Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) ka paralajmëruar se borxhi i publik i Kosovës mund të rritet deri në 40 për qind të Bruto Produktit Vendor (BPV). Kjo rritje, sipas FMN-së mund të bëhet pas huas që Kosova dhe kompania amerikane Contour Global pritet të marrë për ndërtimin e Termocentralit “Kosova e Re”.
Rrezikun nga ngritja e shpejtë e borxhit të përgjithshëm publik e theksojnë edhe ekspertë të çështjeve ekonomike. Kthimi i borxhit publik, sipas ekspertëve, do të jetë sfiduese për Kosovën.
Megjithatë, përfaqësues të Qeverisë së Kosovës thonë se nuk mendojnë se mund të tejkalohen parametrat e caktuara sipas Ligjin për borxhin publik.
Borxhi i përgjithshëm publik ka arritur në rreth një miliard euro. Si përqindje e BPV-së, borxhi publik i Kosovës në vitin 2017 ka arritur në 16.6 për qind nga 14.6 për qind sa ishte në vitin 2016.
Kosova borxh të jashtëm më së shumti i ka Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore.
Sipas Ligjit për borxhet publike, në asnjë rast shuma e papaguar e borxhit të përgjithshëm, nuk duhet të tejkalojë 40 për qind të Bruto Produktit Vendor.
Fondi Monetar Ndërkombëtar në raportin e saj të publikuar ditë më parë, te projekti i Termocentralit “Kosova e Re” thekson se “projekti mban rreziqe të mjaftueshme fiskale dhe do të mbulonte hapësirën fiskale, duke marrë parasysh frenimin e borxhit në klauzolën e investimeve të rregullave fiskale prej 30 për qind të Bruto Produktit Vendor dhe lartësinë maksimale të borxhit prej 40 për qind të Bruto Produktit Vendor”.
Në raportin e FMN-së theksohet se është e një rëndësie të madhe që të sigurohet zgjidhja me kosto efektive për furnizimin me energji, përfshirë këtu edhe përmirësimin e efikasitetit të energjisë, dhe çdo projekt te sigurohet për qëndrueshmëri ekonomike dhe fiskale.
“Tarifat duhen të caktohen me një nivel të rikuperimit të kostove që të shmangen subvencionet, ndërkohë që çdo ndikim i rritjes se tarifave ndaj të varfërve duhet të zbutet me transferet e planifikuara mirë nën skemën e ndihmës sociale. Çdo mbështetje shtesë e Qeverisë përmes financimit ose garantuesve, duhet të minimizohet dhe të jetë në përputhje me qëndrueshmërinë e borxhit publik, pa u zënë vendin e investimeve tjera prioritare”, thuhet në raportin e FMN-së.
Projektii Termocentralit “Kosova e Re” parashikohet të jetë investimi më i madh të huaj në Kosovë me një vlerë prej 1.3 miliard eurosh.
Banka Botërore e cila vite më parë kishte premtuar se do të lëshojë një lloj garancie të riskut, që do t’ia mundësonte investitorit të marrë kredi me interes të ulët, është tërhequr nga ky premtim. Ata janë deklaruar tanimë se nuk do ta mbështesin ndërtimin e një termocentrali të ri me thëngjill.
Ministri i Zhvillimi Ekonomik në Qeverinë e Kosovës, Valdrin Lluka thotë për Radion Evropa e Lirë se garancioni shtetëror që do të merret për ndërtimin e Termocentralin “Kosova e Re” nuk do të tejkalojë limitet e caktuara të borxhit publik.
“Realisht borxhi publik është diskutabil si do të rritet sepse janë disa arsye. E para është se projekti termocentrali ‘Kosova e Re’ përmes garantimit shtetëror do të garantojë të gjitha obligimet që i marrin ndërmarrjet publike karshi kompanisë amerikane Contour Global”.
“Në këtë rast e kemi ndërmarrjen publike ENKEK, që është kompani e re energjetike e cila do të garanton shitjen e energjisë, është kompania ‘Iber Lepenc’ që do të furnizon me ujë për ftohje dhe KEK-u që do të furnizojë më thëngjill. Për të tri këto komponentë kërkohet garancion shtetëror, në mënyrë që investitori në të ketë qasje ne financa. Si total një garancion shtetëror që duhet të lëshohet për këtë pjesë është 260 milionë euro përafërsisht”, thotë ministri Lluka.
Lluka thekson se shuma prej 260 milionë euro, si garancion shtetëror, nuk ndikon në rritje të madhe të borxhit dhe nuk reflekton në atë çfarë ka dhënë FMN-ja, se mund të shkojë në 40 për qind të BPV-së.
Profesori i ekonomisë Muhamet Sadiku duke folur për Rubrikën ‘Fokus’ të Radios Evropa e Lirë thotë se institucionet e Kosovës duhet të jenë të kujdesshëm se cilat projekte mbështeten me borxhet e jashtme dhe se sa është norma e rikthimit të tyre, në mënyrë që të mos hyhet në një situatë që Kosova të ngufatet me borxhe.
Borxhi deri në 40 për qind të Bruto Produktit Vendor, shton Sadiku, mund të sigurojë një zhvillim ekonomik të pasfiduara dhe zhvillim ekonomik që do të adresonte problemet e shumta, por që duhet të kujdes të madh.
“Problematik është sidomos niveli i borxhit të jashtëm në raport me Bruto Produktin e vendeve të vogla. Në këto vende kërkohet të kemi një kujdes jashtëzakonisht të madh sepse borxhet janë një domosdoshmëri për të stimuluar zhvillimin ekonomik, për të mbështetur transformimin në ekonomi dhe nga ky aspekt është krijuar një mendim ekonomik se pa borxhe nuk ka zhvillim ekonomik”, thotë Sadiku.
Rritja e përnjëhershme dhe e papritur në investime të mëdha siç është Termocentrali “Kosova e Re”, thotë Sadiku, parqet një të ardhme sfiduese të Kosovës në kthimin e borxheve.
“Por, nëse termocentrali financohet me burime të investitorëve të jashtëm, kjo do të tregojë se Kosova është e ngarkuara me nivel të lartë borxheve, por efektivisht kthimi i këtyre borxheve do të jetë barrë e investitorëve të jashtëm. Hyrja e Kosovës në borxhe direkte me marrjen e obligimeve që këto borxhe të kthehen nga burimet e Kosovës, kjo shton një nivel të një kujdesi të jashtëzakonshme. Institucionet e Kosovës duhet të llogarisin në peshën e këtij borxhi”, thotë Sadiku.
Ai shton se institucionet e Kosovës nuk duhet të lejojnë që këto borxhe të jashtme t’i marrë kjo gjeneratë dhe të paguajë një gjeneratat e ardhshme.
Pavarësisht rritjes së shumës së borxhit, borxhi i përgjithshëm publik i Kosovës vlerësohet më i ulëti në rajon.
Serbia dhe Shqipëria radhiten në vendin e parë sa i përket përqindjes më të lartë të borxhit me mbi 70 për qind të Bruto Produktit Vendor, pasuar nga Mali i Zi me mbi 60 për qind, dhe Bosnja dhe Hercegovina me mbi 40 për qind.
Borxhi i përgjithshëm është tërësia e borxhit shtetëror dhe komunal. Ky borxh merret në emër të institucioneve qendrore qeveritare, të cilin Republika e Kosovës është e obliguar ta paguajë.