Rama: Aspak i arsyeshëm përshkallëzimi i situatës në veri
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, e ka quajtur aspak të arsyeshëm përshkallëzimin e situatës në veri të Kosovës, derisa i ka bërë thirrje presidentit serb, Aleksandër Vuçiq, “të mos ushqejë me asnjë lloj justifikimi grupe të caktuara në veriun e Kosovës”.
Gjatë një konference për media me kryeministrin spanjoll, Pedro Sanchez, i cili po qëndron në Tiranë në kuadër të turneut në rajon, Rama tha se Qeveria e Kosovës “ka të drejtën dhe detyrën për të ushtruar sovranitetin territorial që buron nga një pavarësi në administrimin e shtetit”.
“Unë i bëj thirrje autoriteteve në Beograd dhe presidentit serb që të mos ushqejnë me asnjë lloj justifikimi dhe me asnjë lloj alibie grupe të caktuara në veriun e Kosovës që për arsyet e tyre i kundërvihen zbatimit të një marrëveshjeje”, tha Rama.
Lajmin e plotë mund ta lexoni në linkun e mëposhtëm:
Begaj: U shmang një provokim i rëndë për stabilitetin e Kosovës
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka biseduar me homologun e saj shqiptar, Bajram Begaj, për situatën në veri të Kosovës.
Begaj, sipas një njoftimi për media, e ka cilësuar si të matur vendimin e Qeverisë së Kosovës për të shtyrë zbatimin e vendimeve për targat dhe dokumentet serbe.
Ai tha se me këtë u shmang një “provokim i rëndë për stabilitetin e Kosovës”.
“Vetëm nëpërmjet një dialogu konstruktiv dhe intensiv do të mund të adresohen drejtë të gjitha çështjet e hapura mes Kosovës dhe Serbisë. Shqipëria do të vijojë të kontribuojë me të gjitha mundësitë dhe kapacitetet e saj për ruajtjen e paqes dhe stabilietit në rajon, si dhe të mbështesë fuqishëm vijimin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë”, tha Begaj njofton Presidenca shqiptare.
Dodik: Serbia ka të drejtë të mbrojë sigurinë e serbëve në Kosovë
"Lëvizjet e njëanshme dhe të papërgjegjshme të Albin Kurtit kërcënuan sigurinë e serbëve në Kosovë. Sipas Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, Serbia ka të drejtë të mbrojë sigurinë e serbëve në Kosovë", tha Milorad Dodik, anëtari serb i Presidencës së Bosnje e Hercegovinës dhe lider i Aleancës së Social-Demokratëve të Pavarur.
Dodik deklaroi në Twitter se "ne në Republika Sërpska mbështesim plotësisht dhe fuqishëm udhëheqjen e Serbisë në përpjekjet e saj për uljen e tensioneve dhe për të gjetur një zgjidhje paqësore përmes dialogut dhe në këtë mënyrë për të mbrojtur të drejtat e popullit serb".
Lajmin e plotë mund ta lexoni në linkun e mposhtëm:
KFOR i gatshëm të ndërmarrë masa të nevojshme për sigurinë
Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, tha se po monitoron nga afër situatën në veri të Kosovës. Monitorimi, sipas një postimi në Twitter, po bëhet së bashku me organizatat e sigurisë së Kosovës dhe ato ndërkombëtare.
“Sipas mandatit të OKB-së, KFOR-i vazhdon të jetë i përkushtuar për sigurinë, i gatshëm të ndërmarrë masa të nevojshme për ta mbajtur të sigurt Kosovën”.
Më 31 korrik, NATO deklaroi se forcat e saj në Kosovë janë të përgatitura të ndërhyjnë në Kosovë, nëse do të rrezikohej stabiliteti në veri të vendit.