviq, e uroi presidentin amerikan me dëshirën për sukses në përmbushjen e detyrave të tij.
“Dua t'ju siguroj se Malin e Zi do ta keni një mik të sinqertë, partner të besueshëm dhe një aleat të përgjegjshëm, në përballje me sfidat komplekse globale dhe çështjet e hapura në Ballkanin Perëndimor", thuhet në urimin e Gjukanoviqit.
Anëtari i presidencës trepalëshe të Bosnje dhe Herzegovinës, Shefik Xhaferoviq, tha se inaugurimi i Bidenit ngjall shpresën "jo vetëm te kombi i madh amerikan, por te të gjithë njerëzit me qëllime të mira në të gjithë botën".
“Urime presidentit të ri të SHBA-së, Joe Biden. Shtetet e Bashkuara janë partneri ynë strategjik, i cili gjithmonë ka mbështetur demokracinë në vend dhe integrimin tonë euro-atlantik”, thuhet në mesazhin e presidentit të Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski.
Mesazhin e ushtrueses së detyrës së presidentit të Kosovës, Vjosa Osmani, mund ta lexoni këtu.
Biden dhe Harris vendosin kurora me lule te Varri i Ushtarit të Panjohur
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, dhe nënpresidentja Kamala Harris vendosën kurora me lule te Varri i Ushtarit të Panjohur në Varrezat e Arlingtonit.
Në këto varreza janë trupat e ushtarëve të vrarë amerikanë që nga Lufta Civile.
Atje po ashtu janë varrosur dy ish-presidentët amerikanë: John F. Kennedy dhe William H. Taft.
Ish-presidentët Bill Clinton, George W. Bush dhe Barack Obama shoqëruan Bidenin dhe Harrisin.
Varri i Ushtarit të Panjohur është një nga pjesët më të vizituara të Varrezave të Arlingtonit, ku pushojnë mbi 400,000 burra dhe gra.
Të varrosura atje janë eshtrat e ushtarëve nga Lufta e Parë Botërore, Lufta e Dytë Botërore, Lufta Koreane dhe Lufta e Vietnamit.
“Ende presidenti im”
Ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, arriti në Florida, pak kohë para se presidenti i ri, Joe Biden, të bënte betimin.
Turma të mbështetësve dolën në rrugë për ta pritur.
Ata mbanin në duar parulla si: “Ende presidenti im” dhe “Trump ka fituar”.
Trump nuk ka marrë pjesë në inaugurimin e presidentit Biden.
Ai nuk e ka pranuar kurrë publikusht humbjen kundrejt Bidenit, duke pretenduar - pa asnjë provë - se zgjedhjet janë vjedhur.