Osmani: Në krye të SHBA-së prej sot është miku i Kosovës
Ushtruesja e detyrës së presidentit të Kosovës, Vjosa Osmani, uroi presidentin e ri të Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, me, siç tha, “besimin e fuqishëm se amerikanët kanë bërë zgjedhjen e duhur”.
Biden u inaugurua të mërkurën si presidenti i 46-të amerikan.
“Në krye të shtetit tonë aleat, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, prej sot është miku i Kosovës, presidenti Joe Biden”.
“Amerika është sinonim i demokracisë dhe promovimit të vlerave. Raportet e shkëlqyeshme të Kosovës me SHBA-në janë jo vetëm miqësore, por ekzistenciale”, tha Osmani.
Biden ka vizituar Kosovën për herë të fundit në vitin 2016, derisa ka qenë duke shërbyer si nënpresident i Shteteve të Bashkuara.
Ai vazhdimisht ka shprehur mbështetje për pavarësinë e Kosovës, duke thënë se shtetësia e saj është e pakthyeshme.
Në vitin 1999, Biden, atëbotë senator, i ka mbështetur edhe sulmet e NATO-s kundër caqeve të ushtrisë serbe, për ndaljen e dhunës në Kosovë.
Video: Kosova falënderon Amerikën
Kremlini: Marrëdhëniet do të varen nga Biden dhe ekipi i tij
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha se Rusia do të përpiqet të krijojë “marrëdhënie të mira me Shtetet e Bashkuara”, porse kjo “do të varet nga Biden dhe ekipi i tij”.
Peskov i bëri komentet në ditën kur Joe Biden u betua në postin e presidentit amerikan.
Edhe pse marrëdhëniet SHBA-Rusi mbetën të tensionuara gjatë mandatit të ish-presidentit Donald Trump, ky i fundit kishte marrëdhënie personale miqësore me presidentin rus, Vladimir Putin.
Trump rrallë e ka kritikuar Putinin për abuzim të të drejtave të njeriut ose për aktivitete "malinje", të tilla si sulmet kibernetike dhe ndërhyrjet në zgjedhje.
Inteligjenca amerikane ia ka atribuar këto aktivitete Rusisë, por Trump ka thënë se këto krime mund të ishin kryer edhe nga shtete të tjera.
“Presim që administrata e re e SHBA-së të marrë një qasje më konstruktive në dialogun e saj me ne”, tha përmes një deklarate Ministria e Jashtme ruse.
Evropa dhe NATO i gëzohen bashkëpunimit me Bidenin
Udhëheqësit evropianë shpresojnë në përmirësimin e marrëdhënieve me Shtetet e Bashkuara, tani që Joe Biden është betuar si presidenti i 46-të i këtij vendi.
“Mezi pres të punoj me të [Bidenin] dhe me administratën e tij të re, duke forcuar partneritetin midis vendeve tona dhe duke punuar në prioritetet tona të përbashkëta: nga trajtimi i ndryshimeve klimatike, rimëkëmbja nga pandemia, deri te forcimi i sigurisë sonë transatlantike”, tha kryeministri britanik, Boris Johnson.
“Le të ndërtojmë një pakt të ri për një Evropë më të fortë, për një Amerikë më të fortë dhe për një botë më të mirë”, tha Charles Michel, president i Këshillit Evropian.
“Një NATO e fortë është mirë edhe për Amerikën Veriore, edhe për Evropën, sepse askush prej nesh nuk mund t’i përballojë sfidat i vetëm. Sot është fillimi i një kapitulli të ri dhe unë mezi pres bashkëpunimin tonë të ngushtë”, tha sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg.
Transferimi i pushtetit te Bideni sjell me vete “shpresën se bashkësia ndërkombëtare mund të punojë së bashku në të ardhmen, më ngushtë dhe më mirë, për t’i zgjidhur problemet e mëdha të kohës sonë”, tha presidenti i Gjermanisë, Frank-Walter Steinmeier.
“Me padurim presim të ndërtojmë një marrëdhënie të fortë, të dobishme dhe të rinovuar me presidentin Biden”, tha zëdhënësi i Qeverisë franceze, Gabriel Attal.
Ish-presidenti Donald Trump është përplasur me homologët e tij evropianë për një varg çështjesh, nga tregtia deri te shpenzimet e mbrojtjes.
Ai shpesh e ka qortuar publikisht kontinentin për politikat e tij.
Presidenti i 46-të i SHBA-së duke u betuar