Ndërlidhjet

Policë të Kosovës në veri të Kosovës. 1 gusht 2022
Policë të Kosovës në veri të Kosovës. 1 gusht 2022

Çfarë çoi deri te rihapja e kufijve në veri?

Përmbledhje

Për shkak të vendimit të Qeverisë së Kosovës për targat dhe dokumentet serbe, serbët lokalë në Kosovë më 31 korrik vendosën barrikada në rrugët që çojnë në Jarinjë dhe Bërnjak.

Qeveria tha se do të shtyjë zbatimin e vendimeve për lëshimin e dokumenteve për hyrje-dalje për shtetasit e Serbisë që hyjnë në Kosovë dhe atë për ndryshimin e targave serbe, kur të hiqen bllokadat.

Vendimi për lëshimin e dokumenteve për hyrje-dalje, po zbatohet në katër pikat e tjera kufitare me Serbinë, të cilat janë të hapura.

Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, tha se është i përgatitur të ndërhyjë nëse rrezikohet stabiliteti në veri të Kosovës.

12:27 1.8.2022

Haradinaj: Veprimet e lëna në gjysmë janë humbje për Kosovën

Ramush Haradinaj, kryetar i partisë opozitare Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, e ka kritikuar Qeverinë e Kosovës për shtyrjen e zbatimit të reciprocitetit për targat dhe dokumentet e Serbisë.

Haradinaj ka thënë më 1 gusht se “Kosova nuk e ka komoditetin të bëjë eksperimente”.

“Operacionet e sigurisë për shtrirjen e sovranitetit duhet të studiohen, të analizohen e të shpjegohen mirë. Çdo veprim i lënë në gjysmë të rrugës, siç ishte ai i mbrëmshmi, është humbje për Kosovën”, ka shkruar ai.

Ai ka theksuar, po ashtu, se afati prej 30 ditësh për zbatimin e reciprocitetit duhet të shfrytëzohet me shumë seriozitet.

12:34 1.8.2022

"BE-ja po ndjek me 'shqetësim' ngjarjet në Kosovë"

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian(BE), Peter Stano, konfirmoi se institucionet e BE-së, por edhe shtetet anëtare, po vëzhgojnë “me shqetësim” ngjarjet në Kosovë.

Ai konfirmoi se shefi i diplomacisë evropiane, Josep Borrell, u ka dërguar ftesë kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, për një takim në Bruksel, në kuadër të vazhdimit të dialogut.

“Çdo veprim i pakoordinuar dhe i njëanshëm që kërcënon stabilitetin dhe rrezikon lirinë e lëvizjes duhet të ndërpritet”, tha Stano.

12:40 1.8.2022

Vulin: SHBA-ja të bindë Kosovën për një zgjidhje

Ministri i Punëve të Brendshme i Serbisë, Aleksandar Vulin, ka deklaruar më 1 gusht se “muaji i ardhshëm duhet të shfrytëzohet për marrëveshje dhe diplomaci”, teksa ka komentuar bllokadat e vendosura nga serbët lokalë në veri të Kosovës.

Sipas një njoftimi të Ministrisë së Brendshme të Serbisë, Vulin ka porositur serbët në Kosovë se “nuk duhet t’i besojnë Prishtinës dhe duhet t’i besojnë Serbisë së tyre dhe presidentit Aleksandar Vuçiq”.

Ai ka thënë se nuk pret asgjë nga Prishtina, por pret që Bashkimi Evropian – nën ndërmjetësimin e të cilit u arritën dy marrëveshje për formimin e Asociacionit – të formojë menjëherë Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

“Unë pres që Shtetet e Bashkuara, që kanë treguar se kanë ndikim të madh në Kosovë, të vazhdojnë ta përdorin këtë ndikim për të mirë... të vazhdojnë ta përdorin ndikimin për ta bindur [kryeministrin e Kosovës, Albin] Kurtin që të arrijë një zgjidhje. Në thelb, kjo nuk është çështje mes Prishtinës dhe Beogradit, por është një çështje mes Beogradit e BE-së dhe shteteve që kanë ndikim në Kosovë.”, ka thënë Vulin.

Lajmin e plotë mund ta lexoni në linkun më poshtë:

12:49 1.8.2022

PDK: Qeveria nuk e planifikoi mirë vendimin për reciprocitet

Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës(PDK), Vlora Çitaku, në një konferencë për media kritikoi veprimet e Qeverisë së Kosovës sa i përket vendosjes së reciprocitetit me Serbinë lidhur me targat dhe dokumentet serbe.

Çitaku tha se “vendimi për veprim ka qenë i paplanifikuar mirë”.

Duke iu referuar vendimit të mëvonshëm të Qeverisë së Kosovës për shtyrjen e zbatimit të reciprocitetit, Çitaku tha se Qeveria është treguar joserioze.

“Dështimi në realizimin e këtyre vendimeve të Qeverisë po krijon një përshtypje që veriu është i pamenaxhueshëm dhe situata atje është jashtë kontrollit të shtetit”, theksoi Çitaku.

Ajo, gjithashtu, tha se është e rëndësishme që Qeveria të shpjegojë se çfarë do të ndodhë tash e tutje.

Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG