Hiqen barrikadat për ta shtyrë reciprocitetin
Pas zotimit të Qeverisë së Kosovës për shtyrjen e zbatimit të dy vendimeve për reciprocitet me Serbinë, serbët lokalë në veriun e Kosovës më 1 gusht kanë nisur t’i zhbllokojnë rrugët drejt pikave kufitare mes dy vendeve, në të cilat kishin vendosur barrikada për të kundërshtuar masat e ekzekutivit kosovar.
Rakiq e Petkoviq në konferencë të jashtëzakonshme për media
Kreu i Listës Serbe, partisë kryesore të serbëve të Kosovës, Goran Rakiq dhe shefi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, kanë mbajtur një konferencë të jashtëzakonshme për media në Qeverinë e Serbisë.
Për pak ju sjellim informacione shtesë.
Qëndroni me ne!
Petkoviq: Ishim në prag të konfliktit serioz
Barrikadat e krijuara nga serbët në veri të Kosovës për të bllokuar pikat kufitare “nuk kanë qenë veprime, por reagime ndaj një vendimi të njëanshëm të Prishtinës”, ka thënë kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq.
Rakiq, së bashku me drejtorin e Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Peter Petkoviq, kanë mbajtur një konferencë të jashtëzakonshme për media në ndërtesën e Qeverisë në Beograd.
Sipas tyre, në Kosovë janë shmangur konflikte në shkallë të gjerë falë, siç thanë ata, “politikës së mençur diplomatike të Serbisë dhe presidentit të saj, Aleksandar Vuçiq”.
Ata kanë shtuar se përgjegjësinë e vetme për ngjarjet në veri të Kosovës, në mbrëmjen e 31 korrikut, e ka kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili, sipas Petkoviqit, “dëshironte të shkaktonte konflikte në përmasa të mëdha”.
“A e kuptoni që mbrëmë ishim në prag të konflikteve serioze? Ishin mbi 1.000 pjesëtarë të njësive speciale të Kosovës të armatosur deri në dhëmbë dhe plani i tyre ishte të pushtonin popullin që do të mbronin pragun e tyre”, ka thënë Petkoviq.
Serbët nga Kosova kanë vendosur bllokada në pikat kufitare më 31 korrik, një ditë para zbatimit të vendimit të Qeverisë së Kosovës për lëshimin e dokumenteve hyrëse-dalëse për shtetasit serbë që hyjnë në Kosovë dhe ndërrimin e targave të Serbisë.
Pas ndërhyrjes diplomatike të Uashingtonit, Qeveria e Kosovës bëri të ditur për shtyrjen e zbatimit të këtij vendimi në momentin që serbët heqin barrikadat.
“Dialogu dhe tryeza e Brukselit janë i vetmi vend për zgjidhje, jo dërgimi i policisë dhe ndërtimi i barrikadave. Natyrisht, jemi të vetëdijshëm se nuk do të gjejmë zgjidhje me barrikada, por zgjidhja nuk do të vijë as me dërgimin e policisë”, ka thënë mes tjerash Rakiq.
Ai po ashtu i ka thënë Kurtit që të mos u drejtohet serbëve në gjuhën serbe, por në gjuhën e tij amtare.
"Ne i kuptojmë mesazhet e tij, e ato janë se ai neve serbëve nuk na sheh. Sikurse të mos ekzistojmë atje (në Kosovë)".
I pyetur se pse, edhe përkundër gjithë asaj që deklaron, ai është ende pjesë e Qeverisë së Kosovës, Rakiq ka thënë se do të largohet nga Qeveria vetëm atëherë kur “populli që e ka zgjedhur, atë ta bëjë këtë”.
“Unë jam opozitë në atë Qeveri. Unë nuk jam zgjedhur nga Kurti për të hyrë në të, por nga populli”, ka deklaruar Rakiq.
Reagimet në Maqedoninë e V. për situatën në veri
Presidenca maqedonase ka thënë se është duke e ndjekur me vëmendje situatën në veri të Kosovës.
“Presidenti (maqedonas, Stevo) Pendarovski rregullisht e përcjell situatën në Kosovë, si fqinji ynë. Një vlerësim specifik sesi zgjidhja në Kosovë do të ndikojë në situatën e sigurisë në vend, do të mund të jepet në përputhje me rrjedhën e më tejshme të zhvillimeve, marrë parasysh se Qeveria e Kosovës vendosi të shtyjë zbatimin e masave për një muaj”, kanë thënë për Radion Evropa e Lirë nga kabineti i presidentit.
Ndërsa ish-ministri i Punëve të Brendshme në këtë shtet, Pavle Trajanov, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se nuk beson që do të ketë konflikt më të gjerë, pas tensioneve në veri.
“Është UNMIK-u, janë forcat e NATO-s, kështu që nëse ndërhyjnë ata do të ishte një konflikt i përmasave më të gjera, jo vetëm mes Kosovës dhe Serbisë, por mund të përfshihet edhe Shqipëria dhe vendet e tjera të Ballkanit, kështu që mendoj se do të parandalohet”, ka thënë ai.
Kryetari i partisë maqedonase, E majta (Levica), Dimpatar Apasiev, ka shprehur mbështetjen e tij për serbët e Kosovës.
“Mbështetje për serbët e shtypur në Kosovë dhe Metohi”, ka shkruar Apasiev.
Apasiev, partia e të cilit është e përfaqësuar me dy deputetë në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut, njihet si mbështetës i Rusisë dhe kundërshtues i politikave të vendit për anëtarësim në NATO dhe BE.
Ai ka theksuar në vazhdimësi se nëse vjen në pushtet, do të angazhohet për shfuqizimin e njohjes së Kosovës nga Maqedonia e Veriut.
Maqedonia e Veriut ka njohur shtetin e Kosovës më 10 tetor të vitit 2008.