Policia e Kosovës konfirmon se pati lëndime të qytetarëve në veri
Policia e Kosovës ka thënë më 1 gusht se gjatë mbrëmjes të së dielës janë raportuar katër raste ku qytetarët shqiptarë, të cilët kanë qarkulluar në atë pjesë, “janë ndaluar dhe maltretuar”.
Sipas Policisë, këtyre qytetarëve u janë shkaktuar lëndime dhe dëme materiale në automjetet e tyre.
Policia ka konfirmuar, po ashtu, se më 31 korrik pas bllokimit të rrugëve në veri, në katër raste ka pasur të shtëna me armë zjarri në drejtim të njësiteve policore.
“Si dhe në një rast është dëgjuar të ketë ndodhur një detonim”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Sipas njoftimit, nuk është raportuar për ndonjë të lënduar nga radhët e pjesëtarëve të Policisë.
Nis heqja e barrikadave në Rudarë
Gazetarët e Radios Evropa e Lirë, të cilët gjenden në Rudarë, kanë njoftuar se ka filluar tërheqja e automjeteve që ishin vendosur nga serbët lokalë si barrikada në rrugët në veri të Kosovës.
Fshati Rudarë gjendet rreth pesë kilometra nga Mitrovica. Nëpër të kalon magjistralja për në Jarinjë.
Pamje nga largimi i kamionëve
Këto pamje të bëra në orën 11:00 të datës 1 gusht, tregojnë kamionët që po largohen nga rruga në Rudarë. Serbët lokalë më 31 korrik vendosën barrikada në dy rrugët që çojnë në pikat kufitare, Jarinjë dhe Bërnjak, që lidhin Kosovën dhe Serbinë. Fshati Rudarë gjendet pesë kilometra nga Mitrovica dhe nëpër të kalon magjistralja për në pikëkalimin e Jarinjës.
Kurti dhe Vuçiqi ftohen në Bruksel për vazhdimin e dialogut
Shefi i diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell, ka ftuar në një takim në Bruksel kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, konfirmuan për Radion Evropa e Lirë burimet në bllokun evropian.
Kurti dhe Vuçiq kanë marrë ftesë për vazhdimin e dialogut, ku do të diskutohet për të gjitha çështjet e hapura mes dy shteteve.
Burimet në Bruksel tërheqin vërejtjen se tensionet janë pasoja e drejtëpërdrejt e mungesës së vullentit të liderëve për t'u ulur dhe për të vazhduar dialogun.
Lajmin e plotë mund ta lexoni në linkun më poshtë: