Ndërlidhjet

Borrell: Është koha për Kosovën dhe Serbinë të marrin përgjegjësi


Shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell. Fotografi ilustruese nga arkivi.
Shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell. Fotografi ilustruese nga arkivi.

Shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, tha se është koha për Kosovën dhe Serbinë të marrin përgjegjësi dhe të lëvizin drejt BE-së.

BE-ja është “shtëpia e fundit” për dy vendet, tha ai.

Borrell i bëri komentet në një blog autorial, të publikuar në prag të takimit të radhës midis kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Dy udhëheqësit, me ndërmjetësimin e zyrtarëve të BE-së, do të takohen më 18 mars në Ohër të Maqedonisë së Veriut, për të diskutuar zbatimin e një plani të BE-së për normalizimin e marrëdhënieve mes tyre.

Në një takim në Bruksel, më 27 shkurt, ata e pranuan në parim përmbajtjen e këtij plani që njihet edhe si Marrëveshje drejt normalizimit.

“Tani është koha që Serbia dhe Kosova të bien dakord për aneksin e zbatimit, i cili është pjesë integrale e Marrëveshjes, dhe të kenë mirëkuptim të qartë për mënyrat e zbatimit të dispozitave të saj”, shkroi Borrell.

Ai tha se do të vazhdojë të punojë për arritjen e një “marrëveshjeje gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve”, që “është e pranueshme për vendet anëtare të BE-së”, është “në përputhje me të drejtën ndërkombëtare” dhe “i kontribuon stabilitetit rajonal”.

“Marrëveshja në tryezë është një hap i rëndësishëm drejt këtij objektivi”, tha Borrell.

Plani i BE-së, mes tjerash, kërkon përkushtimin e Kosovës dhe të Serbisë që të mos e pengojnë njëra-tjetrën në proceset integruese, por nuk parasheh njohje të ndërsjellë mes dy vendeve.

Ndonëse e pranuan në parim, Kurti dhe Vuçiq u shprehën të rezervuar për disa pika të planit.

Borrell i inkurajoi ata që të angazhohen për zbatimin e tij, duke thënë se një gjë e tillë do t’i japë fund përballjes me kriza dhe “do ta zhvendosë vëmendjen te normalizimi dhe pajtimi”.

Dialogu, tha Borrell, nuk ka të bëjë vetëm me Kosovën dhe Serbinë.

“Ai duhet parë në kontekstin aktual më të gjerë gjeopolitik - një moment përcaktues në historinë evropiane”, tha Borrell, duke shtuar se lufta e Rusisë në Ukrainë “e ka ndryshuar pamjen”.

“Shumica e njerëzve që jetojnë në Ballkan, duan të shikojnë përpara dhe jo prapa... Ata, sigurisht, nuk janë një çip, për t’u përdorur nga [presidenti rus, Vladimir] Putin në ëndrrat e tij imperialiste”.

“Ballkani Perëndimor është pjesë e Evropës”, tha kryediplomati i BE-së.

Thirrje për zbatimin e planit të BE-së, Kosovës dhe Serbisë i kanë bërë edhe diplomatë të tjerë perëndimorë.

Një ditë më herët, ambasadori i SHBA-së në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, tha se zbatimi i këtij plani do t’i kontribuonte stabilitetit rajonal dhe do t’i mundësonte Kosovës të ecë përpara “në shumë mënyra”.

Ai përsëriti se SHBA-ja pret “marrëveshje përfundimtare që do të përqendrohet në njohje reciproke” midis Kosovës dhe Serbisë.

Duke folur në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, ambasadori i Gjermanisë në Prishtinë, Jorn Rohde, tha se nëse Kosova tregon rezultate në normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, ajo do të përfitojë njohjen nga pesë shtetet mosnjohëse të BE-së.

Me planin e BE-së, dy vendet - që janë në negociata për normalizimin e marrëdhënieve qysh nga viti 2011 - do t’i njihnin edhe dokumentet e njëra-tjetrës, si: pasaportat, diplomat dhe targat.

Por, një nga pikat që shihet si ndër më sfidueset, është ajo që obligon Kosovën dhe Serbinë që t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tash në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, përfshirë atë për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Ky asociacion, i dakorduar qysh në vitin 2013, do t’i mundësonte komunitetit serb të menaxhojë çështje të tilla si: zhvillimi ekonomik, arsimi, shëndetësia dhe planifikimi urban dhe rural në zonat e tij.

Qeveria e Kosovës refuzon ta formojë, duke argumentuar se asociacionet njëetnike shkelin Kushtetutën e saj dhe kërcënojnë funksionalitetin e shtetit.

Qeveria e Serbisë, në anën tjetër, e sheh Asociacionin si mbrojtje të rëndësishme për serbët në Kosovë.

Si në Prishtinë, ashtu edhe në Beograd, partitë opozitare kanë shprehur rezerva në lidhje me planin evropian.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG