Ndërlidhjet

Në pritje të heqjes së vizave që ndanë familje


Pamje nga qyteti i Prizrenit.
Pamje nga qyteti i Prizrenit.

Nevzeta Imami, nga Prizreni, do të mund të vizitojë vendlindjen e saj në Bihaq të Bosnje e Hercegovinës pas dy dekadash. Kjo, pasi udhëheqësit e diplomacisë në Kosovë dhe Bosnje njoftuan se qytetarët e dy vendeve do të mund të udhëtojnë vetëm me letërnjoftime.

Përveç kësaj marrëveshjeje për lirinë e lëvizjes, ata miratuan edhe dy të tjera - për njohjen e kualifikimeve të arsimit të lartë dhe për njohjen e kualifikimeve profesionale të mjekëve, stomatologëve dhe arkitektëve - që duhet të nënshkruhen më 3 nëntor, në kuadër të Procesit të Berlinit.

Përveç Serbisë, Bosnje e Hercegovina është i vetmi vend në rajonin e Ballkanit Perëndimor që nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, por ia njeh pasaportën si dokument të vlefshëm.

Deri më tani, qytetarëve të Kosovës u është dashur vizë për të hyrë në Bosnje dhe Hercegovinë, ndërsa nga viti 2014, Kosova ka vendosur masa reciprociteti, që do të thotë se edhe qytetarëve të Bosnjës u është dashur vizë për të hyrë në Kosovë.

Ata që jetojnë në Kosovë dhe kanë familje në Bosnje dhe anasjelltas, shpesh kanë pasur probleme gjatë marrjes së vizave.

“Ëndërroj për Bihaqin dhe Bosnjën”

Një përvojë të tillë ndan me Radion Evropa e Lirë edhe Nevzeta Imami, mësuese e gjuhës boshnjake në Prizren.

Asnjë nga familjarët e saj në Bosnje nuk ka mundur të udhëtojë për në Kosovë, kur nëna e saj, e cila ishte me origjinë nga Bihaqi, ka vdekur dy vjet më parë.

Vetë Nevzeta, e cila është para pensionimit, nuk ka qenë në Bihaq që nga viti 2000. Ky qytet ndodhet në veriperëndim të Bosnjës.

Një nga arsyet për këtë, Nevzeta thotë se është regjimi i vizave, i cili ka qenë në fuqi deri më tani.

“Ëndërroj se jam në Bosnje dhe Bihaq, ku si fëmijë shkoja te daja”, thotë ajo për Radion Evropa e Lirë.

“Fundi i agonisë”

Muharrem Zejnullahu, kryetar i Komunitetit të Shqiptarëve në Bosnje e Hercegovinë dhe ish-ambasador i parë i këtij vendi në Shqipëri, thotë se shpreson që “agonia” që lidhet me regjimin e vizave mes dy vendeve, të marrë fund së shpejti.

As njerëzit që kanë humbur të dashurit e tyre, anëtarët e familjes në Bosnje dhe Hercegovinë, nuk kanë mundur të shkojnë te varri i fëmijëve të tyre"

Ai thotë se shqiptarët që jetojnë në Bosnje dhe Hercegovinë përballen me “probleme të pakapërcyeshme” kur duan të shkojnë në Kosovë.

“As njerëzit që kanë humbur të dashurit e tyre, anëtarët e familjes në Bosnje dhe Hercegovinë, nuk kanë mundur të shkojnë te varri i fëmijëve të tyre. Shpresoj se tani do të krijohet kjo mundësi”, thotë Zejnullahu.

Ai shton se në Kosovë, para luftërave të viteve ’90, ka pasur shumë studentë nga Bosnje dhe Hercegovina dhe thotë se shpreson që bashkëpunimi në fushën e arsimit të ripërtërihet.

Zejnullahu, po ashtu, thotë se regjimi aktual i vizave ka ndikuar shumë në bashkëpunimin ndërkulturor dhe, si shembull, ai thekson faktin se në 30 vjetët e fundit në Bosnje dhe Hercegovinë nuk është shfaqur asnjë shfaqje teatrore nga Kosova.

“Ka disa zhvillime kur bëhet fjalë për festivalet e filmit... Me një mijë përpjekje, Festivali i Filmit në Sarajevë përpiqet të sjellë njerëz nga Kosova, me filma të rinj”, thotë ai për Radion Evropa e Lirë.

Në Bosnje dhe Hercegovinë me dokumente serbe

Arifka Latifi është poete nga Prizreni, por ka të afërm edhe në Sarajevë, të cilët nuk ka mundur t’i vizitojë me dokumente të Kosovës.

Arifka Latifi
Arifka Latifi

Kjo është arsyeja përse në vitin 2019, ajo ka nxjerrë dokumentet personale që i lëshon Serbia. Me to, ajo ka shkuar në Sarajevë për disa takime për poezi dhe ka shfrytëzuar rastin për të takuar edhe të afërm të saj.

“Faleminderit Zotit që do të hiqen këto viza. Ka qenë, vërtet, poshtëruese kur kam shkuar në njërën prej ambasadave të Bosnje e Hercegovinës në rajon dhe më kanë dëbuar. Kam letërnjoftim serb, por sigurisht që do të preferoj të udhëtoj lirshëm me dokument të Kosovës. Së pari do të vizitoj Sarajevën”, thotë ajo.

Prizreni
Prizreni

Edhe për Idriz Muratin nga Nebregoshta, afër Prizrenit, heqja e regjimit të vizave me Bosnje dhe Hercegovinën është “lajm i shkëlqyeshëm”.

“Jam i lumtur që së shpejti do të ketë liri të lëvizjes dhe heqje të vizave mes Kosovës dhe Bosnje e Hercegovinës. Për mua është lajmi më i mirë në këto vite, nuk e di sa vite... Fillimisht do të shkoj në Sarajevë, pastaj në Mostar”, thotë Murati për Radion Evropa e Lirë.

“Lidhja institucionale”

Usmen Ballxhi, ish-zëvendësministër i Arsimit në Qeverinë e Kosovës nga komuniteti boshnjak, ka 30 vjet që nuk ka shkuar në vendlindjen e tij.

Ai thotë se ka provuar ta vizitojë zyrtarisht Bosnje dhe Hercegovinën ose të marrë vizë dhe të vizitojë të afërm të shumtë, por pa sukses.

“Dihet që gjatë gjithë kësaj kohe kemi qenë të bllokuar. Ka qenë e palogjikshme që me letërnjoftime kemi mundur të shkojmë në Serbi, por jo në Bosnje dhe Hercegovinë”, thotë Ballxhi.

Më herët, edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka theksuar faktin se Kosova ka marrëveshje me Serbinë për lirinë e lëvizjes me letërnjoftime dhe ka thënë se nuk ka arsye që të mos ketë një marrëveshje të tillë edhe me Bosnje e Hercegovinën.

Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për lirinë e lëvizjes në vitin 2011, në fillim të dialogut të tyre për normalizimin e marrëdhënieve.

Ballxhi thotë se udhëtimi me letërnjoftime do të thoshte shumë për boshnjakët nga Kosova, do t’i përmirësonte të drejtat e tyre dhe lidhjen institucionale me Bosnje e Hercegovinën.

“T’i shfrytëzojmë përvojat e Republikës së Bosnje dhe Hercegovinës, të studiojmë lirisht atje dhe të marrim njohuri të reja, të na njihen diplomat”, thotë ai.

Përfitime të ngjashme përmend edhe Allmedin Fejza, përfaqësues i boshnjakëve në Këshillin Konsultativ për Komunitete, i cili funksionon nën kabinetin e presidentes së Kosovës.

Almedin Fejza, qytetar i Prizrenit.
Almedin Fejza, qytetar i Prizrenit.

Ai e sheh udhëtimin eventual me letërnjoftime si heqje përfundimtare të “regjimit të pakuptimtë të vizave midis Bosnje e Hercegovinës dhe Kosovës”.

Fejza thotë se vetë ka kaluar nëpër procesin “e dhimbshëm” të marrjes së vizës për të hyrë në Bosnje e Hercegovinë dhe shfaq besimin se lëvizja e lirë do të kontribuonte edhe në një pozitë më të mirë të komunitetit boshnjak.

“Jam i bindur se kjo do të ndikojë shumë pozitivisht në bashkëpunimin ndërmjet Kosovës dhe Bosnjës, në çdo sferë të veprimtarisë shoqërore: lidhjen e të rinjve, thellimin e bashkëpunimit kulturor, politik dhe ekonomik”, thotë Fejza.

Pozitë më e mirë për të rinjtë

Lëvizja me letërnjoftime do të thoshte shumë edhe për të rinjtë nga Kosova, thotë Musa Bajmak, kryetar i Shoqatës së Studentëve dhe të Rinjve Boshnjakë të Kosovës.

Ai thotë se, deri më tani, të rinjtë nuk kanë mundur të shkojnë për të studiuar në Bosnje dhe Hercegovinë dhe shpreson se diçka e tillë mund të ndryshojë.

“Nuk e di nëse dikush nga të rinjtë boshnjakë të Kosovës ka tentuar të udhëtojë në Sarajevë më herët. Unë jo, sepse e kam ditur paraprakisht që nuk do të merrja vizë. Këtë e kanë bërë kryesisht ata që kanë pasur dyshtetësi - të Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi apo Serbisë”, thotë Bajmak për Radion Evropa e Lirë.

Ai shton se të rinjtë e komunitetit boshnjak do të dëshironin shumë ta vizitonin Sarajevën dhe thotë se do të organizojë vizitën e parë të studentëve nëse hiqet regjimi i vizave.

Për çfarë është rënë dakord?

Sekretarja e përgjithshme e Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal, Majlinda Bregu, ka thënë më 21 tetor se Serbia, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Bosnje dhe Hercegovina, Shqipëria dhe Kosova kanë arritur marrëveshje për lëvizjen e qytetarëve pa viza.

“Marrëveshja për udhëtim me letërnjoftime në Ballkanin Perëndimor shkatërron murin e fundit të vizave në rajon”, ka thënë Bregu pas kësaj arritjeje në kuadër të Procesit të Berlinit.

I ashtuquajturi Proces i Berlinit është një format i takimeve vjetore të iniciuara nga Qeveria gjermane qysh në vitin 2014, kur në Berlin është mbajtur një konferencë për Ballkanin Perëndimor.

Qëllim i tij është të forcojë bashkëpunimin e Bashkimit Evropian me Ballkanin Perëndimor dhe të përshpejtojë integrimin e tij në BE.

Përgatiti: Valona Tela

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG