Një gjykatës federal në Shtetet e Bashkuara e bllokoi urdhrin e lëshuar nga presidenti Donald Trump për t’iu mohuar azilin migrantëve që kalojnë kufirin jugor të SHBA-së në mënyrë të paligjshme.
Gjykatësi Jon Tigar në San Francisko lëshoi urdhrin e përkohshëm të ndalimit pas dëgjimit të argumenteve nga grupet e të drejtave civile.
Trump e nënshkroi urdhrin e tij më 9 nëntor, në përgjigje të një karvani migrues që po lëviz drejt kufirit.
Trump përmendi shqetësimet për sigurinë kombëtare, por u kundërshtua nga grupet e të drejtave civile, të cilat e dërguan rastin në gjykatën në San Francisko, duke thënë se vendimi i tij ishte i paligjshëm.
Gjykatësi Tigar, në vendimin e tij, tha se legjislacioni aktual e bën të qartë se çdo i huaj që hyn në SHBA, "pavarësisht nëse është apo jo në një port të caktuar të mbërritjes", mund të aplikojë për azil.
Gjykatësi po ashtu tha se presidenti nuk mund t’i rishkruajë ligjet e imigrimit, duke imponuar një kusht, që Kongresi e ka ndaluar shprehimisht.
Mijëra migrantë nga Amerika Qendrore kanë udhëtuar për javë të tëra drejt kufirit Meksikë-SHBA.
Ata thonë se ikin nga përndjekja, varfëria dhe dhuna në vendet e tyre: Honduras, Guatemalë dhe El Salvador.
Trump ka thënë më herët se shumë prej migrantëve janë kriminelë; karvanin e ka cilësuar si pushtim, ndërsa ka dërguar trupa në kufi.
Me urdhrin e 9 nëntorit, ai ka kërkuar që secili që dëshiron të kërkojë azil në SHBA, duhet të hyjë nëpër pikat zyrtare të hyrjes. Me urdhrin e tij, rastet e atyre që hyjnë ilegalisht, nuk do të dëgjoheshin.
Ndalimi do të zgjaste 90 ditë ose derisa SHBA-ja të arrinte një marrëveshje me Meksikën për t’i kthyer azilkërkuesit.
Sipas ligjit të Shteteve të Bashkuara, ekziston një detyrim ligjor për të dëgjuar kërkesat për azil nga emigrantët nëse ata thonë se kanë frikë nga dhuna në vendet e tyre - pavarësisht se si kanë hyrë në SHBA.
Pjesëmarrësit e karvanit kanë filluar të arrijnë javën e kaluar në Tijuana, qytetin në anën meksikane të kufirit. Trump ka dërguar më shumë se 5,000 ushtarë në kufi.