Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se nuk ka asnjë arsye që Kosova dhe Bosnjë e Hercegovina që të mos gjejnë modalitete që do t’u lejonin qytetarëve të të dyja shteteve që të udhëtonin me letërnjoftime apo pasaporta.
Kosova dhe Bosnjë e Hercegovina aplikojnë regjimin e vizave për udhëtimet mes dy shteteve.
Gjatë një konference për media në Prishtinë më 4 prill, Osmani tha se ka biseduar për çështjen e heqjes së regjimit të vizave me dy prej tre anëtarëve të Presidencës së Bosnjës, përkatësisht me anëtarin boshnjak, Shefik Xhaferoviq, dhe atë kroat, Zhelko Komshiq.
“Para një muaji kam pasur një takim me zotin Xhaferoviq dhe e kemi trajtuar pikërisht këtë temë se si mund të gjejmë një rrugë përpara që qytetarët tanë mos të paguajnë çmimin e mosmarrjes së një vendimi për njohje nga ana e Bosnjës”, tha Osmani.
Presidentja e Kosovës përmendi shembullin e Serbisë, që nuk e njeh Kosovën, por që me këtë shtet është arritur një marrëveshje për lëvizjen e qytetarëve me letërnjoftime, andaj ajo tha se gjatë bisedave me Xhaferoviqin dhe Komshiqit, është shprehur “një interes i madh që të gjendet një rrugë përpara” për këtë çështje.
Bosnje e Hercegovina nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, që është shpallur më 17 shkurt të vitit 2008.
Megjithatë, Bosnja njeh pasaportat e Kosovës si dokumente valide, por qytetarët e Kosovës që duan të hyjnë në këtë shtet, u kërkohet të pajisen me viza.
Më 2014, Kosova vendosi masa reciproke sa i përket regjimit të vizave me Bosnjën.