Petkoviq: Njerëzit tanë janë lodhur nga terrori i Kurtit
Shefi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, ka thënë më 1 gusht se në 24 orët e fundit kanë bërë të pamundurën “për të ruajtur paqen dhe stabilitetin” në komunat veriore të Kosovës.
Ai ka thënë se janë realizuar përpjekjet e tyre pasi shtetet e Quint-it dhe SHBA-ja i bënë presion kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, për të shtyrë vendimet për targat dhe dokumentet serbe, si dhe për gjetjen e një zgjidhjeje në Bruksel.
“Po flasim me serbët e Kosovës dhe do të bëjmë gjithçka në dorën tonë për të mbajtur paqe dhe stabilitet, por njerëzit tanë janë lodhur. Askush nuk mund të durojë terrorin e përditshëm të Albin Kurtit”, ka thënë Petkoviq.
Punonjësit serbë udhëzohen të dalin në barrikada
Punonjësit e arsimit dhe të shëndetësisë të sistemit serb në Kosovë, janë udhëzuar që të dalin në barrikada në veri.
Policia e Kosovës tha se situata në mëngjesin e sotëm është e qetë, por rrugët që çojnë për në pikëkalimet kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak, mbeten të bllokuara.
Bllokadat në veri
Kjo video është incizuar mëngjesin e 1 gushtit në Rudarë dhe Zupç në veri të Kosovës, ku bllokimi i rrugëve po vazhdon.
Mitrovica e Veriut zgjohet me mesazhe për Asociacionin
Në Mitrovicë të Veriut, komunë e banuar me shumicë serbe, në mëngjesin e 1 gushtit janë parë mesazhe lidhur me Asociacionin e komunave me shumicë serbe.
“Mirë se vini në Asociacionin e komunave me shumicë serbe”, shkruhet në pankartat dhe banerët e vendosur në qytet, teksa situata në këtë komunë raportohet të jetë e qetë.
Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe, Petar Petkoviq, më 30 korrik paralajmëroi se serbët në Kosovë do të nisin formimin e Asociacionit, nëse Prishtina nuk tërhiqet nga vendimet për targat dhe dokumentet identifikuese.
Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për krijimin e Asociacionit më 2013 dhe 2015, nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, por marrëveshja ende nuk është zbatuar.
Gjykata Kushtetuese më 2015 tha se 23 pikat e marrëveshjes nuk janë në harmoni me Kushtetutën, por ato mund të harmonizohen përmes akteve ligjore nga Qeveria e Kosovës.
Serbia insiston në formimin e Asociacionit, por kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është shprehur kundër një Asociacioni njëetnik.