Ndërlidhjet

Presidenti i SHBA-së, Joe Biden.
Presidenti i SHBA-së, Joe Biden.

Biden bëhet presidenti i 46-të i Shteteve të Bashkuara

Amerikanët kanë mirëpritur të mërkurën një president të ri në Shtëpinë e Bardhë. Joe Biden bëri betimin si presidenti i 46-të i Shteteve të Bashkuara.

  • Demokrati Joe Biden u inaugurua të mërkurën si presidenti i 46-të i Shteteve të Bashkuara. Kamala Harris po ashtu bëri betimin si nënpresidente.
  • Biden, 78 vjeç, është presidenti më i vjetër amerikan që merr detyrën.
  • Ai i ka fituar zgjedhjet presidenciale të 3 nëntorit, 2020, kundrejt presidentit të deritanishëm, Donald Trump. Kongresi e ka miratuar fitoren e tij më 6 janar.
  • Inaugurimi është një ceremoni zyrtare që shënon fillimin e një presidence të re në Shtetet e Bashkuara dhe, sipas ligjit, zhvillohet më 20 janar në Uashington.
  • Presidenti bëri betimin me fjalët: “Betohem solemnisht se do ta përmbush me besnikëri detyrën time si president i Shteteve të Bashkuara dhe se do ta ruaj dhe mbroj më së miri Kushtetutën e Shteteve të Bashkuara”.
  • Ceremonia e inaugurimit sivjet ishte ndër më të pazakonshmet në historinë e Shteteve të Bashkuara. Ajo u zhvillua nën masa të pashembullta të sigurisë, të cilat pasuan dhunën e 6 janarit në ndërtesën e Kongresit.
  • Presidenti i deritanishëm, Donald Trump, nuk mori pjesë në ceremoni.
  • Pjesëmarrja e publikut në inaugurim ishte po ashtu rreptësisht e kufizuar, për shkak të pandemisë së koronavirusit.
15:17 20.1.2021

Harris nderon gratë që “shtruan rrugën për këtë moment”

Pas pak orësh, Kamala Harris do të bëhet nënpresidentja e parë amerikane grua dhe me ngjyrë.

Derisa përgatitet të marrë rolin, ajo nderoi gratë që, siç tha, kanë ardhur para saj.

“Unë jam këtu sot për shkak të grave që erdhën para meje”, shkroi Harris në Twitter.

Në një video shoqëruese, ajo përmendi nënën e saj, gratë me ngjyrë, gratë aziatike, të bardha, latine, autoktone, të cilat tha se “kanë shtruar rrugën për këtë moment”.

15:03 20.1.2021

Kush është Joe Biden?

Joe Biden së shpejti do të inaugurohet si president i SHBA-së. Si politikan karriere, ai shërbeu si senator për tri dekada dhe më vonë si zëvendës i presidentit Barack Obama.

Shikojeni profilin e tij në këtë video:

Profili i presidentit të zgjedhur të SHBA-së, Joe Biden
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:07:48 0:00

14:55 20.1.2021

BE-ja bën thirrje për një fillim të ri të raporteve me SHBA-në

Bashkimi Evropian bëri thirrje për një fillim të ri të raporteve me SHBA-në, në ditën kur presidenti i zgjedhur, Joe Biden, bën betimin.

Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, foli për nevojën e një “pakti të ri" në marrëdhëniet transatlantike dhe e ftoi Bidenin për një samit SHBA-BE, që do të mbahej në Bruksel.

“Sot është mundësia e rinovimit të raporteve transatlantike, të cilat kanë pësuar gjatë katër vjetëve”, tha Michel, duke shtuar se SHBA-ja dhe BE-ja duhet të punojnë së bashku për paqen, sigurinë, prosperitetin, lirinë, të drejtat e njeriut dhe barazinë gjinore.

Michel i bëri komentet në një seancë plenare të Parlamentit Evropian.

Ai nuk e shtjelloi më shumë idenë e një pakti të ri SHBA-BE, por tha se përmes tij duhen rritur marrëdhëniet shumëpalëshe, të trajtohet pandemia COVID-19 dhe ndryshimi i klimës, si dhe të adresohen çështjet ekonomike dhe të sigurisë.

Edhe presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, foli me tone të ngjashme.

“Ky agim i ri në Amerikë është momenti që kemi pritur”, tha von der Leyen.

BE-ja dhe Shtetet e Bashkuara janë fuqitë kryesore tregtare në botë dhe kanë lidhje të ngushta kulturore, historike, biznesi dhe mbrojtjeje, por presidenti në largim i SHBA-së, Donald Trump, ka bërë përpjekje ta shmangë BE-në.

14:43 20.1.2021

Trump: Kemi arritur aq shumë bashkë

“Kanë qenë katër vjet të pabesueshëm. Kemi arritur aq shumë së bashku”, tha presidenti në largim i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, pak minuta pasi doli nga Shtëpia e Bardhë.

Trump dhe zonja e parë, Melania, ndaluan në bazën “Joint Base Andrews” në Merillend, ku u pritën nga anëtarë të tjerë të familjes Trump dhe mbështetës të tyre.

“Ajo që kemi bërë, ka qenë e mahnitshme me të gjitha standardet”, tha Trump, duke përmendur ndryshimet në ushtrinë amerikane, krijimin e vaksinës kundër koronavirusit e të tjera.

Melania Trump tha se të qenët zonjë e parë, ka qenë “nderi i jetës së saj”.

Trump është presidenti i parë në 152 vjet që nuk merr pjesë në ceremoninë e inaugurimit të presidentit të zgjedhur.

Ai nuk e ka pranuar kurrë humbjen ndaj demokratit Joe Biden, por ka pretenduar, pa sjellë ndonjë provë, se zgjedhjet janë vjedhur.

Trump dhe zonja e parë do të udhëtojnë drejt Floridës.

Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG