Ndërlidhjet

Brukseli “shkoi” në plazh


Pas 21 korrikut, ka më shumë gjasa të gjeni zyrtarë të BE-së në një plazh në Greqi sesa në Bruksel.
Pas 21 korrikut, ka më shumë gjasa të gjeni zyrtarë të BE-së në një plazh në Greqi sesa në Bruksel.

Redaktori për Evropën i Radios Evropa e Lirë, Rikard Jozwiak, shpjegon se çfarë ndodh me të vërtetë në Bruksel gjatë sezonit të verës.

Si funksionon Brukseli gjatë pushimit të gjatë të verës

Një zyrtar i Komisionit Evropian më dërgoi një mesazh derisa ishte jashtë zyrës duke më informuar se do të kthehet në punë më 3 shtator. Pasi që ky email është dërguar diku në mes të muajit korrik, siç duket është një periudhë e konsiderueshme pushimi veror. Megjithatë, ky është Brukseli dhe unë jam mësuar me të me kalimin e viteve teksa mbuloj tema për NATO-n dhe Bashkimin Evropian.

Nëse ka një ditë, për të cilën të gjithë “tipat” e Brukselit (përfshirë veten time) pajtohen se është rëndësishme, është 21 korriku. Pse? Së pari, është Dita Kombëtare e Belgjikës, disa nga parqet e qytetit do të jenë të hapura për një festë publike me fishekzjarrë gjatë natës dhe shëtitje në panair.

Por, më e rëndësishmja konsiderohet të jetë "dita e ndërprerjes" për zyrtarët dhe burokratët, një lloj "sinjalizuesi për një pushim të ardhshëm".

Kuptohet, këtë vit ambasadorët e 27 vendeve anëtare të BE-së janë ende në takime deri më 26 korrik, dhe ministrat e agrikulturës të bllokut u mblodhën gjithashtu në kryeqytetin belg një ditë më parë. Por, përndryshe, të gjithë ata që janë në flluskën e Brukselit e dinë se deri më 21 korrik, tavolinat e punës duhet të pastrohen, kostumet për notim të bëhen gati dhe të gjitha çështjet e pazgjidhura politike të zgjidhen.

Sepse asgjë nuk ndodh realisht në BE deri më 1 shtator. Asnjë samit, as mbledhje këshilli, as plenare apo komitete të Parlamentit Evropian, as mbledhje diplomatike apo zyrtare. Nëse shkoni në sheshin e BE-së në Bruksel, rreth një kilometër katror ose në dy ndërtesa moderne zyrash prej betoni dhe xhami, midis aeroportit dhe qendrës historike të qytetit, në muajin gusht do të gjeni një qytet fantazmë.

Fëmijë të vegjël duke luajtur në një burim uji në një ditë të nxehtë vere në Bruksel, Belgjikë (korrik 2019).
Fëmijë të vegjël duke luajtur në një burim uji në një ditë të nxehtë vere në Bruksel, Belgjikë (korrik 2019).

Në Evropë, kjo nuk konsiderohet si diçka e jashtëzakonshme. Shumë parlamente kombëtare kanë pushime që shtrihen në disa javë gjatë verës -- shpesh për të përkuar me pushimet shkollore që në shumicën e vendeve anëtare të BE-së zgjasin për një pjesë të mirë të korrikut dhe të gjithë muajit gusht.

Legjislacioni i BE-së obligon që të gjitha shtetet anëtare duhet t'u japin të gjithë punëtorëve një minimum prej katër javësh pushime me pagesë në vit -- shumë kompani dhe institucione shtetërore në të gjithë BE-në ofrojnë më shumë. Në institucionet e BE-së, zyrtarët shpesh marrin edhe përfitime të tilla si "ditët e udhëtimit" për në dhe nga vendi i tyre; stafi shpesh grumbullon mjaftueshëm ditë të lira për të mbuluar më shumë se një muaj.

Është detyra ime solidare evropiane të shkoj në Mesdhe dhe të shpenzoj, shpenzoj, shpenzoj".

Një justifikim për pushimet më të gjata që dëgjohet shpesh nga këta persona në Bruksel, është se ka “domethënie ekonomike”. Nuk mund të vërtetoj se shifrat janë në rritje, por duke parë vendet më të vizituara në botë nga turistët, Franca dhe Spanja kryesojnë listën, si dhe katër shtete të tjera anëtare të BE-së bëjnë top 10-shen.

Për PBB-në e kaq shumë vendeve të BE-së, turizmi dhe e gjithë infrastruktura e sektorit të shërbimeve të ndërtuara rreth tij, është thelbësor. Ose, siç më tha me sarkazëm një zyrtar nga Brukseli pak para nisjes: "Është detyra ime solidare evropiane të shkoj në Mesdhe dhe të shpenzoj, shpenzoj, shpenzoj".

Pushimi i gjatë i Brukselit, megjithatë, mund të shkaktojë njëfarë habie në mbarë botën, pasi krizat ndërkombëtare nuk ndalen vetëm sepse zyrtarët e BE-së janë në plazh ose shëtitje në Alpe. Një shkrimtar i vjetër i Brukselit e tha shkurt: "Vendet dhe liderët që duan të bëjnë keq e dinë se koha më e mirë për të goditur është rreth Krishtlindjeve ose në fund të korrikut/gushtit. Ne thjesht i kushtojmë më pak vëmendje".

Në fakt, çështjet e politikës së jashtme pothuajse gjithmonë pengojnë pushimet e zyrtarëve të BE-së. Shikoni tre vjetët e fundit.

Në vitin 2020 ishin zgjedhjet presidenciale të manipuluara në Bjellorusi dhe shtypja e demonstruesve. Në vitin 2021, talibanët morën Kabulin dhe vendet perëndimore u detyruan të luftonin për të evakuuar personelin nga Afganistani.

*Video nga arkivi: Realitet i ri: Afganistani në duart e talibanëve

Dhe, vitin e kaluar, pati shumë debate në vendet në kufi me Rusinë -- veçanërisht treshja baltike dhe Finlanda -- për kufizimin apo edhe ndalimin e hyrjes së pushuesve rusë në vende si Helsinki dhe Talini, në mënyrë që të shkonin në jug drejt klimave më të ngrohta të bllokut.

Pavarësisht mungesave, BE-ja reagoi relativisht shpejt për të tria ngjarjet, duke organizuar takime të shpejta me zyrtarët kryesorë, duke dhënë deklarata me kohë dhe përfundimisht duke dalë me propozime politikash.

Lufta pesëditore midis Rusisë dhe Gjeorgjisë në vitin 2008 ishte ndoshta shembulli më flagrant i një gabimi të gushtit, në të cilin BE-ja u kap plotësisht në befasi.
Ishte vera ime e parë në Bruksel si gazetar dhe përgjigjja e BE-së ishte kaotike.

Ministrat e Jashtëm të BE-së u mblodhën në Bruksel menjëherë pas konfliktit dhe nuk arritën të bien dakord për shumë gjëra, pasi ishin kaq të ndarë se si të silleshin me Rusinë. Nuk kishte sanksione të vendosura ndaj Kremlinit; në fakt, ata nuk mund të bien dakord as për shtyrjen e bisedimeve për një marrëveshje të re partneriteti BE-Rusi që ishte në punë në atë kohë, apo edhe nëse do të dërgonin një mision monitorues për të vëzhguar armëpushimin.

Në atë kohë, presidenti francez, Nicolas Sarkozy, u përfshi në negociatat e armëpushimit, ndërsa presidentët e tri republikave baltike dhe të Polonisë (si dhe Ukraina, shtet jo-anëtar i BE-së) nxituan në Tbilisi për të demonstruar mbështetjen e tyre. Me pak fjalë, ishte një rrëmujë, dhe në fund, Brukseli dështoi të miratonte ndonjë legjislacion serioz dhe të qëndrueshëm kundër luftës.

Lufta e Gjeorgjisë, nga ana tjetër, nxiti një rimendim se si duhet të funksionojë blloku në ditët e verës. Krijimi i trupit diplomatik të BE-së, Shërbimi Evropian i Veprimit të Jashtëm, dy vjet pas konfliktit të Gjeorgjisë, pa dyshim ka rritur të menduarit strategjik dhe koordinimin brenda bllokut.

Por, ndoshta përfitimi më i madh për koordinimin diplomatik evropian ka qenë përparimi teknologjik. Sot, të gjithë zyrtarët e BE-së janë “ngjitur” pas telefonave të tyre inteligjentë, shumë prej të cilëve komunikojnë në grupet Signal ose WhatsApp.

Kjo, e kombinuar me platformat e takimeve në internet si Teams ose Zoom, përdorimi i të cilave u përsos gjatë periudhës së pandemisë së COVID-19, do të thotë që zyrtarët dhe burokratët janë shumë më fleksibilë dhe më të aftë për të diskutuar, madje ndoshta edhe për të miratuar një deklaratë nga një shtëpi ferme toskane ose nga zonat e egra të bregdetit të Detit të Veriut.

Ajo që nuk ka ndryshuar është se zyrtarët e BE-së (ose zëvendësit e tyre) ende duhet të takohen fizikisht në Bruksel për të miratuar politikën, për shembull, vendosjen e sanksioneve. Megjithatë, ambasadorët e shteteve anëtare në BE mund t'i marrin ato vendime pa ministra në fushat përkatëse të politikave. Me një dritë jeshile nga kryeqytetet e tyre përkatëse, ata mund të marrin vendime -- të tilla si sanksione ose, për të përdorur një shembull të fundit, dërgimin shumave të mëdha të parave në Ukrainë, nëpërmjet të ashtuquajturës "procedurë e shkruar", që do të thotë se ata e miratojnë brenda një afati të caktuar kohor, zakonisht një ditë.

Ata gjithashtu mund të përdorin "procedurën e heshtur", që do të thotë se diçka konsiderohet e miratuar në Këshillin e Bashkimit Evropian -- ku 27 vendet anëtare të BE-së mblidhen dhe marrin vendime, zakonisht me unanimitet për çështjet që lidhen me politikën e jashtme -- përveç nëse një vend e thyen heshtjen brenda një periudhe të caktuar kohore.

Po NATO-ja, institucioni tjetër gjigant në kryeqytetin belg? Ka tendencë të ketë pak më shumë një stil "amerikan", në këtë rast, që do të thotë pushime më të shkurtra. Këshilli i Atlantikut të Veriut, organi kryesor vendimmarrës i aleancës ushtarake, vazhdon mbledhjet e tij në muajin gusht, megjithëse zakonisht merr një pushim dyjavor në mes të muajit.

Në zyrat thuajse të zbrazëta të Bashkimit Evropian, kanë mbetur disa zyrtarë “pa fat” për të kryer punë. Një zyrtar, me të cilin fola, tha se do të përpiqen të marrin kurse të gjuhës online këtë verë, sigurisht nëse ka kohë. Një tjetër ka një qëllim edhe më ambicioz: leximin e mijëra faqeve të akteve ligjore që përbëjnë 11 paketat e sanksioneve të BE-së të vendosura ndaj Rusisë që nga pushtimi në shkallë të plotë të Ukrainës në shkurt të vitit 2022.

Sa i përket gazetarëve, vlen diçka e ngjashme gjithashtu. Përveç përgatitjes së nekrologjive të ardhshme të liderëve të BE-së, kujtimi im i preferuar ishte zbulimi i veprave artistike ndonjëherë absurde në ndërtesën e Parlamentit Evropian. (Një shembull i dukshëm është një kalë gjigant metalik që i është dhënë parlamentit nga ish-kryeministri italian, Silvio Berlusconi.) Madje, kam qenë dëshmitar i rritjes së Pemës së Integrimit të Parlamentit Evropian -- një shkallë gjashtëkatëshe e zbukuruar me shumë shufra hekuri të lidhur. Një herë në vit, një pastrues pajiset me një fshesë dhe i jepet si detyrë ta fshijë atë. Është goxha një spektakël.

Pritjet

Siç u përmend më lart, nuk po ndodh shumë në Bruksel këtë javë, por ambasadorët e BE-së ende janë duke mbajtur takime dhe potencialisht mund të marrin disa vendime kyçe. Njëra është se ata mund të japin një dritë jeshile për më shumë sanksione ndaj Bjellorusisë. Një propozim për të goditur më fort regjimin e Lukashenkas u paraqit në janar, por është bllokuar, kryesisht nga Lituania, sepse përmbante edhe shpërfilljen e sanksioneve për kaliumin bjellorus.

Minerali është një nga burimet kryesore të të ardhurave për regjimin bjellorus, dhe nëse do të lejohej të transportohej përsëri, me shumë mundësi do të kalonte territorin e Lituanisë, diçka që Vilnius e kundërshton ashëpr.

Kjo paketë e re është më e vogël dhe sugjeron vetëm përgatitjen e komponentëve të aviacionit bjellorus dhe të fushëbetejës. Ajo që është më e rëndësishmja, ai nuk përmban asnjë përjashtim, duke përfshirë kaliumin, për produktet tashmë të sanksionuara, që do të thotë se Vilnius ndoshta mund të japë dorëheqje.

Një tjetër vendim i mundshëm i BE-së mund të jetë anulimi i ngrirjes së aseteve dhe ndalimi i vizave për disa nga mbi 1800 persona dhe kompani kryesisht ruse që BE-ja ka shënjestruar që nga pushtimi i Ukrainës vitin e kaluar. Shërbimi ligjor i BE-së ka identifikuar disa raste të dobëta, që do të thotë se Brukseli ka të ngjarë të mos ketë prova të mjaftueshme se këta individë ligjërisht mund të thuhet se kontribuojnë në "destabilizimin e integritetit territorial të Ukrainës".

Këta janë persona ose kompani që avokatët e BE-së, me gjasë, kanë vendosur t'i lirojnë nga keqbërjet, nëse i kanë sfiduar sanksionet në Gjykatën Evropiane të Drejtësisë me qendër në Luksemburg - Gjykata Supreme e bllokut për sa i përket ligjit të BE-së. Sipas burimeve të mia që janë të njohura me bisedimet, por që nuk janë të autorizuara të flasin publikisht, dy ose tre persona mund të hiqen këtë javë nga lista.

Përgatiti: Albina Kastrati

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG