Ndërlidhjet

Bllokada e opozitës së përçarë


Grupi Parlamentar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, partisë më të madhe opozitare. Foto nga arkivi
Grupi Parlamentar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, partisë më të madhe opozitare. Foto nga arkivi

Partitë opozitare në Kuvendin e Kosovës, në një varg seancash të kohëve të fundit, nuk kanë shënuar pjesëmarrjen për votimin e ligjeve të ndryshme nga legjislativi. Përfaqësuesit e partive opozitare, thonë se Kuvendi i Kosovës asnjëherë nuk ka pasur opozitë më të fuqishme sesa në legjislaturën e tanishme, në kuptimin e numrit të madh të votave që përfaqësojnë.

Driton Selmanaj, deputet i partisë më të madhe opozitare, Lidhjes Demokratike të Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë se mospjesëmarrja e kësaj partie në disa seanca është qasje politike e koordinuar edhe me partinë tjetër opozitare, Lëvizja Vetëvendosje.

“Kohët e fundit, ne kemi një koordinim, sidomos me Lëvizjen Vetëvendosje, që ne mos të jemi garant i funksionimit të Kuvendit. Ne nuk kemi asnjë obligim, as kushtetues, që t’ia bëjmë shumicën pushtetit. Ato (partitë në pushtet) thirren në legjitimitetin e plotë që e kanë, kinse e kanë dhe ne ua kontestojmë atyre, sepse në fakt nuk e kanë legjitimitetin e plotë. Nuk e sjellin mocionin e votëbesimit, që i bie që Qeveria do të duhej ta sillte një mocion, për të dëshmuar që i ka numrat e mjaftueshëm për qeverisjen në vend. Ne kemi zgjedhur mënyrën tonë që ne të mos ua bëjmë kuorumin partive politike në pushtet. Ato të jenë aty dhe më pas, nëse ato janë në numër, atëherë ne do të vlerësojmë më pas se si do të votojmë apo jo”, theksoi Selmanaj.

Ai ka shtuar se Lidhja Demokratike e Kosovës nuk ka koordinim me partinë tjetër opozitare, Partinë Socialdemokrate.

Edhe Lëvizja Vetëvendosje ka qasjen e njëjtë. Deputetja e kësaj partie, Albulena Haxhiu, ka shkruar në rrjetin social Facebook, se “ka kohë që opozita, Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, janë duke u koordinuar për mosvotim të projektligjeve”. Kjo për arsyen, siç ka thënë ajo, “për të dëshmuar se Qeveria aktuale, është Qeveri e pakicës dhe s'ka legjitimitet të vijojë më tej”.

Deputetja Haxhiu, ka akuzuar Partinë Socialdemokrate se ka marrë anën e Qeverisë dhe se deputetëve të saj , siç ka thënë ajo, “u ka humbur rruga në oborr”.

Por, Shqipe Pantina, deputete opozitare e Kuvendit të Kosovës nga Partia Socialdemokrate, ka thënë se mospjesëmarrja në disa seanca të Kuvendit të Kosovës të deputetëve të kësaj partie, është bërë me qëllim të bllokimit të punës së Qeverisë.

“Mirëpo, ne mendojmë se kjo nuk është forma e duhur, sepse me këtë rast vetëm është pamundësuar miratimi i disa ligjeve, por kjo nuk e ka penguar Qeverinë, që ajo të vazhdojë me projektet, disa prej të cilave mund të jenë edhe në dëm të interesit të qytetarëve”, theksoi Pantina.

Deputetja Pantina ka shtuar se mënyra aktuale e punës së Kuvendit, nuk mund të vazhdojë edhe më tej. Sipas saj, në rast se dy partitë opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje, e kanë seriozisht rrëzimin e Qeverisë aktuale, atëherë ato duhet të bëjnë hapa konkret.

“Dje ju kemi bërë edhe thirrje publike atyre, që e kanë përkrahjen tonë. Do t’i kenë 12 votat tona në rast se ndërmarrin mocion për rrëzimin e Qeverisë. Nëse kjo nuk është e mundur, nëse ne nuk mund t’i sigurojmë, si opozitë, 61 vota, atëherë, besoj që ne duhet ta funksionalizojmë Kuvendin dhe përmes Kuvendit të mbikëqyrim Qeverinë dhe t’i parandalojmë projektet, të cilat nuk janë në interes të vendit dhe natyrisht, t’i shtyjmë përpara politikat, gjegjësisht projektligjet, të cilat përmirësojnë jetën e qytetarëve”, u shpreh Pantina.

Por, deputeti Selmanaj, thotë se deklaratat nga Partia Socialdemokrate më tepër janë për konsum të brendshëm. Megjithatë, sipas tij, edhe në rast se bllokut opozitar do t’i ofroheshin votat e Partisë Socialdemokrate, përsëri ato do të ishin të pamjaftueshme për rrëzimin e Qeverisë.

“Ne nuk i kemi (votat e mjaftueshme) aktualisht. Si opozitë nuk i kemi, kjo dihet. Ne mund t’i kemi, bashkë me Partinë Socialdemokrate diku 59 (vota). Nuk i kemi edhe dy. Por, Qeveria duhet të na e dëshmojë se ka shumicën për Qeveri. Nuk mjafton ajo që a jemi ne të gatshëm dhe a kemi numra ta rrëzojmë. Ideja është që ai që qeverisë a ka legjitimitet apo jo. Përpjekja më e madhe ose shqetësimi më i madh duhet të jetë për ta se a kanë legjitimitet që të qeverisin apo jo dhe jo për ne se si ta rrëzojmë atë”, tha Selmanaj.

Sidoqoftë, Selmanaj ka theksuar se partitë opozitare, synojnë që të marrin pëlqimin e të paktën njërës prej partive të cilat janë në pushtet, në mënyrë që të sigurojnë votat emjaftueshme për ta rrëzuar Qeverinë aktuale dhe që vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme parlamentare.

Të ndërlidhura

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG