Ndërlidhjet

Hovenier për planin e BE-së: Nuk ka marrëveshje më të mirë


Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Jeffrey Hovenier. Fotografi nga arkivi.
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Jeffrey Hovenier. Fotografi nga arkivi.

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Jeffrey Hovenier, tha se plani i Bashkimit Evropian për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi "është marrëveshja më e mirë në dispozicion".

"Është një marrëveshje e përkohshme, dhe SHBA-ja qëndron fuqishëm prapa saj dhe me një pozicion që e kemi mbajtur prej vitesh, se presim marrëveshje përfundimtare, me njohjen reciproke në qendër. Ky është objektivi. Kjo na çon shumë më afër tij", tha Hovenier.

Ai tha se gjasat për njohje reciproke midis Kosovës dhe Serbisë "nuk janë shumë të mëdha" tani, për shkak të qëndrimit të Serbisë, por kujtoi se plani i BE-së është i përkohshëm.

Hovenier i bëri komentet në një takim me gazetarë, të mërkurën në Prishtinë.

"Më duhet të jem i qartë, SHBA-ja vlerëson se, në këtë moment, nuk ka marrëveshje më të mirë në dispozicion. Ky është një hap i rëndësishëm përpara", tha ai.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, e kanë pranuar në parim planin e BE-së, i cili nuk parasheh njohje të ndërsjellë mes dy vendeve, por angazhimin e palëve që të mos e pengojnë njëra-tjetrën në proceset integruese.

Hovenier tha se fokusi kryesor i tyre tani duhet të jetë te "zbatimi i suksesshëm dhe efektiv" i planit - për ç'gjë Kurti dhe Vuçiq do të takohen më 18 mars në Ohër të Maqedonisë së Veriut.

Ai tha se, këtë herë, është ndryshe sa i përket zbatimit, për shkak të, siç u shpreh, nivelit të angazhimit politik, mbështetjes dhe seriozitetit.

"Nuk po them se procesi për Marrëveshjen e Brukselit [për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi] nuk ka qenë serioz dhe nuk ka pasur mbështetje, por këtë herë duket pak më ndryshe. A mund t'ju garantoj se zbatimi do të ndodhë saktësisht ashtu siç arrihet pajtimi? Mund të garantoj se komuniteti ndërkombëtar do ta kërkojë këtë dhe kemi menduar me shumë kujdes se çfarë mjetesh kemi për të stimuluar zbatimin e plotë", tha Hovenier.

Ambasadori i SHBA-së, Jeffrey Hovenier, gjatë një takimi me gazetarët në Kosovë, më 15 mars 2023.
Ambasadori i SHBA-së, Jeffrey Hovenier, gjatë një takimi me gazetarët në Kosovë, më 15 mars 2023.

Nëse Kosova kontribuon në mënyrë konstruktive në këtë drejtim, tha ai, SHBA-ja "do t'i ripërtërijë përpjekjet" për ta ndihmuar vendin që t'i bashkohet Partneritetit të NATO-s për Paqe.

Megjithatë, ai tha se nuk mund të garantojë se aspiratat që ka populli i Kosovës do të përmbushen menjëherë, për faktin se, siç u shpreh, NATO-ja merr vendime me konsensus.

Hovenier tha se SHBA-ja do të kërkojë edhe nga BE-ja që të angazhohet për të siguruar zbatimin e duhur të planit.

I pyetur nëse ka ndonjë ndryshim në pozicionin e SHBA-së sa i përket marrëveshjes së detyrueshme midis Kosovës dhe Serbisë me njohjen reciproke në qendër dhe marrëveshjes së përkohshme me njohje eventuale, Hovenier tha se nuk beson se ka ndonjë ndryshim, porse "njohje të realitetit”.

"Pozicioni i SHBA-së ka qenë dhe do të jetë i qartë. Nuk e shohim të ndryshojë. Por, duhet ta kemi parasysh momentin në të cilin jemi. Mendoj se realiteti - për arsye të ndryshme, por kryesisht për shkak të vendimit të marrë nga udhëheqja në Serbi - është se gjasat për arritjen e njohjes reciproke tani, nuk janë shumë të mëdha", tha Hovenier.

Ai shtoi se tani është e rëndësishme të ketë një ripozicionim të marrëdhënieve Kosovë-Serbi, që do t'i kontribuonte stabilitetit rajonal dhe do t'i mundësonte, sipas tij, Kosovës që të ecë përpara në shumë mënyra.

"Ne presim marrëveshje përfundimtare që përqendrohet në njohje reciproke", tha Hovenier.

Ai kujtoi se plani i BE-së gëzon mbështetje të gjerë nga SHBA-ja, Gjermania, Franca, Italia dhe Mbretëria e Bashkuar.

"Të gjitha vendet që kanë qëndruar dhe qëndrojnë me Kosovën, besojnë se është një gjë shumë e mirë dhe po bëjnë përpjekje të jashtëzakonshme për të parë avancimin e tij dhe përfundimin e suksesshëm të negociatave", tha Hovenier.

Marrë parasysh mbështetjen perëndimore, ai tha se është e rëndësishme që edhe opozita në Kosovë, e cila ka shprehur rezervat e saj në lidhje me planin e BE-së, ta përkrahë atë.

"Pres që ato [partitë opozitare] t'i vënë interesat kombëtare të Kosovës përpara çdo arsyeje të brendshme politike", tha ambasadori amerikan.

"Ka hapësirë për të diskutuar për Asociacionin"

I pyetur nëse ka hapësirë për të rinegociuar ose për të krijuar Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë në bazë të kushteve të Kurtit, Hovenier tha se "është e vështirë të rinegociosh diçka që ende nuk është negociuar vërtet".

Kurti, në fillim të shkurtit, doli me gjashtë kushte për formimin e Asociacionit - mes tjerash: të mos jetë njëetnik, ta ndryshojë emrin dhe të mos ketë pushtet ekzekutiv.

"Ne nuk besojmë se është e përshtatshme për Kosovën që të pajtohet me ndonjë gjë që do të ishte në kundërshtim me Kushtetutën e saj. Ne nuk besojmë se është e përshtatshme që Kosova të zbatojë diçka që nuk është në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2015... Por, brenda tij ka hapësirë të mjaftueshme për [të diskutuar] për atë që do të jetë kjo gjë", tha Hovenier.

"Çfarëdo që të dalë nga ky proces, do të ketë nevojë për një lloj asociacioni dhe do të duhet të përbëhet nga komunat me shumicë serbe", theksoi ai.

Hovenier tha se nuk pret që në Ohër të ketë negociata të plota që do të përcaktonin skicën, formën dhe funksionet e Asociacionit, por tha se pret të ketë një mirëkuptim për ta çuar çështjen përpara.

Ai tha se nëse në Ohër ka marrëveshje, ajo mund të çojë edhe në pjesëmarrjen e serbëve në zgjedhjet lokale në veri të Kosovës.

Komuniteti serb në Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq ka dhënë dorëheqje nga institucionet e Kosovës në nëntor, duke kundërshtuar një vendim të Qeverisë së Kosovës për të riregjistruar makinat me targa të Serbisë në targa të Kosovës.

"Do ta mirëprisnim pjesëmarrjen e serbëve në ato zgjedhje dhe do ta mirëprisnim mbajtjen e tyre në rrethana sigurie dhe dinjiteti. Nuk mund të them se çfarë do të ndodhë në të vërtetë... por, kjo mbetet shpresa jonë", tha Hovenier.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, pritet të takohen në Ohër të Maqedonisë së Veriut më 18 mars, për të diskutuar zbatimin e planit 11-pikësh të BE-së.

Dy udhëheqësit u dakorduan muajin e kaluar se përmbajtja e tij nuk ka nevojë të diskutohet më tej.

Plani i BE-së nuk e obligon Serbinë që ta njohë pavarësinë e Kosovës, por dy vendet do t’i njihnin dokumentet e njëra-tjetrës, si: pasaportat, diplomat dhe targat.

Serbia, gjithashtu, nuk do ta bllokonte anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare.

Plani, po ashtu, u kërkon palëve që t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tash në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, përfshirë atë për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Ky asociacion, i dakorduar qysh në vitin 2013, do t’i mundësonte komunitetit serb të menaxhojë çështje të tilla si: zhvillimi ekonomik, arsimi, shëndetësia dhe planifikimi urban dhe rural në zonat e tij.

Qeveria e Kosovës refuzon ta formojë, duke argumentuar se asociacionet njëetnike shkelin Kushtetutën e saj dhe kërcënojnë funksionalitetin e shtetit.

Qeveria e Serbisë, në anën tjetër, e sheh Asociacionin si mbrojtje të rëndësishme për serbët në Kosovë.

Nga arkivi i REL-it:

Pesë gjëra që duhet t’i dini për Asociacionin
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:03:26 0:00

I dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, ka paralajmëruar se dy vendet do të përballen me pasoja, nëse nuk e nënshkruajnë planin e BE-së për normalizimin e marrëdhënieve.

"Komuniteti ndërkombëtar do të përgjigjet në përputhje me rrethanat dhe ne do ta mbështesim më shumë njërën palë dhe do të zvogëlojmë mbështetjen për palën tjetër", ka thënë Lajçak për Televizionin Klan Kosova, pasi është pyetur se çfarë mund të ndodhë nëse plani nuk pranohet nga njëra palë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG