Zyrtarët në Bruksel thanë për Radion Evropa e Lirë se ende nuk ka një datë të caktuar se kur do të mbahet takimi i ardhshëm ndërmjet delegacioneve të Kosovës dhe Serbisë. Takimi i radhës, pritet që të jetë në nivelin teknik, për t’i paraprirë takimit në nivelin politik.
Maja Kocijançiq, zëdhënëse e Përfaqësueses së Lartë të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, tha se është duke u punuar për caktimin e një date.
"Unë nuk mund ta përmendi ndonjë datë në këtë moment. Në momentin kur ta kemi datën dhe të gjithë pajtohen, unë do ta bëj publike datën si dhe agjendën. Gjithmonë do ta bëj një gjë te tillë, por për momentin nuk mundem", tha Kocijançiq.
Përderisa nuk dihet data e takimit të radhës, delegacioni i Kosovës ka udhëtuar për në Bruksel. Koordinatori i Qeverisë së Kosovës për dialogun me Serbinë, Avni Arifi, tha për Radion Evropa e Lirë se delegacioni kosovar do të bëjë prezantimin e të arriturave në procesin e dialogut me Serbinë, para përfaqësuesve të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian.
Ai tha se delegacioni i Kosovës do t’i njoftojë zyrtarët e BE-së për të arriturat, por edhe për ngecjet që pala serbe është duke i shkaktuar procesit.
"Ne jemi të përgatitur, do të flasim për angazhimet tona, por njëkohësisht do të flasim edhe për bllokadat që kemi. Ne nuk kemi njohuri se a është pala serbe në atë takim, por për hir të informimit të opinionit, ne nuk kemi takim me palën serbe", tha Arifi.
Arifi tha se pala nga Kosova i ka parashtruar kërkesat për takimin dhe temat që pritet të diskutohen, por sipas tij, ende nuk ka ndonjë përgjigje.
"Dy kërkesa i kemi bërë edhe në prill edhe në maj, për të rifilluar bisedimet dhe në rend të parë duhet të jetë energjia. Nuk kemi marrë përgjigje ende. Ne kemi pasur një ofertë për të dëgjuar prezantimin se deri ku kanë arritur rezultatet në hartimin e statutit, nuk kemi treguar interesim sepse ka prioritete më të mëdha. Për ne nuk ka marrëveshja më pak të rëndësishme dhe më shumë të rëndësishme, të gjitha marrëveshjet janë me rëndësi dhe jemi serioz në këtë aspekt", tha Arifi.
Nga ana tjetër, njohësja e procesit të dialogut Kosovë - Serbi, Jeta Krasniqi, analiste nga Instituti Demokratik i Kosovës, duke folur Radion Evropa e Lirë thekson se dialogu mes palëve duhet të vazhdojë. Ajo thekson se për krijimin e një atmosfere më të mirë në këtë proces, fillimi i zbatimit të marrëveshjeve do të krijonte një klimë më të mirë për takimet në vazhdim.
"Brukseli duhet të kërkojë nga të dyja palët që të zbatojnë marrëveshjet të cilat i kanë arritur edhe të sanksionojë palët të cilat nuk i zbatojnë ato marrëveshje. Sanksionimi mund të vijë me anë të mjeteve të cilat BE-ja i ka, siç është rrugëtimi palëve drejt BE-së. Është absurde të mendosh që mund të kemi një proces përmbyllës të dialogut ende pa e ditur se çka është duke ndodhur me marrëveshjet që janë arritur në vitin 2011", tha Krasniqi.
Ajo tha se, përderisa Serbia, tashmë ka ndërtuar një pozicion më stabil për dialogun, Kosova nuk e ka bërë një gjë të tillë.
Sipas saj, Kosova duhet të ketë një konsensusi politik karshi procesit të dialogut .
"Ne nuk jemi duke parë që ka një konsensus në palën kosovare rreth së ardhmes së këtij procesi. Nuk e kemi parë platformën e Qeverisë e cila është dërguar në Kuvend e më pas është tërhequr. Ndërsa nga ana e Kuvendi nuk kemi parë asnjë nismë konkrete drejt ndërtimit të një konsensusi politik apo qoftë edhe të diskutimit, mbajtjes së organizimit të një seance ku do të adresoheshin qëndrimet e ndryshme të partive politike rreth këtij procesi", tha Krasniqi.
Sidoqoftë, sipas zyrtarëve të Qeverisë së Kosovës, ftesa e ardhshme e Brukselit për vazhdimin e dialogut me Serbinë, do të duhej të përmbante temat për ngecjet në zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të arritura. Në të kundërtën, sipas tyre, ftesa për vazhdimin e dialogut nuk do të kishte kuptim.
Institucionet e Kosovës po këmbëngulin në zbatimin e marrëveshjeve të arritura, të cilat sipas Prishtinës janë bllokuar nga Beogradi. Para së gjithash, përmenden marrëveshjet për energjinë, ajo për hapjen e urës mbi lumin Ibër, kthimi i dokumenteve kadastrale, njohja e diplomave dhe lejimi i funksionimit të objekteve të marra me qira në veri të Kosovës. Pala serbe, në anën tjetër, insiston në formimin sa më të shpejtë të Asociacionit apo Bashkësisë së komunave me shumicë serbe.