Punonjësit serbë udhëzohen të dalin në barrikada
Punonjësit e arsimit dhe të shëndetësisë të sistemit serb në Kosovë, janë udhëzuar që të dalin në barrikada në veri.
Policia e Kosovës tha se situata në mëngjesin e sotëm është e qetë, por rrugët që çojnë për në pikëkalimet kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak, mbeten të bllokuara.
Petkoviq: Njerëzit tanë janë lodhur nga terrori i Kurtit
Shefi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, ka thënë më 1 gusht se në 24 orët e fundit kanë bërë të pamundurën “për të ruajtur paqen dhe stabilitetin” në komunat veriore të Kosovës.
Ai ka thënë se janë realizuar përpjekjet e tyre pasi shtetet e Quint-it dhe SHBA-ja i bënë presion kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, për të shtyrë vendimet për targat dhe dokumentet serbe, si dhe për gjetjen e një zgjidhjeje në Bruksel.
“Po flasim me serbët e Kosovës dhe do të bëjmë gjithçka në dorën tonë për të mbajtur paqe dhe stabilitet, por njerëzit tanë janë lodhur. Askush nuk mund të durojë terrorin e përditshëm të Albin Kurtit”, ka thënë Petkoviq.
Në pikat kufitare me Serbinë, pritje dhe kolona më të gjata
Në vendkalimin kufitar mes Kosovës dhe Serbisë, në Merdarë dhe te Dheu i Bardhë, pritjet e qytetarëve për hyrje dhe dalje vazhdojnë të zgjasin deri në tre orë.
Në Qendrën Kombëtare për Menaxhim Kufitar raportohet se në pikën e kalimit kufitar në Merdarë, qytetarët që hyjnë në Kosovë po presin deri në 60 minuta, kurse për të dalë nga Kosova deri në 180 minuta.
Kolona e automjeteve për të hyrë në Kosovë në këtë pikë është 250 metra e gjatë, ndërsa në dalje 1000 metra.
Në pikën tjetër kufitare te Dheu i Bardhë, pritjet për hyrje zgjasin deri në 90 minuta dhe pesë minuta për dalje.
Pritjet janë dukshëm më të shkurta në pikat tjera kufitare midis Kosovës dhe shteteve tjera fqinje, si me Shqipërinë, Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut.
Në pikat kufitare të Kosovës, zakonisht gjatë sezonit të verës, vazhdojnë pritjet e gjata të qytetarëve që jetojnë jashtë vendit dhe vijnë në Kosovë, si dhe të atyre që dalin nga Kosova.
Kurse, pikëkalimet kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak janë mbyllur për qarkullim të udhëtarëve dhe automjeteve, për shkak të bllokadave të vendosura nga serbët lokalë në veri të Kosovës, ka bërë të ditur Policia e Kosovës.
Policia i ka njoftuar qytetarët që të përdorin rrugë alternative.
Për shkak të vendimit të Qeverisë së Kosovës për targat dhe dokumentet serbe, serbët lokalë në Kosovë më 31 korrik vendosën barrikada në rrugët që çojnë në Jarinjë dhe Bërnjak.
Qeveria e Kosovës tha se do të shtyjë zbatimin e vendimeve për lëshimin e dokumenteve për hyrje-dalje për shtetasit e Serbisë që hyjnë në Kosovë dhe atij për ndryshimin e targave serbe, kur të largohen bllokadat.
Bllokadat në veri nëpërmjet fotografive
Këto fotografi janë bërë mëngjesin e 1 gushtit dhe tregojnë barrikadat e vendosura nga serbët lokalë në veri të Kosovës që për të dytën ditë po vazhdojnë t'i mbajnë të bllokuara rrugët që çojnë në dy pikat kufitare me Serbinë – Jarinjë dhe Bërnjak.