Trump del nga Shtëpia e Bardhë
Presidenti në largim i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, së bashku me zonjën e parë, Melania, kanë dalë nga Shtëpia e Bardhë, pak minuta pas orës 08:00, sipas kohës lokale.
Trump ka paralajmëruar qysh më herët se nuk do të marrë pjesë në ceremoninë e inaugurimit të presidentit të zgjedhur, Joe Biden.
Trump është nisur me helikopterin Marine One drejt bazës ushtarake Joint Base Andrews, në Merillend.
Kjo është hera e parë në 152 vjet që presidenti në largim nuk merr pjesë në inaugurimin e presidentit të zgjedhur.
Trump nuk e ka pranuar kurrë humbjen ndaj Bidenit. Ai ka bërë pretendime të pabaza për mashtrime në zgjedhje.
Lady Gaga: Një ditë për dashuri, jo urrejtje
Lady Gaga do të këndojë himnin kombëtar në ceremoninë e inaugurimit të presidentit të zgjedhur të Shteteve të Bashkuara, Joe Biden.
Të martën, ylli i popit ka bërë një vizitë solemne në ndërtesën e Kongresit.
”Lutem që nesër [e mërkurë] të jetë një ditë e paqes për të gjithë amerikanët. Një ditë për dashuri, jo urrejtje. Një ditë për pranim, jo frikë”, ka shkruar, mes tjerash, Lady Gaga në Twitter.
Ajo ka bërë edhe fushatë me Bidenin, duke u paraqitur me të në prag të zgjedhjeve të nëntorit të kaluar.
Në ceremoninë e inaugurimit të presidentit në largim, Donald Trump, himnin kombëtar e ka kënduar Jackie Evancho.
Lamtumira e Trumpit
Presidenti në largim i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, nuk do të marrë pjesë në ceremoninë e inaugurimit të presidentit të zgjedhur, Joe Biden.
“Për të gjithë ata që kanë pyetur, unë nuk do të shkoj në inaugurim më 20 janar”, ka shkruar Trump në Twitter, më 8 janar.
Trump nuk e ka pranuar ende plotësisht rezultatin e zgjedhjeve të 3 nëntorit, në të cilat ka humbur kundrejt Bidenit.
Të martën mbrëma, ai ka bërë adresimin e fundit si president.
“Kam marrë pjesë në beteja të vështira, në luftimet më të vështira, në zgjedhjet më të vështira, sepse për këtë më keni zgjedhur”, ka thënë Trump në një video-mesazh të postuar në YouTube.
Dy javët e fundit të mandatit të Trumpit janë dominuar nga pasojat e trazirave vdekjeprurëse në Kongresin amerikan.
Më 6 janar, një turmë e mbështetësve të Trumpit ka sulmuar Kongresin, duke kërkuar përmbysjen e rezultatit zgjedhor. Pesë persona kanë mbetur të vdekur.
“Dhuna politike është sulm ndaj gjithçkaje që ne, si amerikanë, e vlerësojmë. Ajo nuk mund të tolerohet kurrë”, ka thënë Trump të martën, duke mos përmendur me emër pasardhësin e tij.
Joe Biden pritet të marrë udhëheqjen e Shtëpisë së Bardhë
Amerikanët mirëpresin sot një president të ri në Shtëpinë e Bardhë. Joe Biden do të bëjë betimin si presidenti i 46-të i Shteteve të Bashkuara.
Ceremonia e inaugurimit, sipas traditës, do të zhvillohet në shkallët e Kongresit amerikan, në mesditë - sipas kohës lokale.
Biden ka mbërritur tashmë në Uashington, së bashku me gruan e tij, Jill.
Të hënën, ai ka mbajtur një fjalim lamtumirës në shtetin e tij, Dellauer.
“Ju keni qenë me mua gjatë gjithë karrierës sime, në kohëra të mira dhe të këqija. Dua t'ju falënderoj për gjithçka”.
“Kur unë të vdes, Dellauer do të shkruhet në zemrën time”, ka thënë Biden.
Përpara se të shërbente tetë vjet si nënpresident i Shteteve të Bashkuara - nga viti 2009 deri më 2017 - Biden ka kaluar mbi tri dekada në Senatin amerikan, duke përfaqësuar shtetin e Dellauerit.
Betimin do ta bëjë sot edhe nënpresidentja e zgjedhur amerikane, Kamala Harris.