Ndërlidhjet

Policë të Kosovës në veri të Kosovës. 1 gusht 2022
Policë të Kosovës në veri të Kosovës. 1 gusht 2022

Çfarë çoi deri te rihapja e kufijve në veri?

Përmbledhje

Për shkak të vendimit të Qeverisë së Kosovës për targat dhe dokumentet serbe, serbët lokalë në Kosovë më 31 korrik vendosën barrikada në rrugët që çojnë në Jarinjë dhe Bërnjak.

Qeveria tha se do të shtyjë zbatimin e vendimeve për lëshimin e dokumenteve për hyrje-dalje për shtetasit e Serbisë që hyjnë në Kosovë dhe atë për ndryshimin e targave serbe, kur të hiqen bllokadat.

Vendimi për lëshimin e dokumenteve për hyrje-dalje, po zbatohet në katër pikat e tjera kufitare me Serbinë, të cilat janë të hapura.

Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, tha se është i përgatitur të ndërhyjë nëse rrezikohet stabiliteti në veri të Kosovës.

08:30 1.8.2022

Pse po protestojnë serbët?

Serbët lokalë po kundërshtojnë dy vendimet e 29 qershorit të Qeverisë së Kosovës lidhur me targat dhe dokumentet serbe.

Qeveria ka thënë se do të pajisë me dokumente të hyrje-daljeve të gjithë shtetasit e Serbisë, me të hyrë në territorin e Kosovës.

Praktikë të njëjtë Serbia aplikon për qytetarët e Kosovës për vite me radhë.

Ndërkaq, vendimi i dytë ka të bëjë me riregjistrimin e makinave që kanë targa me akronime të qyteteve të Kosovës. Këto targa lëshohen nga Serbia dhe Kosova i konsideron ilegale.

Vlerësohet se në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe, qarkullojnë 10.000 makina me targa sikurse KM (Mitrovica e Kosovës), PZ (Prizren), UR (Ferizaj), e të tjera.

Por, pas tensionimit të situatës, ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, u takua me krerët institucionalë të Kosovës, duke iu kërkuar që të shtyjnë për një muaj zbatimin e këtyre vendimeve.

Qeveria u pajtua se do të shtyjë zbatimin deri në shtator, por shtyrja do të aplikohet nga momenti kur të hiqen barrikadat.

08:24 1.8.2022

Përshëndetje të nderuar lexues,

Në këtë blog mund të ndiqni në kohë reale të gjitha zhvillimet lidhur me situatën në veri, pas bllokimit të rrugëve që çojnë në dy pikëkalimet kufitare – Jarinjë dhe Bërnjak – që lidhin Kosovën dhe Serbinë.

Bllokadat erdhën në kundërpërgjigje të dy vendimeve të Qeverisë së Kosovës lidhur me targat dhe dokumentet serbe.

Mëngjesin e 1 gushtit, sipas Policisë së Kosovës, situata në veri është e qetë dhe e pandryshuar.

Kamionët dhe mjetet e tjera të vendosura nga serbët lokalë po vazhdojnë të jenë në rrugët në afërsi të Jarinjës dhe Bërnjakut.

Bllokada në Zupç, në afërsi të Bërnjakut. 1 gusht 2022.
Bllokada në Zupç, në afërsi të Bërnjakut. 1 gusht 2022.

XS
SM
MD
LG